Kryesore
Shullazi grabiti “Vollgën”, kërcënoi për një parkim 1200 metra katrorë
Zbulohen detaje të tjera rreth akuzave të ngritura ndaj 38-vjeçarit Emiliano Shullazi, i arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të, shokun e ngushtë Gilmando Dani dhe të afërmin Blerim Shullazi.
Të 3 ata do të dalin para gjykatës, të dyshuar për veprat kriminale të “pjesëmarrjes në organizatë kriminale”, “gjobëvënies”, dhe “shkatërrimit të pronë me eksploziv”.
Një burim jozyrtar i tha Top Channel se, episodi që e ka vendosur në pozitë inkriminuese Emiliano Shullazin ka lidhje me kallëzimin gjatë muajit shkurt, të shtetasit Arjan Zika. Ai ka pohuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, 3 muaj më parë, se është kërcënuar nga Shullazi për një parking 1.200 metra katrorë në Tiranë.
Top Channel disponon dëshminë e këtij shtetasi, i cili pohon se “Emiliano Shullazi më kërkoi takim. Dikush erdhi e më tha se Emiliano po të pret ta takosh. Kohë më parë kam blerë një sipërfaqe parkingu prej 1.200 metrash katrorë, Emiliano më tha ose blije sërish me çmimin e tregut të sotëm, ndryshe do të të vras. E kam takuar 4 herë Shullazin dhe nuk pranova”.
Pas kësaj ngjarjeje, sipas burimeve policore, në dyqanin e kallëzuesit, në datën 13 mars ka ndodhur një shpërthim me lëndë plasëse. Burime të Top Channel bëjnë të ditur se, pas kallëzimit, qytetari është larguar nga Shqipëria për shkak të frikës.
Episodi tjetër, për të cilin dyshohet Shullazi, ka lidhje me ish-hotel “Vollga”, në Durrës, që dyshohet se përmes kërcënimeve mund t’i jetë dhuruar Shullazit nga një shtetas shqiptar. Janë të paqarta procedurat e ndjekura për kalimin e ish-hotelit nga një shtetas arab te shtetasi shqiptar, e më pas tek i dyshuari Shullazi.
Prokuroria pohon se, ndërkohë disponon edhe 4 informacione të përcjella nga policia e Shërbimi Informativ Shtetëror, për gjobëvënie ndaj 4 biznesmenëve të ndërtimit, të cilët mësohet se e kanë paguar gjobën e kërkuar. Por ata nuk kanë pranuar të kryejnë kallëzime.
Shullazi është kthyer në një emër të njohur për drejtësinë shqiptare. Disa herë, ai është shoqëruar e ndaluar për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që akuza më e rëndë, që i ka dhënë atij fajësi me 7 vite burg, ka lidhje me çështje droge. Emri i tij u përmend së fundmi nga ambasadori amerikan Donald Lu, si një ndër njerëzit që shëtit i lirë, megjithëse ka kryer krime, tha ambasadori.
Ndërkohë që u akuzua ditët e fundit edhe nga ish-kryeministri, se kishte kërcënuar kandidatin për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, se do t’i merrte peng djalin nëse nuk tërhiqej nga gara. Për këtë episod, policia po kryen ende verifikimet dhe nuk e ka kaluar ende dosjen në prokurori. / Top Channel
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu