Aktualitet
A e thirri Klodeta Dibra për ndihmë Shullazin?
Emiljano Shullazi dyshohet se u përfshi në garën për rektorin e Universitetit të Tiranës, pas një ngjarjeje që ndodhi ditën e premte. Klodeta Dibra, kandidate për rektore shkoi në Fakultetin e Shkencave Sociale, por i gjeti sallat bosh dhe posterat e grisur.
Menjëherë ajo denoncoi në media, atë që e quajti “dhunë” të Mynyr Konit dhe “trajtimin si leckë” që iu bë pedagogëve. Në kronikën e “Oranews”, Dibra akuzon Mynyr Konin se, kishte përzënë nxënësit dhe pedagogët nga universiteti i Shkencave të Natyrës dhe se posterat ishin hequr nga fakulteti, me urdhër të rivalit në garë.
Sipas Klodeta Dibrës, gjithçka ishte organzuar me qëllim dështimin e takimit, ku do të paraqitej platforma e saj.
Një ditë pas këtij denoncimi publik, ish-kryeministri Sali Berisha zbuloi një veprim që e shndërroi përplasjen, në një nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur kohët e fundit; përfshirjen e Emiljano Shullazit në garën për kërcënimin me jetë të fëmijëve të pedagogut.
Klodeta Dibra ka qenë e zgjedhur e drejtpërdrejtë e kryeministrit Edi Rama, në listën e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë në zgjedhjet e fundit vendore.
Madje Dibra u vendos e para në listë. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ajo ka rrëfyer se ky ishte një vendim direkt i Edi Ramës.
Për gazetën “Shekulli”, Dibra tha se, kishte komunikuar vetë me kryeministrin Edi Rama, i cili ia kishte plotësuar dëshirën.
“Lidhja ime me Tiranën është e kahershme dhe tanimë gjenetike. Prej vitesh ky qytet më ka dhënë shumë buzëqeshje dhe duartrokitje, shumë medalje e nderime dhe mesa duket, erdhi koha që qytetit tim t’i kthej borxhin. I shpreha dëshirën time kryetarit të Partisë Socialiste dhe kjo dëshirë u shpërblye me përfshirjen në listë”,- ka thënë Dibra, në intervistën e dhënë në maj të vitit 2015.
Në videon më poshtë, Klodeta Dibra tregon atë që ndodhi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe akuzon direkt Mynyr Konin. /Lapsi.al/
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu