Lidhu me ne

Radar

DW: Pse Angela Merkel përzgjodhi Beogradin dhe Tiranën për vizitë lamtumire?

Kancerlarja Angela Merkel do të qëndrojë sot dhe nesër (13-14.09) në vizitë lamtumire në Ballkanin Perëndimor. Interesante është që ajo ka zgjedhur të vizitojë vetëm Beogradin dhe Tiranën. Po pse?

Turneu i lamtumirës i kancelares gjermane Angela Merkel në Ballkan dhe zgjedhjet e ardhshme në Gjermani kanë zgjuar interesim të madh në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shumica e vendeve në Ballkanin Perëndimor kanë synime dhe probleme të ngjashme: anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), e në të njëjtën kohë edhe një mori sfidash të brendshme, nga ato ekonomike, korrupsioni, mungesa e reformave dhe tensionet ndëretnike. Ndaj politikat e Gjermanisë dhe BE-së reflektohen fuqishëm edhe në çështjet e brendshme në Serbi dhe vendet e tjera të BP. Tani po analizohet atje se çfarë do të thotë për rajonin largimi nga skena politike i kancelares Angela Merkel dhe nëse mund të pritet ndonjë ndryshim i rëndësishëm në politikën gjermane dhe evropiane.

Kur bëhet fjalë për Serbinë në veçanti, Gjermania nuk është vetëm një nga partnerët më të rëndësishëmekonomik, por edhe një vend, zëri i të cilit shihet si vendimtar për procesin e integrimit evropian. Kësaj duhet t’i shtohet me siguri një notë personale që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka futur në raportet e tij me kancelaren Angela Merkel, gjë që opozita e ka kritikuar shumë shpesh.

Një pjesë e opozitës serbe beson se Angela Merkel, me qëndrimin e saj dashamirës ndaj Aleksandar Vuçiqit dhe lëvizjet e tij autokratike, e bëri luftën politike të opozitës edhe më të vështirë për ndryshime dhe kjo favorizoi Partinë Përparimtare të Serbisë në pushtet (SNS).

Intersat gjermane

Ndaj nuk befason që kureshtja në Beograd lidhur me zgjedhjet parlamentare në Gjermani është e kuptueshme, thotë për DW Marko Savkoviç nga Fondi për Përsosmëri Politike. “Por duhet të presim pak deri në formimin e qeverisë së re dhe të shohim nëse do të ndryshojë diçka në politikën ndaj Serbisë dhe ndaj Ballkanit në tërësi.

Savkoviç shton se “duhet analizuar nëse interesat gjermane në rajonkanë ndryshuar. “Sipas mendimit tim, nuk kanë ndryshuar, sepse Gjermania është ende e interesuar për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm, i cili nuk prodhon probleme. Ajo është e interesuar për një Ballkan ku rruga e emigrantëve është nën kontroll, e në të njëjtën kohë ka dhe një rritje të lartë të pranisë ekonomike gjermane në Serbi. Mendoj se ky do të mbetet prioritet edhe në të ardhmen”, thotë bashkëbiseduesi ynë.

Mbështetja lamtumirëse e Vuçiçit

Takimet me kancelarin austriak Sebastian Kurz, si dhe bisedimet në Beograd me Përfaqësuesin e Lartë në Bosnjë-Hercegovinë, Christian Schmidt, mund të shihen si një lloj përgatitjeje për vizitën dhe bisedimet me kancelaren Angela Merkel në Beograd. Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështjet Evropiane thotë për DW: “Angela Merkel po vjen për të bërë një vizitë lamtumire pak para zgjedhjeve në Serbi për të mbështetur përsëri Aleksandar Vuçiqin. Prania e saj do të përdoret nga presidenti serb për të treguar se ka mbështetje nga Perëndimi. Do të përdoret për fushatë zgjedhore në Serbi”, thotë Beshiri.

Drejtori i Institutit për Çështjet Evropiane beson se “nuk do të ketë ndryshime tektonike në politikën gjermane ndaj Serbisë, përveç se tani vendet e BE-së do të bëhen më të vetëdijshme, se partia SNS dhe lideri i saj, presidenti Aleksandar Vuçiq, nuk i kanë përmbushur premtimet dhe marrëveshjet e arritura mes tyre në nëntë vitet e fundit”.

“Gjatë kësaj kohe Angela Merkel besonte se stabilokracia ishte më e rëndësishme sesa situata e brendshme në Serbi, duke pritur që çështja e Kosovës të zgjidhej njëherë e përgjithmonë, por as kjo nuk ndodhi”, thotë Beshiri.

Marko Savkoviç gjithashtu e sheh takimin me Christian Schmidt si një përgatitje për vizitën e Merkelit dhe shton se “Vuçiqi e priti Schmidtin brenda një dite dhe mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, në të cilën ai u përpoq të distancohej nga disa politika në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Besoj se edhe në Berlin e kuptojnë si problematike idenë e të ashtuquajturës botë serbe”, thotë Savkoviç.

Po largohet mbështetësi i Vuçiçit në BE?

Çështja kryesore pas largimit të Angela Merkelit është nëse, dhe në çfarë mase, do të ndryshojë qëndrimi i BE-së ndaj Serbisë, veçanërisht ndaj qeverisë së Aleksandar Vuçiçit. Ekziston një besim i fortë në Serbi, se Merkeli ishte mbështetja kryesore e Vuçiçit në BE dhe se në këto kushte ishte e vështirë të bësh një luftë të barabartë politike me Vuçiçin në Serbi.

Marko Savkoviç vlerëson se “kjo marrëdhënie shpesh thjeshtohet, por ky besim është në thelb i vërtetë. Vuçiçi me qëndrimin konstruktiv ndaj Kosovës në vitet e para të pushtetit, dhe veçanërisht me qëndrimin e tij gjatë krizës së refugjatëve, e ka futur në borxh Merkelin. Vuçiqi vazhdimisht thekson se ajo ia ktheu këtë shërbim duke e mbështetur Serbinë. Fakt është që takimet mes tyre janë rralluar në disa vitet e fundit, ndaj mendoj se kjo vizitë mund të konsiderohet si një mbështetje e qartë e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor”, tha Marko Savkoviç.

Por Bashkimi Evropian nuk është një krijesë homogjene, nënvizon Naim Leo Beshiri. “Shumica e vendeve të BE-së ishin kritike ndaj asaj që po ndodhte në Serbi, por Gjermania shpesh i qetësonte këto zëra kritikë, sepse vendosi stabilitetin e rajonit në vend të parë”. Sa i përket opozitës serbe, ajo nuk ofroi asgjë të re kur është fjala për Kosovën ose Bosnjë-Hercegovinën, dhe përveç kësaj ata ishin shumë kritikë ndaj disa kërkesave për reforma që vinin nga BE. Prandaj nuk është për t’u habitur që asnjë mbështetje serioze për opozitën në Serbi nuk erdhi prej andej”, thotë Beshiri.

Opozita duhet të jetë më e kujdesshme në vlerësimet e saj, shton Marko Savkoviç, “sepse një Gjermani demokratike do t’i nevojitet çdo aktori politik në Serbi”.

Duhet të nënvizojmë se Gjermania është një nga vendet që dëshiron të dëgjojë argumentet e opozitës, të cilat janë shumë të forta, kur bëhet fjalë për gjendjen e demokracisë në Serbi. Prandaj është e nevojshme që ata të veprojnë në mënyrë proaktive ndaj qeverisë së re gjermane, kushdo që fiton pushtetin”, thekson bashkëbiseduesi ynë.

Pse pikërisht Tirana dhe Beogradi?

Fakti që Angela Merkel do të vizitojë vetëm Beogradin dhe Tiranën gjatë turneut lamtumirës në Ballkan ka ngritur pyetje të shumta, para së gjithash pse u zgjodhën pikërisht këto qytete?

“Më duket se Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama i duken Merkelit si fëmijët e saj të dashur në Procesin e Berlinit, të cilin ajo nuk ka arritur ta realizojë në tërësi. Kam frikë se largimi i saj nga skena politike do të jetë edhe fundi i Procesit të Berlinit, i cili kurrë nuk u konceptua si zëvendësim i anëtarësimit në BE, por si një motor rajonal i reformave, i cili më pas do të çonte në anëtarësimin në BE”, thotë për DW, Naim Leo Beshiri.

Marko Savkoviq pohon se “është e vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, sepse ka mundur të përzgjidhet edhe Bosnjë-Hercegovina, e cila është në një krizë të përhershme”. Interesate është që Merkel nuk do të shkojë as në Kosovë. Nuk besoj se ky është distancim ndaj Kurtit, por interesante është që ajo nuk po shkon atje. Në fund, nuk e di pse ajo nuk po shkon as në Maqedoninë e Veriut, e cila është shtyrë pa meritën e saj në fund të listës së vendeve për integrim evropian”, konstaton Savkoviq./DW

MË TEPËR

Mix26 minuta më herët

Rezultatet zyrtare: Ja sa banorë ka Kosova në vitin 2024 ?

Në Kosovë jetojnë 1,602,515 banorë. Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Agjencisë të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati,...

Mix4 orë më herët

“Kush guxon të flasë kundër sistemit e pëson” – Influencerit Andrew Tate i sekuestrohen 3.4 milionë dollarë

Policia britanike mund të sekuestrojë afro 2.7 milionë paund (3.4 milionë dollarë) nga influenceri AndrewTate dhe vëllai i tij Tristan...

Radar4 orë më herët

Mandarina shqiptare bllokohet nga BE

Sistemi Europian i sigurisë ushqimore ka ngritur alarm ndaj ngarkesave me mandarina që vijnë nga Shqipëria. Përgjatë javëve të fundit, Kroacia,...

Mix4 orë më herët

VIDEO/ Parashqevi Simaku shfaqet me një pamje të tjetërsuar, çfarë surprize po përgatitet?

Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, ka rrëmbyer vëmendjen e medias dhe të qytetarëve. Tashmë videot e saj janë virale...

Mix4 orë më herët

Video / Donald Trump shfaqet me model të ri flokësh

Një video që tregon presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, me një model flokësh dukshëm të ndryshëm, është bërë...

Radar4 orë më herët

Evi Kokalari hedh dyshime: Gjithë historia e Parashqevi Simakut, është inskenuar nga Fevziu dhe Elton Ilirjani

Evi Kokalari ka reaguar për videon virale të këngëtares Parashqevi Simaku, e cila më pasu u kthye në temë e...

Radar4 orë më herët

Lufta e Tretë Botërore ka nisur, ajo po zhvillohet në Ukrainë!

Shkruar nga Eva Hartog Sot, trupat në të dyja anët e vijës së konfliktit komunikojnë në spanjisht, nepalisht, hindu, somalisht,...

Mix1 ditë më herët

Këto janë 3 shenjat më “tradhtare” të Horoskopit

A duhet të mos u besoni? Në internet qarkullon një studim sipas të cilit këto janë shenjat “që mund të...

Radar1 ditë më herët

Humbëm të gjithë nga pak në cirkun e klikimeve

Zallamahia që pushtoi hapësirën virtuale të shqiptarëve kudo ku jetojnë ka nisur të bjerë, dhe kur të jetë shuar përfundimisht,...

Mix1 ditë më herët

Nëse hani shumë sheqer, më shumë do vuani nga depresioni!

Një studim i botuar në Journal of Translational Medicine zbulon se konsumi më i lartë i sheqerit lidhet me një...

Facebook