Kryesore
Rama nuk i ndahet propagandës/ Replika me qytetarët, tenton të justifikojë dështimin
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me nxënësit tek shkolla “Ismail Qemali”.
Takimi është publikuar edhe në faqen zyrtare të kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale, ku bashkëngjitur ai shkruan “Konsultimi publik me nxënësit dhe studentët e të gjithë Shqipërisë, për Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë (2022-2029), do të prodhojë në bashkëpunim me më të rinjtë një dokument pune dhe angazhimesh konkrete të institucioneve kombëtare e vendore, në funksion të fuqizimit të rinisë shqiptare”.
Por, ajo që bie në sy, pas publikimit të videos, është debati që Rama ka bërë me komentuesit.
Mesa duket kryeministri i ka “mbaruar” të gjitha punët dhe ka pasur mjaftueshëm kohë, të replikojë me komentuesit.
“Mos prisni zgjidhje apo reforma e plotësime kërkesash se ministrja dhe Edua kanë ardhë të konfirmojnë se sa do ta mbështesni Rilindjen.
Po u bëni shpëlarje truri rinisë, po i vaksinoni me zor .
Mandati i tretë dhe shkollat janë drejt mbylljes nga mungesa e nxënësve, laboratorët në shumicen e shkollave janë formalë.”-shkruan një qytetar.
Ndërsa Rama në përgjigjen e tij ka tentuar të justifikohet, por duke pranuar një tjetër dështim të Qeverisë së tij, mësimin me dy turne.
“Në fakt jo, shkollat janë me nxënës dhe në disa shkolla bëhet akoma mësim me turne sepse duhen ndërtuar akoma shkolla të reja, ndërsa mbështetjen për Rilindjen do ta konfirmojmë në vitin 2025, tani jemi në punë për mandatin që sapo morëm”-i është përgjigjur Rama.
Ndërsa një tjetër qytetar shkruan “Rritja e çmimeve ku do shkojmë ne pensionistët. në varr shkoftë gjithë politika e hajdutave….”.
Por edhe në këtë rast Rama ka tentuar të justifikohet, se ai nuk ka faj, por se fajin e kanë “tregjet botërore”.
“Çmimet nuk kanë lidhje me politiken po me tregun e lire sepse nuk jemi në komunizëm kur çmimet i vendoste shteti dhe kur çmimet rriten kudo në të gjithë planetin, nuk ka se si të ulen në Shqipëri, jo se s’do politika po se ky është sistemi i ekonomisë së tregut!”-shkruan Rama.
Gjithashtu një tjetër qytetar shkruan “Boll mor burr, boll! Ti po i ben hallall, por ditë për ditë ky avaz . Mërziten njerezit që nuk kanë bukë në shtëpi, dhe më beso që ka shume. Shiko detajet tani, ju ka ardhur Koha. Kuptomë!”.
Ndërsa përgjigja e kryeministrit është se shqiptarët kanë bukë. Kaq mjafton mesa duket për kreun e Qeverisë.
“Për cilin avaz e ke fjalën i dashur Leon dhe sa për bukën, shqiptarëve buka nuk u ka munguar as në kohët më të zymta të historisë së tyre, kështu që ndjesë po komunikimi me njerëzit është detyre e imja dhe nuk quhet avaz po quhet bashkëjetesë demokratike!”-i është përgjigjur Rama.