Kioske
Të kujt janë këta indianë nëpër Tiranë?
Alfred Lela
I shihja tek mërzenin në stolat para një hoteli afër banesës sime. Çdo ditë parakalonte një tufë e re që tërhiqte zhag bagazhet nëpër pllakat e saposhtruara nga ‘punëmbaruarit’ e lali Erit. Pak më vonë të kapte syri një grup që vinte. Indianët janë një etni lehtësisht e dallueshme, jo prej ngjyrës së lëkurës (se ka boll shqiptarë të zeshkët), sa prej veshjeve. Në të shumtën e rasteve një sari, herë të tjera kombinim i diçkaje që duket si fustan dhe vishet sipër pantallonave. Sandale ose këpucë të sheshta, mjekra për burrat dhe pika nazike në ballë për gratë. Kishte ndër ta edhe me turban në kokë, aksesor që lajmëron praninë e një sikh-u, komunitet më vete në një nënkontinent si India, shumëetnik, shumëgjuhësh, shumëmiliardësh. Një tipologji që bie në sy, edhe pse së fundmi etnitë janë shtuar edhe në kryeqytetin tonë: afganët e sapombërritur, u shtohen iranianëve të MEK-ut, sirianëve të kampeve pritëse e hallexhinjve të tjerë që ikin nga zonat e luftës. Shqipëria është gjithmonë një pit stop, një ndalesë. Një urë që i katapulton shtegtarët brigjeve të premtuara.
Por kjo shpurë e re nuk janë refugjatë. Hotelet i zgjedhin të mira. Veshjet, pavarësisht thjeshtësisë, nuk shprehin varfëri; në duar rrotullojnë smartfonë të fundit; bagazhet që tërheqin pas vetes janë dinjitoze, jo atë thasët që hedh lufta në shpinë të muhaxhirëve.
Sheh të tjera si ta nëpër qytet, në rrugët kryesore, në Bllok tek zgjasin kokat kureshtare në kërkim të bareve metropolitane, afër hoteleve të qendrës, duke e dhënë e marrë në një anglishte që, megjithëse e saktë, e ruan atë tingëllimin e theksit jo veriamerikan.
Recepsionisti i një hoteli më thotë se janë kanadezë. Dmth nënshtetas kanadezë me origjinë indiane. Një burim në Rinas më thotë se kanë hyrë në Shqipëri disa qindra sosh, në mos mijra.
Po pse? Çfarë duan në Shqipëri këta njerëz që vijnë nga India dhe shkojnë në Kanada?
E thjeshtë. Shqipëria, torollake dhe e pakujdesshme siç është, nuk ka sita. Gjithashtu, deri para dy ditësh ajo ishte jashtë listës së kuqe të Covid-19. Ndryshe nga India që është në këtë listë. Kanadezëve, që ktheheshin nga vendi i origjinës, u duhej një vend dhe periudhë e ndërmjetme, një vademekum tranzitor. Me një vulë shqiptare, një vend i sigurt, në pasaportë dhe disa ditë në Tiranë, ata mund ti shpëtonin bllokimit apo karantinës në vendin e adoptuar perëndimor, kur të ktheheshin.
Shqipëria është vend i besës, që nuk u mbyll dyer të huajve, thotë kryeministri, apo jo? Mirësevini pra, kanadezo-indianë, ndoshta bartës të Covid-19, bujtës nga një vend që nuk konsiderohet i sigurt, kërkimtarë të një shtegu, si të gjithë orientalët, për t’ia hedhur sistemit.
S’ka gjë se kjo bëhet në kurriz të shqiptarëve. Ata janë dele të perëndisë. Duke qenë dhen, as nuk i rrezikoni. Ju mund të keni Covidin, por jo linë. Ajo po, do të kishte qenë kjamet e rrezikshme për tufën tonë.