Radar
Lubonja: Basha? Nuk është politikan me ide të reja, ja pse është i shantazhueshëm
Analisti Fatos Lubonja, duke analizuar situatën në Partinë Demokratike, u shpreh se nuk mendon se Lulzim Basha është një politikan me ide të reja që mund të godasë politikanin e vjetër Sali Berisha.
Në studion e News 24, Lubonja theksoi se opozita duhet të ketë kurajo që të rrëzojë rregjimin e kryeministrit Rama.
Sipas Lubonjës, ky regjim është i ngjashëm me atë të Maduros në Venezuelë, por që ka dhe mbështetjen e amerikanëve.“Unë mendoj që ne kemi nevojë për një opozitë që të ketë kurajo. Vazhdoj ta them se ne kemi një regjim si Maduro, por që mbështetet nga amerikanët. Një opozitë që nuk ndërgjegjësohet për këtë nuk bën kurrë hajër. Po ju japë shembullin e talebanëve, ajo e qeveri e korruptuar e mbështetur nga amerikanët bëri që populli të shkonte te talebanët.
Unë konfliktin Basha-Berisha e shoh si një konflikt idesh. A po më vjen Basha me ide të reja për të goditur këtë politikanin e vjetër, apo vjen me idenë që ka thënë Konica se në Shqipëri ka disa që kanë lindur prapa dhe disa që kanë lindur para. Dhe unë mendoj se Basha është nga ata që kanë lindur prapa.
Unë mendoj se Basha do të mund ta bënte këtë nëse do të kishte popullin me vete dhe nëse nuk është i shantazheshëm. Nëse do të kishte popullin me vete, pa parti fare, me një lëvizje civile kundër plehrave u bë mosardhja e plehrave kimike në Shqipëri. Basha shantazhohet pasi figuron bashkë me Berishën në ato akuza që i janë ngritur atij”, tha Lubonja.