Radar
“Kompania fsheh qëllimisht informacione të rëndësishme”, Mark Zuckerberg reagon pas akuzave të ish-menaxheres së Facebook Frances Haugen
“Kompania fsheh qëllimisht informacione të rëndësishme”, Mark Zuckerberg reagon pas akuzave të ish-menaxheres së Facebook
Një ish-punonjëse e Facebook deklaroi përpara ligjvënësve amerikanë se faqet dhe aplikacionet e kompanisë dëmtojnë fëmijët nxisin ndarjen dhe dobësojnë demokracinë në Shtetet e Bashkuara.
Ish menaxherja Frances Haugen, e cila tashmë po bashkëpunon me autoritetet lëshoi akuza të rënda ndaj kompanisë gjatë një seance dëgjimore në Capitol Hill. “Kompania fsheh qëllimisht informacione të rëndësishme nga publiku, nga qeveria amerikane dhe nga qeveritë në të gjithë botën. Një kompani me një ndikim kaq të tmerrshëm mbi kaq shumë njerëz – në mendimet, ndjenjat dhe sjelljen e tyre më të thellë, ka nevojë për mbikëqyrje të vërtetë”, tha ajo.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i themeluesit të kompanisë, Mark Zuckerberg i cili u shpreh se dikush po përpiqet të ofrojë një pamje të rreme të Facebook. Në një letër drejtuar stafit, ai shprehet se shumë nga pretendimet nuk kanë kuptim, duke treguar përpjekjet në luftimin e përmbajtjeve të dëmshme, krijimin e transparencës dhe krijimin e një programi kërkimor drejtues në industri për këto çështje të rëndësishme. “Ne kujdesemi shumë për çështje si siguria, mirëqenia dhe shëndeti mendor. Është e vështirë të shihet një mbulim që keqpërfaqëson punën tonë dhe motivet tona”, shkruan Mark Zuckerberg.
Facebook është faqja më popullore e mediave sociale në botë. Kompania ka 2.7 miliardë përdorues aktivë. Qindra miliona njerëz përdorin gjithashtu produktet e tjera të kompanisë, përfshirë WhatsApp dhe Instagram.