Radar
Pfizer më e përdorura në Europë/ Shtetet e BP me ritëm të ngadaltë vaksinimi, vendet që kryesojnë
Vendet e Ballkanit Perëndimor rezultojnë me ritëm më të ngadaltë vaksinimi, krahësuar me shtetet e tjera të Europës. Më pak se gjysma e popullsisë është vaksinuar të paktën me një dozë apo dozat e plota.
Serbia ka nivelin më të lartë, pasi ka vaksinuar të paktën 40% të popullsisë, ndërsa në fund të listës qëndron Bosnjë Hercegovinë me 13% të popullsisë vaksinuar plotësisht.
Kështu raporton “Open Data Albania”, ndërsa shton se Shqipëria ka vaksinuar plotësisht 25% të popullsisë dhe me një dozë 32% të saj. Në vendin tonë janë aplikuar dy nga vaksinat e njohur nga EMA, Pfizer dhe AstraZeneca, si dhe dy vaksina të tjera, Sptunik V dhe Sinovac.
Referuar të dhënave deri me datë 17 shtator, “ODA” thotë se vaksina e përdorur më së shumti kundër Covid 19 në Europë rezulton Pfizer, pasi 70% e dozave totale të shpërndara janë nga kjo vaksinë.
Ndërkohë 14% rezultojnë nga Astrazeneca, 13% nga Moderna dhe vetëm 3% Johnson and Johnson . Në vendet e Zonës Ekonomike Europiane janë shpërndarë në total 676 milion vaksina anticovid.
Gjithashtu konstatohet se shumica e shteteve të analizuara po përdorin vaksinat e pranuar nga EMA, përveç Hungarisë dhe Sllovakisë, të cilat kanë aplikuar dhe vaksina të tjera.
Në BE, Mbi 71% e popullsisë mbi 18-vjeç është vaksinuar plotësisht. Shteti që ka ecur me ritmet më të larta është Islanda me 90.5% të popullsisë të vaksinuar.
Më pas renditet Irlanda, Malta, Danimarka, Portugalia, Belgjikë, Norvegji, Spanjë dhe Francë, ku secila ka vaksinuar plotësisht mbi 80% të popullsisë.
Shtete që rezultojnë me progres jo shumë të lartë në vaksinim janë Bullgaria, Rumania, Letonia dhe Kroacia. Ndërsa shtetet e tjera kanë vaksinuar të paktën gjysmën e popullsisë.