Radar
Luli i Republikës së Re/ “Të gjithë janë llum”
Në vitin 2017, në kohën që ishte në çadër në sheshin para Kryeministrisë, Lulzim Basha shpiku “Republikën e re”.
Me “Republikën e Re”, sipas Bashës do të ishte e pamundur që një qeveritar apo një kryeqeveritar që do guxonte t’i kryente vendit mënxyra, apo të qëndronte në fron, sepse Republika e Re do të kishte të gjitha instrumentat për ta rrëzuar për 24 orë cdo qeveri që do të tentonte të dilte mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin.
Por,tashmë Basha shfaqet me një tjetër qëndrim, në tentativë për të shpëtuar nga Republika e re, duke i cilësuar të gjithë si llum.
Kreu i PD-së në detyrë, Lulzim Basha, sot ka publikuar deklaratat e tij të bëra në Kuvend, në seancën plenare të javës së kaluar.
Sipas tij, nuk ka forcë që ta ndalë rrugën për ndryshim, kundër të gjitha pengesave, kundër status quo-së, për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, për çdo shqiptar.
Njëherësh Basha u është rikthyer edhe deklaratave për Republikën e re, slloganin e tij të famshëm.
“Llumi i tranzicionit është një dhe vetëm një, pavarësisht nëse buron nga një parti apo nga një parti tjetër. Pavarësisht se drekon apo darkon me të njëjtët oligarkë apo aktorë të krimit të organizuar dhe përpiqet të influencojë opinion publik përmes të njëjtave ekrane, ekraneve të kapura.
Është i njëjti llum dhe ka të njëjtat interesa, ju bashkojnë të njëjtat gjera, Status quo-ja. Dhe status quo-ja është kjo që të flisni për satelitë ndërkohë që njerëzit nuk kanë bukë për të ngrënë”, deklaron Basha.