Mix
Çfarë është ekzema? Çfarë e shkakton atë? Cilat janë simptomat e ekzemës?
Çfarë është ekzema? Çfarë e shkakton atë?
Ekzema njihet gjithashtu si Dermatit Atopik, ose Ekzemë Atopike (forma më e njohur e ekzemës). Ekzema prek kryesisht fëmijët, por mund të vazhdojë në moshën e rritur apo të fillojë në moshë të rritur. Fjala “ekzemë” vjen nga fjala greke ekzein që do të thotë “zien jashtë”; fjala greke “ek” përkthehet “jashtë”, ndërsa fjala greke “zema” përkthehet “duke zier”.
Ekzema është një kondicion kronik i lëkurës në të cilin lëkura skuqet, kruhet, plasaritet dhe thahet. Afërsisht 30% e të gjitha vizitave dermatologjike në Europën Perëndimore rezultojnë me diagnozën e ekzemës atopike. Kjo sëmundje prek njësoj, si femrat edhe meshkujt, pa dallim të prejardhjes etnike. Shumica e mjekëve dermatologë dhe mjekëve të përgjithshëm në Amerikën e Veriut, Europën Perëndimore dhe Australi thonë se numri i njerëzve të diagnostikuar çdo vit me ekzemë është rritur në vitet e fundit.
Atopi është predispozicioni trashëgimor për zhvillimin e disa reaksioneve hipersensitive, si azma, alergjia nga bari, urtikaria kronike, dhe disa lloje ekzemash. Ekzema atopike, do të thotë një formë ekzeme e karakterizuar nga atopia – me fjalë të tjera, ekzemë e trashëguar.
Afërsisht 80% e rasteve të ekzemës atopike fillojnë para moshës 5 vjeçe, dhe një numër i madh e zhvillojnë atë gjatë viteve të para të jetës.
Shumë prej fëmijëve që preken nga ekzema atopike, zhvillojnë azmën disa muaj më vonë, fenomen i cili quhet “Marsi Atopik”. Shkencëtarët në Shkollën e Mjekësisë së Universitetit të Uashingtonit në St. Louis zbuluan se një substancë e sekretuar nga lëkura e dëmtuar qarkullon nëpër trup dhe nxit simptomat azmatike tek minjtë e laboratorit, në momentin e ekspozimit me agjentë të cilët shkaktojnë ekzemë dhe dermatit, të njohur ndryshe si alergjenë.
Ka shumë lloje ekzemash. Ky shkrim përqëndrohet tek ekzema atopike.
Cilat janë simptomat e ekzemës?
Meqenëse ekzema atopike është një sëmundje kronike, simptomat janë prezente gjatë gjithë kohës. Sëmundje kronike quhet një sëmundje afatë-gjatë; një sëmundje që persiston për një kohë të gjatë. Megjithatë, gjatë një periudhe shpërthimi, simptomat keqësohen dhe pacienti ka nevojë për trajtim intensiv.
Mëposhtë janë listuar disa simptoma të ekzemës atopike (jo në rast shpërthimi):
- Lëkura çahet në vende të caktuara.
- Disa zona të lëkurës plasariten.
- Lëkura është zakonisht e thatë.
- Shumë zona të lëkurës kruhen dhe ndonjëherë rripen në rast të kruarjeve të tepërta.
- Kruarjet zakonisht keqësohen natën.
- Kruarjet mund të rezultojnë edhe në zona ku lëkura është e trashë.
- Disa zona të lëkurës skuqen dhe inflamohen.
- Disa zona të lëkurës zhvillojnë flluska dhe qeska me lëng nën lëkurë.
- Lëkura ka njolla në ngjyrë të kuqe-në kafe-në gri.
- Disa zona të lëkurës mund të kenë ngritje të vogla lëkure.
Megjithëse njollat mund të shpërthejnë në çdo zonë të lëkurës, ato më shpesh shfaqen në duar, këmbë, prapa gjunjëve, artikulacioneve, kyçeve të duarve, fytyrë, qafë, dhe pjesën e sipërme të kraharorit. Disa pacientë kanë simptoma rreth syve, përfshirë qepallat. Kruarja rreth syve mund të çojë eventualisht në humbje të qimeve të vetullave dhe qerpikëve. Bebet shqafin simptoma në fytyrë.
Në rast shpërthimi, ekzistojnë simptomat e mësipërme, plus disa të tjera si mëposhtë:
- Lëkura kruhet akoma më shumë.
- Kruarja dhe gërvishtja e përkeqësojnë skuqjen, sensitivitetin dhe plagët.
- Zonat e prekura përjetojnë nxehtësi.
- Lëkura plasaritet dhe thahet akoma më tepër.
- Ngritjet në lëkurë theksohen më shumë dhe fillojnë të rrjedhin lëng.
- Shfaqen flluska.
- Zonat e prekura mund të infektohen nga bakteriet.
Këto shpërthime zgjasin nga dy ditë deri në disa javë.
Pacientët me ekzemë të lehtë atopike, zakonisht kanë zona të vogla lëkure të thatë që ndonjëherë pëson kruarje. Në rast se simptomat ashpërsohen, zona të mëdha lëkure thahen së tepërmi dhe kruarja bëhet më konstante. Shumë prej këtyre zonave fillojnë të rrjedhin lëng.
Çfarë i përkeqëson simptomat e ekzemës atopike:
- Dush apo banjë e gjatë me ujë të nxehtë.
- Lejimi i tharjes së lëkurës.
- Stresi mendor.
- Djersitja.
- Ndryshime të shpejta të temperaturave.
- Ajri i thatë.
- Disa materiale veshmbathjesh, si rrobat e leshit.
- Duhanpirja.
- Pluhuri.
- Rëra.
- Disa lloje sapunësh, tretësirash ose detergjentësh – disa shkencëtarë suedezë zbuluan se linalool, përbërësi më i zakonshëm aromatik që përdoret në shampo, balsam dhe sapun, është një alergjen i fuqishëm për një numër të madh njerëzish.
Çfarë e shkakton ekzemën atopike?
Ekspertët mendojnë se njerëzit me ekzemë lindin me këtë sëmundje – është një kondicion i trashëguar gjenetik. Mund të përkeqësohet me ekspozimin ndaj faktorëve të jashtëm të mjedisit si poleni apo gëzofi i kafshëve, dhe faktorë të jashtëm si stresi dhe nivelet hormonale.
Në 2006, shkencëtarët nga Universiteti i Dundee, me bashkëpunëtorë në Dublin, Glasgou, Seattle dhe Kopenhagen, zbuluan genin që shkaktonte lëkurë të thatë dhe të plasaritur i cili shkakton predispozicion për ekzemë.
Në 2009 një studim i kryer nga shkencëtarët e Universitetit të Edinburgut konkludoi se defektet e një gjeni të veçantë që njihet si gjeni filagrin lidhen me rrezik të lartë zhvillimi çrregullimesh alergjike si riniti, ekzema dhe azma.
Barriera yndyrore (lipide) e lëkurës është zakonisht e reduktuar tek njerëzit me ekzemë atopike, në krahasim me njerëzit e tjerë. Bariera lipide ndihmon parandalimin e humbjes së ujit. Nëse barriera juaj reduktohet, do të humbisni më shpejt lagështinë e lëkurës dhe lëkura do të thahet më shumë.
Qelizat e sistemit imunitar të njerëzve me ekzemë atopike lëshojnë kimikate nën sipërfaqen e lëkurës të cilat mund të shkaktojnë inflamacion. Ekspertët nuk janë 100% të sigurtë pse ndodh ky fenomen. Thjesht e dinë se ky është një mbi-reagim i sistemit imunitar.
Edhe pse studiuesit janë siguruar se gjenetika është shkaku kryesor i ekzemës, ata ende nuk e dinë se cili është shkaku gjenetik i kësaj sëmundjeje. Studimet e sipër-përmendura na japin ide më të mirë, megjithëse nevojiten studime të tjera të zgjeruara për të arritur përfundime ekzakte. 60% e fëmijëve me ekzemë atopike kanë një prind që vuan nga i njëjti kondicion. Studimet kanë treguar se fëmijët kanë 80% rrezik të zhvillojnë ekzemë nëse të dy prindët vuajnë prej saj.
Ekzema lidhet me bakteriet e zorrëve tek fëmijët- fëmijët që vuajnë nga ekzema kanë një gamë më të gjërë bakteriesh në zorrë sesa fëmijët që nuk vuajnë nga ky kondicion, sipas studiuesve në Universitetin Turku të Finlandës, në raportin e publikuar në gazetën BMC Microbiology. Shkencëtarët vërejtën se bakteriet e zorrëve tek fëmijët me ekzemë kishin më shumë të ngjarë të gjendeshin tek zorrët e të rriturve në raport me fëmijët e tjerë.
Studimet e kohëve të fundit kanë filluar të shfaqin një panoramë të mënyrës së jetesës në hapat e para të jetës, të cilat mund të reduktojnë rrezikun e zhvillimit të ekzemës më vonë në jetë. Dieta e një foshnje që përfshin peshkun para moshës 9 muajshe, ul rrezikun e zhvillimit të ekzemës, sipas një studimi suedez.
Faktorë të mjedisit që përkeqësojnë simptomat e ekzemës atopike
Disa shkencëtarë mendojnë se faktorët e mjedisit shkaktojnë një numër në rritje të rasteve të ekzemës në botën moderne.
Faktorët e mjedisit njihen gjithashtu si alergjenë – ato shkaktojnë mbi-reagimin e sistemit imunitar; pra, një veprim alergjik.
Tri alergjenët më të zakonshëm të ekzemës atopike janë:
- Morrat e dyshekut.
- Poleni.
- Gëzofi i kafshëve – fëmijët që ekzpozohen me mace menjëherë pas lindjes, kanë rrezik të shtuar për zhvillimin e ekzemës, sipas një studimi të kryer nga studiuesit e Universitetit të Arizonës në Tukson, SH.B.A.
Këto janë alergjenët kryesorë që nxisin azmën dhe alergjinë nga bari.
Ushqimet që mund të përkeqësojnë ekzemën atopike:
Këto ushqime zakonisht shkaktojnë reagime alergjike tek njerëzit me sisteme imunitare të ndjeshme:
- Qumështi (i lopës)
- Vezët
- Arrat
- Soja
- Gruri
Rreth 10% e fëmijëve me ekzemë atopike preken nga alergjenët e ushqimit. Ushqimi rrallëherë prek të rriturit me ekzemë.
HORMONET NXISIN EKZEMËN
Një numër i madh femrash me ekzemë raportojnë se simptomat përkeqësohen gjatë ciklit të tyre menstrual. 30% e femrave kanë shpërthime gjatë ditëve preçedente të ciklit. 50% e femrave me ekzemë thonë se simptomat përkeqësohen gjatë shtatzanisë, periudhë e cila pëson ndryshime nivelesh hormonale.
Stresi mendor përkeqëson simptomat e ekzemës
Mjekët nuk janë të sigurtë çfarë shkakton simptomat e ekzemës gjatë stresit mendor, megjithatë, pacientët e ekzemës atopike raportojnë se simptomat e tyre përkeqësohen gjatë stresit mendor. Mendohet se gjatë kësaj periudhe krijohet një rreth vicioz – simptomat e ekzemës stresojnë pacientin dhe nga ana tjetër stresi rezultues acaron simptomat e ekzemës.
Dimri është zakonisht më i keq se vera
Shumica e pacientëve të cilët nuk jetojnë pranë ekuatorit, vërejnë se simptomat keqësohen në dimër, megjithëse poleni nuk është prezent.
DIAGNOZA E EKZEMËS
Nuk ka teste laboratorike të lëkurës që mund të diagnostikojnë ekzemën atopike.
Mjeku specialist është në gjendje të diagnostikojë ekzemën atopike pas ekzaminimit të pacientit dhe pyetjeve rreth historisë familjare, reagimeve alergjike dhe simptomave personale.
Cilat janë trajtimet e ekzemës atopike?
Aktualisht nuk ka kurë për ekzemën atopike. Megjithatë, ka një sërë trajtimesh që fokusohen tek simptomat, si dhe strategjitë që shmangin nxitësit e ekzemës. Zakonisht, një sasi e madhe fëmijësh me ekzemë, zbulojnë se me kalimin e kohës simptomat përmirësohen.
Kujdesi vetiak – ç’mund të bëni për të përmirësuar simptomat
SHMANGNI KRRUARJEN
Kruarja është pjesë integrale e ekzemës, dhe reaksioni më natyral në përpjekje për tu lehtësuar prej saj. Fatkeqësisht, kruaja e acaron më shumë lëkurën, përkeqëson simptomat dhe rrit rrezikun për infeksion.
- Shmangni faktorët nxitës Shmangni rrobat me fibra sintetike dhe vishni vetëm materiale natyrale, si pambuku.
- Ushqimi Është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun tuaj para se të bëni ndryshime të mëdha në dietën tuaj, veçanërisht nëse pacienti është fëmijë. Nënat që ushqejnë me gji duhet të konsultohen me mjekun para se të aplikojnë ndryshime në dietën e tyre. Kini parasysh se qumështi, arrat dhe vezët janë nxitës të zakonshëm të ekzemës.
Kremrat zbutës
Krem zbutës quajmë një krem që zbut dhe lëmon lëkurën – mund të jetë krem, locion ose pomadë. Kremrat zbutës janë pjesë e rëndësishme e trajtimit të ekzemës atopike. Lëkura e njerëzve me ekzemë është zakonisht e thatë dhe këto produkte e zbusin dhe hidratojnë, duke parandaluar irritimin dhe plasaritjen e lëkurës.
Gjetja e kremit të duhur varion nga njëri person tek tjetri. Pacientit mund ti duhet të provojë disa kremëra derisa të gjejë produktin më të përshtatshëm, dhe ndonjëherë duhen produkte të ndryshme për pjesë të ndryshme të trupit.
Disa kremëra janë specifikisht të formuluar për lëkurë super të thatë, të tjerë për lëkurë thjesht të thatë. Pomadat përshkruhen zakonisht për lëkurë më të thatë, ndërsa kremrat dhe locionet për lloje të tjera të lëkurës.
- Aplikimi i kremit zbutës – aplikojeni butësisht në lëkurë, duke ndjekur drejtimin e rritjes së qimeve. Mos e fërkoni, sepse mund të irritoni lëkurën. Thajeni në mënyrë delikate lëkurën pasi ta keni larë, dhe aplikoni menjëherë produktin zbutës. Produktet nuk duhen ndarë me persona të tjerë.
- Kremërat dhe locionet përdoren zakonisht për zona të skuqura dhe të inflamuara.
- Pomadat zakonisht përdoren për zona të thata që ende nuk janë inflamuar.
- Aplikojeni shpesh – Shpeshtësia është kyçi i përdorimit efektiv të zbutësit. Mos ndaloni së aplikuari edhe kur lëkura duket e pastër. Përdorimi i shpeshtë në zonat e prekura, ul dukshëm numrin e shpërthimeve dhe ashpërsinë e tyre. Pacientët, lëkura e të cilëve është shumë e thatë, duhet të lyejnë lëkurën çdo dy deri tre orë. Gjatë periudhës së shpërthimit, lyerja me produktin zbutës është jetike pasi kjo është periudha kur lëkura ka më shumë nevojë për zbutës. Aplikimi i zbutësit në lëkurë në periudhën e shpërthimit duhet të jetë i shpeshtë dhe i bollshëm.Zbutës në vend të sapunit – Trajtimet me zbutës duhet të përdoren në vend të sapunit. Sapuni irriton lëkurën nëse lëkura vuan nga ekzema atopike. Këto produkte mund të gjenden në shumicën e farmacive dhe supermarketeve.
Kortiko-steroidet topikale
Në mjekësi, topikal do të thotë “aplikohet në lëkurë”. Kortiko-steroidet reduktojnë në mënyrë të shpejtë inflamacionin. Nëse lëkura e pacientit është shumë e skuqur dhe e inflamuar, mjeku mund të përshkruajë një kortiko-steroid topikal.
- Aplikimi i kortikostero-idëve – aplikoni bollshëm në zonën e prekur prej ekzemës. Ndiqni udhëzimet e përfshira në ambalazhim.
- Aplikimi i një kortiko-steroidi gjatë shpërthimit të ekzemës – kortiko-steroidi nuk duhet aplikuar më shumë se dy herë në ditë. Shumica e pacientëve e aplikojnë vetëm një herë në ditë. Pas pastrimit të shpërthimit ekzematik, trajtimi duhet të vazhdojë edhe për 48 orë të tjera.
Alitretinoina
Alitretinoina përdoret për pacientët me ekzemë duarsh të ashpër dhe kronike e cila nuk reagon ndaj trajtimeve të tjera. Ky lloj trajtimi duhet mbikëqyrur nga mjeku dermatolog. Alitretinoina është një retinoid, lloj medikamenti i cili ul nivelin e irritimit dhe krruarjen që shoqëron ekzemën. Trajtimi zakonisht konsiston në marrjen e një tablete në ditë për 12-14 ditë. Ky mjekim NUK mund të përdoret nga gratë shtatëzëna apo ato që ushqejnë me gji. Efektet anësore të alitretinoinës përfshijnë dhimbje koke, lëkurë të thatë, dhimbje artikulacionesh dhe dhimbje muskujsh.
Antihistaminat
Ky lloj mjekimi ndalon efektet e histaminës, një kimikat që trupi ynë lëshon kur kontaktohet me një alergjen. Nëse efektet e histaminës mund të reduktohen apo ndalohen, simptomat e ekzemës dhe kondicioneve alergjike reduktohen dukshëm.
Infeksioni
Në rast se ekzema infektohet, pacienti duhet të marrë antibiotikë:
- Antibiotikë oralë – Antibiotikët oralë përshkruhen nëse simptomat janë shumë të ashpra dhe zona e prekur nga ekzema është infektuar prej bakterieve. Antibiotiku më i rekomanduar është flucloxacilina, për disa ditë. Në rast se jeni alergjikë ndaj penicilinës, mjeku juaj mund të përshkruajë eritromicinë ose klaritomicinë.
- Antibiotikë Topikalë – nëse simptomat janë të ashpra dhe infeksioni nuk ka pushtuar një zonë të madhe lëkure, pacientit zakonisht i përshkruhet një antibiotik topikal – që aplikohet direkt në zonën e prekur. Antibiotiku zakonisht vjen në formën e kremit ose pomadës.
Terapi me dritë (Fototerapi)
Kjo përfshin përdorimin e dritës artificiale ose natyrale. Në formën e saj më të thjeshtë, pacientit i duhet vetëm të ekspozohet në dritën natyrale të diellit.
Forma të tjera janë përdorimi i rrezeve artificiale ultraviolet A (UVA) ose ultraviolet B (UVD), si vetëm ashtu edhe në kombinim me ilaçe të tjera.
Terapia e dritës është shumë efektive. Është e rëndësishme gjithsesi të kryhet nën mbikëqyerjen e mjekut specialist. Ekspozimi ndaj diellit ka efekte positive, por edhe efekte negative nëse nuk kontrollohet siç duhet.