Radar
Çfarë është fiskalizimi ? Pyetje-përgjigje mbi Fiskalizimin
Në këtë rubrikë do të gjeni Pyetje- Përgjigjet më të shpeshta dhe sipas specifikave të natyrës teknike, ligjore, grupeve të interesit, etj, të cilat do të përditësohen, në faza të ndryshme të zbatimit të projektit të Fiskalizimit.
Pyetjet – përgjigjet më të shpeshta
- Çfarë është fiskalizimi?
Fiskalizimi është një tërësi masash që përdoren për të zvogëluar evazionin fiskal në transaksionet me dhe pa para në dorë. Në procesin e fiskalizimit, të gjitha transaksionet (faturat) raportohen në kohë reale në Administratën Tatimore. Për efekt të identifikimit dhe gjurmimit të çdo transaksioni, çdo fature i jepet numri identifikues i veçantë i faturës (NIVF). - Kush do të jetë subjekt i fiskalizimit?
Në zbatim të Ligjit Nr. 87/2019, datë 18.12.2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 3, datë 20.01.2020, subjekt i fiskalizimit të faturës do të jenë:- të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë faturë, sipas këtij Ligji dhe legjislacionit në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar;
- organet publike;
- bankat, institucionet financiare jobankare dhe subjekte të tjera, që ofrojnë shërbime pagesash të faturave elektronike.
- Si do të dërgohen në Administratën Tatimore të dhënat e pajisjes fiskale për transaksionet me para në dorë?
Mënyra e dërgimit dhe proceset që kryhen për dërgimin e të dhënave në Administratën Tatimore dhe lëshimin e faturës janë si më poshtë:
– Tatimpaguesi nëpërmjet zgjidhjes softuerike dërgon mesazh në serverin e Administratës Tatimore, me të dhëna në formatin XML, në lidhje me transaksionin (faturën e lëshuar).
– Serveri i Administratës Tatimore i dërgon tatimpaguesit konfirmimin e marrjes së faturës duke i dhënë kësaj fature kodin unik (NIVF – Numri Unik Identifikues i Faturës).
– Tatimpaguesi i lëshon klientit faturën e printuar (e cila përfshin NIVF-në).
Regjistrimi dhe dërgimi i faturës pranë Administratës Tatimore mund të verifikohet duke skanuar kodin QR në faturë. Konsumatori mund të verifikojë faturën e tij/saj, po ashtu edhe tatimpaguesi mund të verifikojë blerjet e regjistruara në emrin e tij. - Cili është qëllimi i përdorimit të NIVF?
NIVF është një numër unik për çdo faturë, i cili përcakton lidhjen midis faturës dhe lëshuesit të faturës. NIVF shërben si e dhëna kryesore e faturës për qëllim të regjistrimit dhe identifikimit të saj në librat e blerjes dhe shitjes. Sistemi i Informacionit të Administratës Tatimore gjeneron numrin identifikues të veçantë të faturës (NIVF) pasi procesi i verifikimit të faturës të përfundojë me sukses dhe ia dërgon atë tatimpaguesit si konfirmim të informacionit të faturës të pranuar në mënyrë të rregullt. - A do të duhet të bëhet mbyllje ditore për pajisjen fiskale për shitjet cash të realizuara?
Për shitjet cash të realizuara nga pajisja fiskale, nuk do të jetë më e nevojshme që të bëhet mbyllje ditore, pasi faturat do të transmetohen në Administratën Tatimore në kohë reale. - Çfarë ndodh nëse komunikimi/lidhja me Administratën Tatimore ndërpritet?
Në rast të ndërprerjes së lidhjes së internetit, tatimpaguesi lëshon faturë si në një transaksion normal, me ndryshimin e vetëm që fatura nuk do të ketë kodin NIVF të gjeneruar nga Administrata Tatimore dhe për këtë fatura duhet të printohet në letër.
Tatimpaguesi duhet që brenda 48 orëve pas momentit kur ndërpritet lidhja e internetit, të mundësojë lidhjen e internetit dhe të dërgojë të gjitha faturat e lëshuara gjatë transaksioneve offline. Për të gjitha faturat e lëshuara në mënyrë offline, Administrata Tatimore cakton një NIVF dhe ia kthen atë tatimpaguesit si konfirmim për pranimin e faturave të dorëzuara me vonesë.
Nëse tatimpaguesi nuk mund të rivendosë një lidhje interneti, brenda afatit prej 48 orë, për të cilin është përgjegjës ofruesi i këtij shërbimi, ose për shkak të forcave madhore, tatimpaguesi duhet të informojë Administratën Tatimore dhe të sigurojë dokumente ose prova të tjera që demonstrojnë pamundësinë për të krijuar një lidhje interneti, sipas udhëzimeve të Ministrit të Financave. - Cfarë duhet bërë në rastin e një keqfunksionimi të pajisjes fiskale për transaksionet me para në dorë?
Nëse pajisja fiskale pëson një mosfunksionim të plotë, tatimpaguesi lëshon fatura nga blloku i veçantë i faturave.
Blloku i veçantë i faturave shtypet nga autoritetet tatimore apo nga shoqëri private, të autorizuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve dhe shpërndahet nga autoritetet tatimore. Tatimpaguesi është i detyruar të mundësojë funksionimin e pajisjes fiskale brenda pesë ditëve nga dita kur pajisja fiskale ka pësuar një mosfunksionim të plotë, ose të sigurojë një pajisje të re.
Të gjitha faturat e lëshuara nga blloku i veçantë i faturave, duhet të fiskalizohen brenda 5 ditëve. Kjo do të thotë që tatimpaguesi duhet të hedhë të gjitha të dhënat e faturës nga blloku i veçantë i faturave, në pajisjen elektronike të faturimit (për para në dorë) që ai përdor për lëshimin e faturave dhe të kryejë procedurën e fiskalizimit.Faturat nga blloku i veçantë i faturave do të vazhdojnë numrin rendor që fillon pas numrit të faturës së fundit të lëshuar nga pajisja elektronike. Kur tatimpaguesi rifillon të lëshojë fatura nga pajisja elektronike, ai duhet të vazhdojë numërimin rendor që fillon pas numrit të faturës së fundit të lëshuar nga blloku i veçantë i faturave gjatë periudhës së mosfunksionimit të pajisjes. - Si mund të verifikohen nëse janë të fiskalizuara faturat fiskale të lëshura?
Të gjithë blerësit ose marrësit e faturave mund të verifikojnë nëse fatura e tyre është fiskalizuar dhe dërguar në Administratën Tatimore, brenda 60 ditëve nga data e faturës. Verifikimi kryhet përmes platformës qendrore të faturës ose përmes një aplikacioni të veçantë duke skanuar kodin QR në faturë. Gjithashtu, mund të verifikohet edhe në zyrën e Administratës Tatimore.
Nëse blerësi është një person i tatueshëm, ai mund të verifikojë nga platforma qendrore e faturës nëse fatura është fiskalizuar, pasi fatura duhet të jetë regjistruar në librin e tij të blerjes.
Nëse fatura nuk përmban NIVF në momentin e lëshimit, atëherë do të thotë që ajo nuk është fiskalizuar para lëshimit. - A mundem të përdor të njëjtën certifikatë për të giitha pajisjet fiskale të biznesit?
Certifikata dighitale është e lidhur në mënyrë unike me biznesin si entitet. Pra, e njëjta certifikatë dighitale mund të përdoret për të gjitha pajisjset fiskale të biznesit. - Cili është AKSHI?
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është institucioni përgjegjës për administrimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve shtetërore të teknologjisë dhe informacionit.
Objekti i veprimtarisë së AKSHI-t:
– Zbatimin e politikave e të strategjive, për zhvillimin e sektorit të shoqërisë së informacionit (më poshtë SHI) dhe në veçanti të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (më poshtë TIK);
– Bashkërendimin e programeve në fushën e SHI-së dhe në veçanti të TIK-ut;
– Nxitjen e investimeve në fushën e SHI-së;
– Hartimin e praktikave për ushtrimin e kompetencave që i jepen ministrit nga legjislacioni në fushën e komunikimeve elektronike;
– Promovimin e teknologjive të reja në fushën e SHI-së;
– Dhënien e kontributit në edukimin dhe nxitjen e përdorimit të TIK-ut nga publiku.
AKSHI është institucioni përgjegjës, i cili do të lëshojë certifikatën elektronike për tatimpaguesit. - Ku mund të drejtohem për pyetje dhe sqarime rreth fiskalizimit?
Për pyetje dhe paqartësi në lidhje me procesin e fiskalizimit, mund të shkruani në adresën [email protected].
Pyetje – Përgjigjet teknike
- A nevojitet një printer specifik?
Jo, nuk kërkohet një lloj specifik harduerësh. Çdo printer që mund të printojë përmbajtjen e detyrueshme të faturës (siç përcaktohet me ligj) është i mjaftueshëm. Është e rëndësishme që printeri të mund të printojë kodin QR në faturë. - A mund të ndryshohet fatura pasi është printuar?
Fatura nuk mund të ndryshohet pas printimit, sipas legjislacionit në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe ligjit të fiskalizimit. Për qëllim të saktësimeve të faturës pas lëshimit të saj, duhet të lëshohet fatura korrigjuese. - A është i detyrueshëm printimi i faturës?
Për të gjitha transaksionet me para në dorë, printimi i një fature është i detyrueshëm, përveç shërbimeve elektronike, ose kur furnizimi i mallrave apo shërbimeve është kontraktuar dhe ngarkuar përmes një aplikacioni celular, dyqan në internet, ose të ngjashme. Në këto raste fatura nuk ka pse të printohet në letër, por mund t’i dërgohet blerësit ose marrësit të faturës, me postë elektronike ose si faturë elektronike. - A nevojitet të ruhen të gjitha faturat në bazën e të dhënave?
Përveç dërgimit në Administratën Tatimore, të gjitha faturat duhet të mbahen nga tatimpaguesi në format dixhital, sipas legjislacionit tatimor në fuqi. - A është cloud opsion për ruajtjen e faturave?
Faturat mund të ruhen edhe në cloud. - Cili është afati për ngarkimin e faturave nëse nuk ka internet, apo paisja fiskale ka pësuar defekt?
– 48 orë nëse lidhja në internet paraqet probleme.
– Në rast të mosfunksionimit të pajisjes fiskale, tatimpaguesi që lëshon fatura është i detyruar brenda pesë ditëve nga dita kur pajisja fiskale ka pësuar defekt, ta riparojë atë, ose ta zevendësojë me një pajisje të re. - Si do të kryhet aplikimi për çertifikim? Cilat janë hapat që do të ndiqen?
Të gjitha aplikimet që do t’u ofrohen tatimpaguesve në tregun shqiptar duhet të kalojnë procesin e çertifikimit të kryer nga AKSHI. Udhëzimet për këtë proces të çertifikimit (cilat hapa dhe si do të kryhet çertifikimi) do të publikohen në faqen ueb të projektit të Fiskalizimit. - Si kryhet procedura e anulimit të një fature? Aktualisht shuma negative në anulim nuk është e mundur në ligj.
Teorikisht nuk ekziston “anulimi i një fature”, por duhet të lëshohet një faturë korrigjuese (ose faturë e kthimit). Fatura korrigjuese përmban numër reference të faturës origjinale që korrigjohet, për të cilën sistemi gjeneron një mesazh të veçantë dhe i dërgohet Administratës Tatimore për fiskalizim. Kjo faturë korrigjuese përmban vlera negative, nëse të gjithë artikujt duhet të anulohen. - Faturat nga telekomi gjenerohen dhe printohen pa ditur se do të paguhen me para në dorë, përmes transferit bankar etj … si zgjidhet kjo në Kroaci dhe vende të tjera?
Kjo lloj fature që ka një urdhër pagese dhe që mund të paguhet nëpërmjet e-banking , në bankë ose mënyra të ngjashme, trajtohet si transaksion pa para në dorë dhe mbi “mënyrën e pagesës” duhet të shkruhet “urdhër- pagese”. - Si do të kryhet fiskalizimi për shitjet në internet dhe dyqanet në internet?
Për të gjitha transaksionet me para në dorë printimi i një fature është i detyrueshëm, përveç shërbimeve elektronike, ose kur furnizimi i mallrave ose shërbimeve është kontraktuar dhe ngarkuar me detyrim për t’u paguar përmes një aplikacioni celular, dyqan në internet, ose të ngjashme. Në këto raste fatura nuk ka pse të printohet në letër , por mund t’i dërgohet blerësit ose marrësit të faturës, me postë elektronike ose si faturë elektronike.
https://www.tatime.gov.al/c/424/444/pyetje-pergjigje-mbi-fiskalizimin