Radar
Albin Kurti: Nga 1 tetori arsimi i lartë në Kosovë do të jetë falas
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Nga 1 tetori, arsimi i lartë në Kosovë do të jetë falas. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti përmes një komunikimi për mediat.
Ai tha se duke nisur nga ky vit akademik, studimet për sistemin bachelor dhe master do të jenë falas, ndërsa për doktoraturën do të ketë lehtësime.
Ky vendim, sipas Kurtit, nxit interesin për studime të larta dhe ndikon në zhvillimin e kapitalit njerëzor të Kosovës.
“Nga 1 tetori i këtij viti, duke filluar prej vitit akademik 2021/2022, arsimi publik në Kosovë do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që do të studiojnë bachelor dhe master.
Kurse për doktoratë do të ketë lehtësira. Ne besojmë që në këtë formë nxisim interesimin për studime të larta, duke përmirësuar kësisoj nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë dhe duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor e që është parakusht për zhvillim ekonomik e progres njerëzor”, ka thënë Kurti.