Radar
I doli në krah Këlliçit, Basha hakmerret edhe ndaj Albana Vokshit. Hap garën për Forumin e Gruas
Pas vendimit për riorganizimin dhe zgjedhjen e organeve drejtuese të Forumit Rinor, edhe Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë do të hyjë në një proces zgjedhor. Kryetari i PD Lulzim Basha udhëzoi zhvillimin e zgjedhjeve për kryetaren e LDGSH-së, post i cili mbahet me emërim që prej vitit 2012, si dhe të organeve të tjera drejtuese të Lidhjes së Gruas.
Sipas PD, zgjedhja e kryetares së LDGSH-së do të bëhet sipas parimit 1 anëtar, 1 votë. Kjo është hera e parë që anëtareve të Forumit të Gruas u njihet e drejta për të zgjedhur drejtuesen e tyre me votë direkte.
Për të garantuar standardet e procesit, Kryetari Basha ngriti një grup të posaçëm për zgjedhjet në LDGSH, i cili përbëhet nga:
1. Grida Duma
2. Arta Sakja
3. Dhurata Çupi
4. Orjola Pampuri
5. Greta Bardeli
6. Alfrida Marku
7. Ina Zhupa
8. Eralda Tase Bano
9. Zheni Gjergji
10. Ledina Aliolli
“Grupi i punës do të mbikqyrë mbarëvajtjen e procesit për zgjedhjen e Kryetares dhe zgjedhjet dhe riorgarnizimin e të gjitha forumeve të tjera të LDGSH në qendër dhe në degë. Në LDGSH mungojnë prej vitesh forume të tilla drejtuese si kryesia apo Këshilli Kombëtar i LDGSH-së”, thuhet ne njoftimin e zyres se shtypit.
Aktualisht, këtë post e ka mbajtur deputetja Albana Vokshi. Një ditë më parë, kur Basha shpalli zgjedhjet per FRPD-në i kundërshtuar nga kryetari aktual, Belind Këlliçi, Vokshi shkruante në Facebook se Partia Demokratike ka nevojë për demokraci dhe jo arbitraritet!
“Partia Demokratike ka nevojë për demokraci, jo arbitraritet!
Statuti i Partisë është i qartë: vendim-marrja e brendshme nuk lihet në një dorë. Përkundrazi, ajo është e shpërndarë mes një sërë organesh dhe drejtuesve të ndryshëm.
Organizatat Partnere të Partisë Demokratike, LDGSH dhe FRPD, janë forume që organizohen dhe drejtohen në bazë të Statutit të tyre. Askush, as Kryetari i PD, nuk ju merr dot vendimmarrjen.
Asnjë organ, asnjë funksionar nuk mund të uzurpojë pushtetin që statuti ja njeh një forumi, organi apo funksionari tjetër.
Vecanërisht në situata debati apo përplasjesh të brendshme, inati, hakmarrja, intrigat nuk duhet të prevalojnë ndaj statutit.
Përkundër, Statuti është vendimtar dhe mbi të gjitha ceshtjet e mbi te gjithë.
Pas 31 vjetësh, cdo demokrat është në mision, për t’u bashkuar për të ringritur partinë nëpërmjet fuqizimit të anëtarësisë, forcimit të demokracisë të brendshme, respektimit të fjalës dhe mendimit të lirë”, shkruante Vokshi.
Kujtojmë se Vokshi ka mbajtur qëndrime kritike ndaj Bashës, sidomos pas shkarkimit të Flamur Nokës nga posti i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë.
“Liria dhe demokracia e brendshme janë oksigjeni që mund të mbajnë në jetë PD-në. Memeceria, bindja e verbër dhe futja në rrjesht janë asfiksim që e çon PD-në në një vdekje pa zhurmë por të sigurt,”-shkruante Vokshi në postim.