Radar
Detaje të reja nga aksidenti me 46 viktima, Zaev tregon bisedën me një të mbijetuar: Dëgjuam një shpërthim të fortë
Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti ku humbën jetën 46 persona, 45 prej të cilëve ishin shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Autobusi po udhëtonte nga Stambolli në Shkup dhe ka shpërthyer në flakë e më pas është përplasur.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka shkuar në Sofje dhe ka treguar se ka folur me një nga të mbijetuarit e aksidentit. Sipas Zaev, ai i ka thënë se fillimisht është dëgjuar një shpërthim i fortë. Shtatë të mbijetuarit janë hedhur nga dritaret, i ka thënë pasagjeri Zaevit.
“Kam mundur të flas me njërin prej të mbijetuarve. Ai i ka thënë se është dëgjuar një shpërthim i fortë, pas së cilës ai dhe 7 pasagjerë të tjerë kanë arritur të ikin nga dritaret”, tha Zaev.
Ky i fundit i së bashku me ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe dhe ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani tashmë janë në Sofje. Zaev shton se kanë besim te autoritetet bullgare dhe se nuk do të kërkojë hetim paralel.
“Ne u besojmë kolegëve tanë bullgarë. Nëse ata kanë nevojë për ndihmë, ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë në hetim”, shtoi Zaev. Pas njohjes me gjendjen e të lënduarve, kryeministri do të takohet me homologun e tij bullgar Stefan Janev, bëjnë me dije mediat maqedonase.
Autobusi, ku humbën jetën 46 person është i agjencisë “Besa Trans”, e cila organizon udhëtime turistike dhe tregtare drejt Stambollit. Në këtë udhëtim ishin kryesisht persona të moshës së re, 12 fëmijë nën 18-vjeç, ndërsa pjesa tjetër rreth 20-30 vjeçarë. Shtatë të mbijetuarit, pesë burra dhe dy gra janë jashtë rrezikut për jetën.