Kryesore
Kur Basha bën si çun garip
Çim Peka/ Syri.net
Dikur i kërkonim të qeshte më pak, pasi njerëzit nuk e merrnin seriozisht. Edhe konsulentet e tij izraelite ia patën kërkuar. Tani është bërë i egër, e nuk i qesh më buza. Sa herë zihet në çark, egërsohet, kërcënon dhe bën si i fortë. Tip cubi. Dje, mori kurajën dhe kërcënoi Sali Berishën. Fjala e tij para grupit parlamentar u vu re për tri gjera.
Së pari, u shpreh se “Rrjedh jo vetëm nga familja Basha, por edhe nga Hotët, që shquhen edhe për të tjera gjëra”, si dhe ‘di të sillet edhe ndryshe’. Tani, ky ka filluar e ngjan si dy pika uji me Ramën. Shtatë herë ka ndërruar fenë Edi Rama. Një herë mysliman; një here katolik; një herë ortodoks; pastaj bektashi; nganjëherë del edhe çifut; pastaj kur takohet me Erdoganin kthehet përsëri mysliman. Kështu edhe me origjinën e Bashës. Në zgjedhjet lokale të 2011 ishte ‘tirons denbabaden’. Asnjë lidhje me hapësirën jashtë Unazës së Vogël. Pastaj ca kohë thoshte se ishte gjakovar; pastaj dibran; pastaj pejan. E tani, doli që qenka nga Hoti. Nuk e sqaroi a ishte nga Hoti si krahinë, apo nga fisi Hoti. Ndoshta do të dalë i afërm me Ukshin Hotin, që të duket i mençur dhe i penës. Jo për gjë, por ka shkruar edhe libër. Por ndryshe nga Ukshini, ky është ndër politikanët me fjalorin më të varfër. Edhe Bamir Topi ia kalon. Ndoshta do të na thotë se është edhe trim. I fortë. Çun garip. E, kur shfaqet si i fortë, të vë në siklet.
Nuk është hera e parë. Ngriti çadrën në vitin 2017, dhe i bënte si cub Ramës poshtë dritares. Pastaj shkoi dhe iu fut në shtrat. Në 2019 dorëzoi mandatet dhe kërcënoi se parlament nuk kishte më, por vendin e tij e zuri Kujtim Gjuzi. Bojkotoi zgjedhjet lokale dhe u përbetua se vetëm mbi trupin e tij po të kalonte Rama do të zhvilloheshin zgjedhjet. Rama jo vetëm që kaloi, por e shtypi si rul. Kërcënimi më i fortë ishte me emërimin e Fatmir Xhafajt, kur u shpreh se ‘vetëm po të kaloje mbi trupat tanë”, do të futet në Ministrinë e Brendshme. Xhafaj kaloi jo vetëm mbi trupin e Bashës, por edhe të Gridës, Ervinit, Joridës, Gazit. Dhe tani kur del dhe kërcënon vetë Sali Berishën, të vë në dilemë: të qash, të qeshësh apo të ulërasësh nga marazi. Tonet e forcës ngjajnë me ulërimat e dikujt që e ka zënë nata të vetëm në pyll dhe ulëret më të madhe jo për të trembur egërsirat, por për t’i larguar frikën vetes. Ndoshta për nga afërsia e mbiemrit, i duket vetja si pinjoll i derës së Balshajve të mesjetës. Dhe s’e ka keq. Në njërën anë ky, trim si Balshajt, në anën tjetër Skënderbeu i Elisës, s’ka armik që u del përpara.
Së dyti, përsëriti gjellën bajate se nuk do të lejojë një PD anti-amerikane. Korit të laraskave nuk iu mungojnë personazhet e mësipërme, shto dhe profesor Gjekmarkajn. Nuk e di për këta të tjerët, por për Bashën e di që është demokrati më pro-amerikan në vend. Madje më pro amerikan se të gjithë demokratët e marrë së bashku. Jo për arsye politike, as strategjike, as kulturore, as demokratike. Bashën me Amerikën e lidh Benjamin Franklin. Jo si njëri nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara, as si shkencëtar, as si shkrimtar, as si jurist, as si diplomat. Por për fytyrën e tij. Kur sheh fytyrën e Benjamin Franklin sytë i mbushen me lot, zëri i dridhet, dhe gjunjët e lëshojnë. Fytyra e Benjamin Franlkin është portreti në monedhën 100-dollarëshe. Gjashtëqind mijë demokratë, për Bashën nuk kanë as emër e as fytyrë. Për të, çdo demokrat është një Benjamin Franklin. Amerikanizmi i Bashës nuk shkon përtej tij.
Së treti, përsëriti idiotësinë se nuk do të lejojë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Statutin e PD-së e ka shkruar dhe miratuar vetë. Madje ka bërë veten Car. Por siç duket nuk i ka vajtur mendja se një ditë do të mblidheshin 80% e demokratëve dhe do ta shkarkonin. Nuk lejoj që të më shkarkojnë vetëm tre muaj pasi jam zgjedhur si kryetar. Do t’i shkojë mandatit katërvjeçar deri në fund. A thua se nuk është vetë ky që ngriti çadrën në mes të bulevardit dhe dogji vendin me Molotov vetëm se donte t’i ndërpriste mandatin përgjysmë Edi Ramës. Me Molotov bën, me votë në Kuvend nuk bën. Por, siç e ka shkruar e thënë edhe vetë Basha në statut, Kuvendi mblidhet e nuk pyet as kryetarin, as Kryesinë, e as Këshillin Kombëtar. Të thuash se nuk lejoj mbledhjen e Kuvendit, është si të thuash se nuk lejoj që të lindë dielli nesër. Kuvendi do mblidhet; Basha do shkarkohet; dielli do lindë përsëri; demokratët do vazhdojnë me jetën e tyre. Nëse Basha është prej Hoti, i penës dhe i pushkës, vendin e ka në Kuvend. Është i mirëpritur. Besoj se çdo demokrat do donte ta shihte në Kuvend. Kuvendi është për burra, e burrat e Hotit nuk i kanë bërë bisht kuvendit.