Kryesore
U gjobit nga Shullazi. Reagon Shefqet Kastrati: Gënjeshtër
Përplasje mes organit të Prokurorisë dhe kompanisë Kastrati Group. Kjo, pas publikimit nga ana e Prokurorisë të emrave dhe bizneseve që u gjobitën nga Emiljano Shullazi. Mes tyre bënte pjesë edhe administratori i një prej kompanive më të mëdha të hidrokarbureve në Shqipëri, Shefqet Kastrati i “Kastrati Group”.
Por i menjëhershëm është reagimi i Presidentit të kompanisë i cili hedh poshtë të jetë gjobitur nga Shullazi dhe njerëzit e tij duke e cilësuar këtë një “gënjeshtër të ndyrë” dhe tentativë për t’i përbaltur emrin.
“Duke u nisur nga publikimi në disa portale dhe media elektronike më dt. 19.04.2016, të një lajmi referuar një shkrese të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, ku përmëndet emri i
Z. Shefqet Kastrati dhe kompania “Kastrati Group”, ju bëjmë me dije se: Lajmi i publikuar dhe përmbajtja e shkresës së cilës i referohet, jane gënjeshtëra dhe nuk kanë të bëjnë me Z. Shefqet Kastrati, kompaninë Kastrati Group si dhe asnjë person tjetër që ka lidhje me ata”, thuhet në reagimin Kastrati Group.
“Me përgjegjësi të plotë qytetare dhe morale deklarojmë se nuk kemi pasur asnjë kontakt, bisedë, presion apo shantazh nga asnjë person, madje personat e përmëndur në lajm si Emiljano Shullazi etj, nuk i kemi njohur kurrë.
As prokuroria, policia dhe asnjë strukturë tjetër ligjzbatues nuk është investuar nga ne dhe as nuk na ka kërkuar, pyetur apo verifikuar rreth këtij aludimi të pavërtetë. Përfshirja dhe implikimi në mënyrë të papërgjegjshme e Presidentit te Kastrati Group, nga institucione apo media te caktuara, pa asnjë lidhje me të vërtetën, pa fakte, ankesë, pyetje dhe verifikime, na bëjne të dyshojmë për veprime tendencioze të sponsorizuara nga konkurrenca e pandershme, me synim dëmtimin e imazhit dhe reputacionit të kompanisë dhe drejtuesit të saj. I kerkojmë me forcë Prokurorit të Përgjithshëm të nisi menjëhërë hetimet rreth mënyrës së fabrikimit dhe shpërndarjes së kësaj shkrese dhe këtij lajmi të pavërtetë”, thuhet në deklaratë.
Ftojmë çdo organ ligjzbatues të bëjë publike provat dhe faktet mbi të cilat pretendohet, në të kundërt ju kërkojmë të bëni menjëherë përgënjeshtrimin. Në rast të mosreagimit, do i drejtohemi organeve gjyqësore për të kërkuar zhdëmtimin e dëmit të shkaktuar si pasojë e dëmtimit të imazhit dhe personalitetit. Duke garantuar opinionin publik, klientët dhe bashkëpunëtorët tanë për integritetin, seriozitetin dhe bkorrektesinë tonë, ju kërkojmë mediave që e kanë publikuar të përgënjeshtrojne këtë lajm dhe të gjitha mediave të publikojnë këtë deklaratë.
Me besimin në etikën tuaj profesionale dhe në respektim të së drejtës sone ligjore dhe kushtetuese, mbetemi në pritje të reagimit tuaj”, përmbyll deklaratën Shefqet Kastrat, President i Kastrati Group.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu