Kryesore
Ndryshon ora policore dhe nis mësimi plotësues, mësuesit duhet të vaksinohen deri më 30 shtator
Nga sot në vendin tonë kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-Covid. Ora policore do të jetë nga ora 23:00-06:00. Gjithashtu mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, i cili gjatë sezonit të verës, kur dhe shifrat ishin të ulëta thuajse u shpërfill nga qytetarët.
Edhe muaji shtator do të ketë i hapur sa i përket vaksinimit. Ndërsa për qytetarët vaksinimi është me dëshirë, për arsimtarët, studentët dhe stafet mjekësore do të jetë i detyrueshëm. Deri më 30 shtator mësuesit duhet të dorëzojnë vërtetimin që janë vaksinuar pranë qendrës së tyre të punës, ndërsa studentët duhet të dorëzojnë kopjen e kartës së vaksinimit pranë zyrave të përcaktuara nga Institucionet e Arsimit të Lartë.
Ditën e sotme nis edhe mësimi plotësues në shkolla, ku nxënësit do të marrin njohuri për mësimet që kanë zhvilluar online gjatë vitit të kaluar. Mësimi plotësues do të zgjasë deri më 24 shtator dhe më 27 shtator do të nisë zyrtarisht viti i ri shkollor. Përveç vaksinimit, në shkolla do të zbatohen edhe masat e tjera anti-Covid siç janë maskat dhe distanca fizike.
Përkeqësimi i situatës me Covid-19 në vendin tonë bëri që Komiteti Teknik i Ekspertëve të ashpërsonte kufizimet edhe për udhëtimet. Duke filluar nga data 6 shtator, qytetarët të cilët do të hyjnë në Shqipërië duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:
1. Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.
2. Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
3. Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Këto rregulla vlejnë edhe për qytetarët që kalojnë tranzit në Shqipëri, ndërsa fëmijët deri në 6 vjeç nuk do iu nënshtrohen. Nëse një nga kushtet nuk do të plotësohet, qytetarët do të karantinohen për 10 ditë.