Kioske
Kush beson se Basha mund të rrëzojë Ramën?!
Nga Armand Maho
Jo më kot në çdo “Foltore”, Sali Berisha është treguar i kujdesshëm në diskursin e tij. Përveç identifikimit me gisht të fajtorit për humbjet e PD-së, ai ka mbajtur një ekuilibër për t’u pasur zili me çdo mbështetës të PD, përfshirë këtu dhe ata që janë rreshtuar në llogoren e Bashës. Fundja, të parët pavarësisht qëndrimeve kane si synim rrëzimin e pushtetit aktual, pavarësisht se mbajtësi i çelësave të zyrës së Kryetarit duket se ka tjetër agjendë.
Tek ata pak njerëz që i kanë mbetur, vihet re një çoroditje e organizuar. Edhe përkrahësin e tij më të flaktë po ta pyesësh “a mund ta rrëzojë Basha, Ramën”, nuk di të përgjigjet. Mosgjetja e një justifikimi për amullinë e krijuar po e bën agresiv. Kjo vihet re fare qartë tek ata që i mbajnë ison. Nuk po lihet zë kundërshtari pa u etiketuar si shërbëtor i pushtetit. Fjala vjen, sulmet që iu bënë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Keltis Krujës, Klevis Balliut apo Flamur Nokës për hir të një lufte që nuk është e tij, nuk të çojnë kurrkund përveçse thellimit të ndasisë.
Në këtë prizëm po shihen dhe ata 4 mijë e kusur delegatë që kanë firmosur për shkarkimin e Bashës.
Ky lloj mentaliteti që po zë vend çdo ditë e më shumë, nxjerr në pah domosdoshmërinë që Sali Berisha të marrë në dorë fatet e opozitës. Mund të duket si retorikë boshe, patetizëm apo pathos i ndonjë mbështetësi të verbër që fle me foton e tij poshtë jastëkut, por në të vërtetë nuk është aspak ashtu!
Vetëm 3 ditë pas humbjes të vitit 2017, në një opinion (pa ndonjë pritshmëri për reflektim), kam shprehur bindjen se Basha duhet të largohet nga ai post dhe situatën e krijuar nga humbja aso kohe ta merrte në dorë Sali Berisha, qoftë dhe për një periudhë tranzitore. Kjo, jo sepse jam ithtar i kultit të individit, as fanatik siç na etiketojnë rëndom sa herë kërkojmë rrëzimin e Ramës, por sepse një humbje e tillë në rast se nuk ndërhyhej energjikisht, do të sillte pasoja qoftë në organizim, qoftë ne aksionet opozitare. Dikush duhet të mbante përgjegjësi.
Ajo humbje ishte dhe më e rëndë se në vitin 1997. Me një ndryshim se asokohe PD nuk bënte dot fushatë në gati 1/3 e territorit të vendit. Më pas dihej se ç’ndodhi.
Ata që i kanë ndjekur zhvillimet e fundit të 90-ës dhe fillimin e viteve 2000 e dinë fare mirë që çarja si pasojë e humbjes nuk ishte e vogël. Në krahasim me atë çka ndodhte atëherë, kjo e sotmja mund të duket si lojë fëmijësh. Pushteti u bë shumë represiv. Vrasjet apo burgosje politike u shndërruan në normalitet. Sherrnaja brenda partisë kishte hyrë në çdo qelizë. Situata kishte shkaktuar një atrofizim të degëve të saj që po e çonte me shpejtësi në vdekje klinike PD-në e cila ishte në qendër të sulmeve nga pushteti, nga rrymat e brendshme, nga çdo njeri që kishte një zë publik.
E megjithatë në atë pak kohë që i kish mbetur Berisha diti t’ia dilte. Fillimisht me zgjedhjet e manipuluara të vitit 2001, rezultati i të cilave ishte impresionues po të mendosh atë që i kish ndodhur vetëm katër vjet më parë. Më tej la mënjanë ndasitë, ktheu besimin, i dha frymë dhe bëri bashkë të gjithë, madje edhe ata që kishin marrë armët kundër tij në vitin 1997. Arriti të bashkonte historinë me të ardhmen dhe rezultati i vitit 2005 ishte mbresëlënës.
Basha nuk arriti kurrë në këtë nivel, megjithëse përballë kishte një pushtet të brejtur nga korrupsioni dhe lidhjet okulte me krimin. Rama nuk është aq i fortë sa duket por kundërshtari i tij është peshë pupël. Ato fitore qe ka regjistruar ne karrierën e tij dhe që i tund si flamur triumfi e tij janë realizuar nën lidershipin e Berishës.
Në intervistën e tij, që u transmetua në një orë me “Foltoren” e Sarandës jo pa qëllim u tregua i pasinqertë. Nuk është e vërtetë që përjashtimi i Berishës nga fushata e Tiranës në vitin 2011 i solli fitoren përballë Ramës në bashki . Ai ishte investimi i gjithë Partisë Demokratike dhe koaliconit, i dirigjuar kryesisht nga Berisha i cili dhe kur ishte në Vlorë apo Korçë, vëmendjen e kishte në Tiranë.
Kjo i kushtoi humbjen e bashkive më të mëdha në të gjithë vendin. Ministrat e qeverisë braktisën qytetet e tjera dhe u përqendruan në Tiranë.
Fjala vjen, Arben Imami, Ministër i Mbrojtjes dhe Genc Ruli, Ministër i Bujqësisë kanë qëndruar me javë të tëra në takime vetëm tek dy pallate, jo në zonë por në dy pallate në hyrje të Unazës së Re, pjesë e njësisë 5, për shkak se llogaritë aty nuk dilnin. Edi Rama u përball me Berishën, Basha ishte thjesht përfitues. Është naivitet politik dhe veprim i ulët që sot ai e konsideron si fitore personale.
Parë në këtë këndvështrim duhet ta ketë të qartë gjithkush se në rast se Lulzim Basha do të tentojë ta mbajë më përdhunë atë post që ia fali Berisha dhe e mbajti tinëzisht për tetë vite, hendeku do thellohet akoma më shumë. Me ata 4 mijë firmëtarë, Kryetari e ka mbyllur një herë e mirë llogarinë.
Pyetja 1- milionëshe që shtrohet para tij është: A mund t’i bindë dot më ata delegatë e anëtarë që kanë firmosur për shkarkimin e Kryetarit, të dalin në fushatë e të mbledhin vota në emër të tij? A fiton dot pa kontributin e tyre?
Kjo nuk është një pyetje qe mund t’i japë përgjigje askush nga ata që ai ligësisht i ka lënë në kurriz luftën e tij dhe vetë e ndjek kacafytjen i mbyllur nga dritaret e zyrës.
Nga kjo lëvizje automatikisht i janë rebeluar minimumi 20 deri në 25 mijë anëtarë. Vota e tyre në korrik të këtij viti ai i mori duke përfituar nga heshtja e Doktorit pas humbjes së zgjedhjeve, që u interpretua si mbështetje për Bashën.
“Mirënjohja” e Kryetarit më pas u pa qartë me vendimin e 9 shtatorit. Sot me pretendimet për verifikim firmash të cilat janë thjesht dokrra dhe artifice të dëshpëruara, qëllimi i tij i vetëm është të mbajë fort ato çelësa zyre, që i shërbejnë vetëm atij, por kurrsesi s’mund të sjellin fitoren e PD-së.
Budallenj sot nuk ka! Talentin për politikë ose e ke ose nuk e ke dhe Basha është defiçitar në këtë pikë. Lideri identifikon, del mbi interesat e momentit, lë mënjanë politikat përjashtuese, bëhet pragmatist në luftën ndaj kundërshtarit.
Ata që u morën me fushatën e vitit 2021, e dinë fare mirë se çfarë vuajtje ishte që të mbushnin sallat për takime me Bashën.
Krejt e kundërta ndodh me Berishën, ku për të dëgjuar “Foltoren”, njerëzit rrinë dhe jashtë sallave. Kjo vetëm me një njoftim në Facebook.
Nën këtë logjikë duhen parë zhvillimet për ta kuptuar se rrokada duhet bërë shpejt.
Afërmendsh, njerëzit, të djathtët dhe ata që nuk janë dakort me këtë qeverisje mblidhen shumë shpejt rreth Berishës. Çdokush prej tyre ndjehet disi borxhli ndaj tij. Ka treguar se të fitojë është ajo që di të bëjë më mirë.
Për sa i përket Bashës, megjithëse dera i është lënë e hapur dhe pas 11 Dhjetorit, i ka ardhur koha të largohet. Dëmi që i ka bërë të djathtës është i pallogaritshëm.