Kryesore
Berisha: Mediat e qeverisë po mbrojnë Bashën, pengun e Ramës
Ish kryeministri Sali Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama se po përdor mediat e tij për të mbrojtur kreun e PD, Lulzim Basha.
“ Hidhuni një sy ekraneve, e gjithë propaganda e qeverisë është lëshuar në mbrojtje të pengut të saj. Të gjitha tezat janë se këta demokratët nuk duhet të votojnë, se s’ka rëndësi vota, se nuk kanë rëndësi forumet e tyre, anëtarësia, s’ka rëndësi statuti, parimet. Por ne jemi këtu për t’u ngritur dhe rivendosur PD-në edhe njëherë në këmbë, për ta ringritur atë ashtu siç e themeluam.
Përpara vitit 2013 bëhej votim i hapur, respektoheshin ato që shpalleshin. Kryeministrin e zgjodhëm me dy kandidatura, kryetarin e Parlamentit mes Arben Imamit dhe Pjetër Arbnorit, ministrat i votonim në Kryesi, Këshilli Kombëtar mblidhej periodikisht dhe bënte analizën e punës së tyre. Kurrë s’ka ndodhur përveçse tani që rivali i kryetarit të përzihet nga kryesia.
Çdo rival i kryetarit, n.q.s nuk zgjidhej kryetar, mbetej anëtar i Kryesisë së partisë, kurse tani kaluam nga një largim në një largim tjetër dhe e vërteta është se partia u rrudh në mënyrën më të pamerituar”, deklaroi Berisha nga ‘Foltorja’ e mbajtur në Elbasan.