Kioske
Thirrje / Në Shqipëri duhen mbyllur burgjet
Nga Erjon Saliasi
I dashur Podiumi !
Po të shkruaj një letër duke qenë se je media, dhe duke qene se je mik i imi.
Tema është e thjeshtë.
Le të quhet thirrje.
Dua të vijoj në linjën e burgimeve që janë bërë publike kohët e fundit, por vlen edhe për burgimet në përgjithësi.
Bëj thirrje që të hiqen burgimet. Mendoj që në Shqipëri, në mëmëdheun tonë të dashur, njerëzit sidoqoftë në burg janë. Madje burgje brenda burgut shtohen dita ditës.
Shumë gjëra s’je i lirë t’i bësh. Çmimet, pagat, kushtet, etj. bëjnë që të mos lëvizësh i lirë. Jo si në burg, në qeli, por thuajse ashtu, në qelinë e ngushtë të ekonomisë, gjenden gjithë shqiptarët.
Si në k’të burgun figurativ, si në atë me kuptimin e parë, njësoj është. Jeta në Shqiperi është zaten burg!
Ndaj, bëj thirrje të hiqet burgimi si masë.
Por më e keqja, more Podiumi, është se ashtu si në burgjet e vërteta ku për sjellje të mirë të nxjerrin nga burgu, edhe në burgun Jetë, po u solle mirë të nxjerrin.
Të jesh i mirë në jetë, d.m.th të bëhesh potencialisht viktimë.
Të vrasin, Podiumi. Të nxjerrin jashtë Jetës. Për sjellje të mirë…