Letersi
Letër e Don Kishotit të Mançës Dylqinjës së Tobozës
Servantes- Don Kishoti i Mançës (fragment)
(Përktheu Fan. S. Noli)
Letër e Don Kishotit të Mançës
Dylqinjës së Tobozës
Zonjë e lartë dhe sovrane!
I plagosuri prej kamës së largimit dhe i zemërçjerruri prej shigjetave të dashurisë, o fort e ëmbël Dylqinjë e Tobozës, të uron shëndetin, të cilin ai nuk e ka. Në qoftë se bukuria jote më përbuz dhe fisnikëria jote s’më favorizon, dhe mospërfillja jote më tortyron akoma, atëherë, ndonëse jam i stërvitur në vuajtjet, prapë nuk do të jem i zoti të duroj këtë qeder, i cili është jo vetëm i fortë, po edhe i paprerë. Sançoja, shqytari im i mbarë, do të të japë një raport të plotë mbi hallin, në të cilën katandisa nga shkaku yt, o e bukur mosmirënjohëse, o e dashura ime armike. Në daç të më ndihësh, jam i yti e, në mos, po bëj si të të dojë qejfi, se do t’i jap fund jetës sime dhe kështu do të kënaq zemërgurërinë tënde dhe dëshirën time.
Yti gjer në vdekje
KALORËSI I FYTYRËS SË VREROSUR
(f. 222, Botimi II, 1977)
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu