Lidhu me ne

Temporal

Në Shqipëri ka vetëm një krizë, ajo e moralit

Nga Gjergji Koja

Prej disa ditësh Kryeministri Edi Rama ka marrë rolin e atij që del dhe njofton kataklizmonë. Shfaqet ku të mundet, flet si papagall, mundohet të fusë në panik sa më shumë që të mundet dhe tallet me cilindo që guxon të protestojë.

Pas tij shfaqet rivali për Kryeministër, i cili nxjerr nga sirtari një plan shpëtimi, e propozon, hedh akuza dhe mendon se e ka kryer detyrën.

Secili në rolin e tij, japin tablonë e një teatri me dy pjesë, ku njëri shfajëson veten dhe tjetri e fajëson, por edhe i jep një dorë, duke i legjitimuar krizën me paketën e propozimeve.

Teatri me dy pjesë mbyllet me një epilog, ku çuditërisht nuk shfaqet asnjë nga aktorët kryesorë, por në lojë hyn Erion Veliaj, Kryebashkiaku i Tiranës, që vendos të mbledhë në një mbrëmje çdo zyrtar të këtij vendi, përfshi edhe ato të drejtësisë së re.

Dhe këtu shtohen aktorët, që të lumturuar,  shfaqen si modele në një sfilatë, duke lënë mënjanë hallin e madh që ka zënë Kryeministrin, por edhe kandidatin për Kryeministër. Njëri mjaftohet me njoftimin se po i hyjmë një krize, të cilës i cakton edhe një afat, ndoshta për t´u dukur më i besueshëm, ndërsa tjetri e plotëson me propozimet për ta përballuar sa më lehtë.

Në fakt në Shqipëri ka vetëm një krizë, është ajo e moralit. Jo më e moralit politik, por e atij institucional, ligjor dhe njerëzor.

Morali ka humbur dhe siç duket do jetë e vështirë të rikthehet përsa kohë duken se të gjithë mekanizmat dhe aktorët që janë në skenë, janë të lidhur me fije të dukshme dhe të padukshme.

Deri para disa vitesh ishte kthyer në një justifikim të pandërprerë se gjërat nuk avanconin se drejtësia nuk godiste piramidën e sistemit të shtetit. Pastaj nisi të injektohej si serum ideja se sa të vinte drejtësia e reformuar, veçanërisht sa të formësoheshin dhe plotësoheshin institucionet e reja me 3 apo 4 gërma, dielli do të lindte ndryshe.

Në fakt dielli ka lindur njëlloj dhe sjellja e të rilindurve të drejtësisë, nuk është se ka ndonjë dallim nga ajo drejtësia që herë konsiderohej “djalli në djep” dhe herë etiketohej si “delja e zezë” nga një tufë delesh që nxinin më keq.

Ajo që ndodhi ishte thjesht ndryshimi i emrave nëpër zyra, ndryshimi i emërtimit të institucioneve dhe asgjë më shumë.

Vijoi i njëjti mentalitet dhe e njëjta frymë, i njëjti moral dhe ndoshta u shtuan dozat e frikës, për të prekur të paprekshmit. Vijat e kuqe mbetën aty ku ishin, pavarësisht se u dëgjua sa më shpesh fraza “nuk ka të paprekshëm”.

Drejtësia e re nuk ka bërë asgjë më shumë se ajo e mëparshme, madje po ta krahasosh me atë të para 1997 është shumë hapa pas.

Drejtorë e ish-drejtorë, bandit e grupe kriminale, punonjës administrate në nivele të ndryshme, janë goditur në çdo kohë. Madje që nga viti 1992. Dikush është dënuar për 5 mijë lekë, dikush për 100 mln lekë, dikush për trafik droge e të tjerë për vrasje. Ato bandat e 1997 u dënuan, njësoj sikundër sot me pompozitet thuhet se u dënua x apo y grup kriminal. Në atë kohë nuk kishte asnjë ambasador që shfaqej për të përshëndetur ato prokurorë dhe gjyqtarë, ndërsa harxhonin kohën në zyrat e politikës.

Ajo drejtësia e vjetër, madje e para 1997,  çoi në burg edhe ish-Kryeministra, ish-ministra, ish-guvernatorë, ish-drejtorë e ish-zv.ministra, ish-bllokmenë të sistemit diktatorial, pavarësisht se  një pjesë e tyre u dënuan për kafe e abuzime me ndihmat.

Dhe për këta ithtarët e sotëm të sistemit kroat, që përmendin dënimin e një ish-Kryeministri,  Shqipëria e dënoi një të tillë që në 1993.

Sot drejtësia e re se ka kapur ende atë nivel hierarkik, edhe pse të paktën publikisht ka një suport që kurrë më parë nuk e ka pasur asnjë institucion i drejtësisë apo drejtues i tyre.

Por kjo duket se është e pamjaftueshme në një vend që ka humbur morali.

Nëse këta të reformuarit e drejtësisë do të luanin atë rolin për të cilën u vendosën, sot duhej të ishin në syrin e ciklonit, nga ata që mbajnë veshur petkun e zyrtarit të lartë dhe jo të ftuarit e parë të mbrëmjeve, qofshin ose jo me prani ambasadorësh.

Të paktën, në mos do të frikësonin, do të kishin nxehur ose do ti grricnin nervat, do të linin pa gjumë, këdo që shtoi pasurinë frikshëm, ndonëse kur i hyri rrugës politike as këpucë nuk kishte, ose deklaronte se shpenzimet e tepërta ia kishin siguruar kursimet e prindërve.

Por jo, as kjo nuk ndodh, sepse edhe këta që u shitën si supermenë dhe që vetting i nxori me duart më të bardha se akullorja, po shfaqen më të frustuar se ata që u quajtën “dele të zeza”.

Nuk është çështje mbështetjeje, as trimërie, as financimi, është çështje morali. Dhe moralin nuk ta injekton dot askush, qoftë ambasador, qoftë qytetar, apo qoftë edhe një popull që shpresonte ndoshta se atë besimin e humbur do ia kthenin.

Drejtësia e re ashtu edhe ajo e vjetra, që thuhet se “u shemb” është pjesë e të njëjtit mekanizëm që mban në këmbë këtë sistem të kalbur vlerash dhe parimesh. Madje janë aq të ngjashëm sa duken edhe në pamje njëlloj me ata që zëvendësuan në zyra.

Secili prej tyre mundohet të mbajë njëri-tjetrin, jo se e duan, por sepse ata e dinë se një hallkë e zinxhirit po të këputet, shkërmoqen të gjitha hallkat e tjera.

Kjo është mendësia që kanë, sepse ata ishin pjesë e atij sistemi, ku vegjetuan me vite e vite, duke qëndruar edhe në hije, mbase për mungesë guximi, ose paaftësish.

Dhe ndoshta sot edhe ambasadorët mund të jenë dorëzuar, mund kënaqen kur thuhet se u kap një ish-drejtor apo u godit një grup kriminal, mund të ulen të bëjnë edhe bilancin si llogaritar të pasurive te sekuestruara, dhe t´i paraqesin si sukses.

Në fakt do jetë një betejë e humbur, përsa kohë nuk do të zgjidhet kriza e moralit.

MË TEPËR

Mix2 javë më herët

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk, i ka bërë thirrje publikut që të ndalojë së dhuruari për ‘enciklopedinë’ e internetit Wikipedia, duke e akuzuar...

Mix2 javë më herët

Si e dekoroi Kendall Jenner shtëpinë për Krishtlindje

Dashuria e Kendall Jenner për Krishtlindjen vjen nga nëna e saj Kris Jenner. “I jap shumë meritë nënës sime për...

Radar2 javë më herët

“Na duhet aleancë kundër krimit, korrupsionit, drogës dhe mafias. Në Itali nuk e bëri veç drejtësia”

Dom Gjergj Meta “Duhet të bëjmë një aleancë qytetare kundër krimit, korrupsionit dhe mafies”. Kështu u shpreh Dom Gjergj Meta,...

Radar2 javë më herët

Ekonomia po rritet pa konsum

Në 3-mujorine e tretë, kur turizmi ishte në kulmin e tij konsumi final i popullatës u rrit me vetëm 0.8...

Mix2 javë më herët

VIDEO: Kërcimi viral i Donald Trump për Krishtlindje

Donald Trump priti Krishtlindjet në pronën e tij në Mar -a – Lago ku mblodhi familjen e madhe. Show-n e...

Mix2 javë më herët

Sam Altman kundër Elon Musk: “ai është një bullizues, i pëlqen të debatojë me njerëzit”

Dihet mirë se marrëdhëniet mes Sam Altman dhe Elon Musk nuk janë idilike dhe përgjigja e OpenAI për Musk e...

Mix2 javë më herët

“La Palma”: Seriali i ri në Netflix që po thyen rekorde shikueshmërie

Shikuesit besnikë të Netflix janë shumë të emocionuar për serialin e ri “La Palma”, i cili përshkruhet nga shumë njerëz...

Mix2 javë më herët

100 christmas wishes for friends and family

Best Christmas Wishes, Sayings and Greetings To Write in Christmas Cards 1. Merry Christmas! I hope you receive one blessing after...

Mix2 javë më herët

Krishtlindje: sugjerime filmash për një atmosferë magjike!

Krishtlindjet janë koha e përsosur për të shijuar disa filma klasikë që përcjellin mesazhe të ngrohta, dashurie dhe miqësie. Filmat...

Radar2 javë më herët

Presidenti Donald Trump do të përballet me një Phenian ndryshe gjatë mandatit të dytë!

Në mandatin e tij të parë si President i Shteteve të Bashkuara, Donald Trumpi forcoi sanksionet ekonomike kundër Koresë së...

Facebook