Radar
Kush janë pasardhësit e Skënderbeut ?
Loris Castriota Skanderbegh, pasardhësi i Skënderbeut: Ndihem shumë i lumtur që kam këtë gjak
Loris Castriota Skanderbegh së fundi ka vizituar Shqipërinë, edhe për të marë pjesë në dasmën e Skënderbeut dhe Donikës që është mbajtur në Kaninë, por edhe të takohet dhe të lidhë miqësi me të parët e tij. Ai në një intervistë për KultPlus ka treguar se cilës gjeneratë të pasardhësve të Skënderbeut i takon, sikurse ka treguar edhe për ndjesinë që i ofron të qenit trashëgimtarë i figurës më të rëndësishme të kombit shqiptar. Me profesion gazetar, Loris Castriota Skanderbegh ka folur për Trungun e Familjes, për shtrirjen e pasardhësve të Gjergj Kastriotit, sikurse që ka treguar edhe për keqpërdorimin e disa personave të caktuar, të cilët po bëhen sikurse janë pasardhësit e Gjergj Kastrioit Skënderbeut. “Ne e njohim të gjithë njëri tjetrin”, ka thënë mes të tjerash në këtë intervistë të dhënë për KultPlus, Loris Castriota Skanderbegh.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Ju vini nga rrënjët e familjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, më saktë, cilës gjeneratë i takoni?
Loris Castriota Skanderbegh: Po, unë jam nga trungu i familjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe jam gjenerata e pesëmbëdhjetë e familjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
KultPlus: Dhe ju erdhët së fundi në shënimin e dasmës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Donikës, dasmë kjo që u mbajt në Kaninë, është hera e parë që vizituat Shqipërinë?
Loris Castriota Skanderbegh: Jo nuk është hera e parë. Kam ardhur edhe shumë herë të tjera, me qëllim që të kem kontakte me tokën time dhe tokën e të parëve.
KultPlus: Gjergj Kastrioti Skënderbeu është figura më e ndritshme e kombit shqiptar dhe pikërisht ju trashëgoni gjenet e tij, si ndiheni për këtë fakt?
Loris Castriota Skanderbegh: Ndihem shumë i lumtur, i gëzuar por edhe i përgjegjshëm për rrënjët që kam, edhe pse, ndonjëherë, duke qenë qenie njerëzore, mund ta bëjmë ndonjë gabim, por mundohemi dhe punojmë që të prezantojmë denjësisht mbiemrin e madh që e trashëgojmë nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
KultPlus: Ndërkohë, jeni në dijeni se në sa shtete mund të prekin pasardhësit e Gjergj Kastriotit Skënderbeut?
Loris Castriota Skanderbegh: Pasardhësit e Gjergj Kastriotit Skënderbeut janë vetëm në Itali, nuk ka një shtrirje në shtete të tjera. Ne njihemi shumë mirë me njëri tjetrin, sepse në një mënyrë precize e kemi trashëguar Trungun e Familjes, edhe pse, ka shumë persona që prezantohen sikur janë pasardhësit e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sikurse është edhe rasti i një këngëtareje nga Australia, e cila pretendon që është pasardhëse, por në fakt nuk është. Ne e njohim të gjithë njëri tjetrin.
KultPlus: Pasi njihni aq mirë njëri tjetrin, a keni tentuar që të mblidheni të gjithë së bashku, dhe të vizitoni Shqipërinë?
Loris Castriota Skanderbegh: Kemi bërë këtë tentativë, disa nga kushërinjtë e mi kanë ardhë, jemi munduar ti mbledhim, por angazhimet e secilit e bëjnë të vështirë një prezantim më të madh.
KultPlus: Arbëreshët e Italisë tash e dy vite po bëjnë rikthimin e tyre në trojet shqiptare, duke u prezantuar me kulturën, veshjet , këngën dhe vallëzimin që e kanë ruajtur me kaq shumë kujdes, sa po ju bën të ndiheni mirë që po shënohet ky manifestim që ka për qëllim nderimin e figurës së Skënderbeut?
Loris Castriota Skanderbegh: Ndihem shumë i lumtur që kam këtë gjak, mënyra se si më respektojnë, si më flasin dhe si më ofrohen më jep një ndjesi të veçantë?
KultPlus: Ndërkohë, shumë herë, nëpër periudha të ndryshme ka pasë ndërhyrje nga të huajt në përvetësimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si i keni parë këto tentativa?
Loris Castriota Skanderbegh: Gjergj Kastrioti është shqiptar, të tjerët kanë tentuar ta përvetësojnë, por për rrënjët e Skënderbeut dëshmohet edhe me dokumente që janë të arkivuara në Napoli, Romë e Venedik.
KultPlus: Ekziston një film për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, por ai film është i viteve të 50-ta, ka ardhur koha që të realizohet edhe një film tjetër për këtë figurë kombëtare?
Loris Castriota Skanderbegh: Ka pasë disa fjalë që ka interesim për një film me nivel botëror, me rolin e Russell Crowe, por unë kam një shqetësim që një film i tillë të realizohet nga Hollivudi, sepse filmat e Hollivudit janë më shumë spektakël. Filmi për Gjergj Kastriotin Skënderbeun më shumë do të duhej të ishte një rrëfim, pa spektakël. Dhe nëse do të bëhej, do të duhej të realizohej nga autorë shqiptarë që njohin shumë mirë historinë tonë, sepse Gjergj Kastrioti është mjaftueshëm figurë e madhe, vetëm do të duhej të realizohet mirë./KultPlus.com