Kryesore
Sondazhi/ Demokratët duan Berishën në krye të PD
Shumica e demokratëve kundër përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar
Nga Exit News
Sondazhi i zhvilluar nga Euronews Albania përgjatë muajit shtator tregoi se vendimi i kreut aktual të PD-së, Lulzim Basha për përjashtimin e ish-liderit Sali Berisha nga grupi parlamentar nuk rezulton popullor mes demokratëve.
Vetëm 23.3% e votuesve të PD-së përkrahin vendimin e Bashës, përkundër 57.8% e votuesve të pyetur të cilët janë shprehur kundër vendimit.
Përjashtimi i Berishës nga grupi parlamentar ka siguruar më shumë mbështetje mes popullsisë së gjerë, ku mbështetja llogaritet sa dyfishi i mbështetjes brenda PD-së, me rreth 46% të respondentëve që bien dakord me vendimin. Në të njëjtën linjë, vetëm 28.4% e respondentëve ishin kundër një vendimi të tillë.
Por, nga ana tjetër, ka më tepër konsensus mes votuesve të PD-së dhe popullsisë së gjerë mbi ekzistencën e mundshme të një pakti Basha-Rama, tezë e artikuluar pikërisht nga ish-kreu Berisha.
Më pak se 1 ne 5 qytetar dyshon mbi ekzistencën e një pakti mes Ramës dhe Bashës, ndërsa pjesa më e madhe, 42.7%, mendon se pakti nuk ekziston.
Brenda PD-së kjo tezë ka me tepër mbështetje, me 23% të votuesve të saj që e shohin si të mundshme, përkundër 35.2% që mendojne se nuk ka një pakt. Ndërkohë, pjesa më e madhe e votuesve të PD-së të pyetur, 42.2%, janë indiferent ndaj akuzës.
Ekspertët që komentuan shifrat në emisionin Barometri deklaruan se plani i Bashës “për të vrarë” Berishën ka dështuar dhe madje, duke parë përmbysjen e raporteve të popullaritetit të të dyve, ka sjell pasoja vetvrasëse.
Sodazhi: Berisha rezulton më popullor se Basha
Në një sondazh të kryer përgjatë muajit shtator nga Euronews Albania mes votuesve të PD-së, rezultoi se popullariteti i liderit të vjetër Sali Berisha qëndron në kuota më të larta se popullariteti i liderit aktual, Lulzim Basha.
Sondazhi u zhvillua, mes të tjerave, për të kuptuar ndjeshmërinë e mbështetësve të Partisë Demokratike në lidhje vendimin e Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar dhe fillimin e takimve të “Foltores” nga ana e këtij të fundit.
Nga sondazhi rezultoi se Basha rezultonte popullor mes 56.5 % të respondentëve, ndërsa Berisha rezultoi popullor mes 64.5% e respondentëve.
Ndërkohë, të dhënat e sondazhit të zhvilluar para vendimit të Bashës tregonin një rezultat të përmbysur. Sondazhi i mëparshëm tregonte një popullaritet prej 67% të votuesve të PD-së për Lulzim Bashën dhe 56% për Berishën.
Përplasjet e fundit mes udhëheqësve të PD-së kanë bërë që Berisha të fitojë një mbështetje prej 8.9% mes demokratëve, teksa Basha ka humbur 10.3% të tyre.
Kjo përmbysje u reflektua edhe në nivelin e popullaritetit mes popullsisë së gjerë, ku Berisha shënoi rritje në popullaritet nga 19.4% që ishte një muaj më parë në 28.6% aktualisht.
Kryedemokrati Basha ka pësuar një humbje të lehtë të popullaritetit, duke rënë në 23.9% në popullaritet krahasuar me 25.6% që ishte një muaj më parë.
Ekspertët në panel vlerësuan se popullariteti i përgjithshëm i të dy liderave ishte gjithsesi në nivele të ulëta.
Përsa i përket rritjes së popullaritetit të Berishës përtej bazës së PD-së, disa ekspert vlerësuan se kishte të bënte më tepër me riangazhimin e tij politik brenda PD-së, se sa me vendimin e Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar.