Temporal
Fati i Berishës ndërroi në Majin e vitit 2017, tani thjesht u jetësua
Nga Ben Andoni
Për hir të së vërtetës, fati i Berishës u paracaktua, me sa duket, qysh në mesnatën e mes-Majit 2017, kur Rama e Basha, dy kryetarët e PS dhe PD, partive të mëdha, në bisedimet e tyre kokë-më-kokë i shkuan një hullie, pasojë e të cilave ishte marrëveshja politike e pafirmuar, që po e shohim të zbardhur për çdo ditë. Asokohe, pas një krize të madhe artificiale politike disa javore, kjo ishte oferta më e mirë që mund ta çlironte disi tensionin politik të atij viti, krijuar nga PD. Në takimin “e beftë” të kryetarëve, që dukej se ishte përgatitur më parë, gjërat ishin të ditura. Ndaj, kur dolën jashtë Kryesisë së Kuvendit patën shumë pak gjëra të ndanin. Basha nuk ishte më ai i ashpri, që nuk e pranonte kryeministrin Rama për asgjë dhe e sulmonte me çdo gjë. Kurse Rama doli disi i zvogëluar dhe me duar në xhepa, por dukshëm i rehatuar që ia hodhi paq.
Qysh më 17 Maj 2017, fati i Berishës dukej i paracaktuar. Nga ajo ditë, Edi Rama është forcuar në PS dhe ka fituar siguri të madhe nga pohimi nënzë i Bashës për largimin e Berishës, kurse PD-ja u eklipsua pak e nga pak nga të zgjedhurit rishtarë të kryetarit demokrat, duke e përdorur kinse forcën dhe ndikimin e Berishës. A i kishte mesazhet e caktuara Berisha…? Mbase jo mesazhet por paralajmërimet, po. Fill pas disfatës së PD-së në zgjedhjet parlamentare të 2017, Sali Berisha me nuhatjen dhe logjikën e tij e akuzoi dhe e përfoli këtë fushatë të Lulzim Bashës, ndërsa i konsideroi këshilltarët e tij si mizerabël. Analisti Shaban Murati mendon dhe e përcakton këtë takim si “Trieste 3”. “Kjo është marrëveshja e fshehtë kokë më kokë midis kryetarit të PS, Edi Rama, dhe kryetarit të PD, Lulzim Basha, në maj 2017 për qeverisjen e përbashkët të përkohshme dhe për amnistimin penal të korrupsionit të zyrtarëve të qeverisë demokrate të Sali Berishës”, shprehet ai. Marrëveshja nuk iu raportua kurrë e plotë partive respektive dhe e përsërisim nuk është zbardhur kurrë.