Radar
Shqiptarët paguan 2.7 milionë euro kamatëvonesa në faturat e energjisë elektrike
Kamatëvonesat janë detyrime që i lindin konsumatorit në momentin që nuk ka bërë brenda afatit 30 ditor pagesën për faturën korrente. Pra nëse faturën e muajit korrik nuk e paguan brenda muajit gusht.
Përpos këtyre OSHEE vijon prej vitesh që të arkëtojë edhe detyrimet e prapambetura nga konsumatorët që kanë lidhur aktmarrëveshje për shkak të borxhit të akumuluar ndër vite.
Këto aktmarrëveshje u lidhën prej disa vitesh si për klientët familjarë dhe për biznesin dhe parashikonin shlyerjen me këste por çdo këst nuk mund të ishte më i vogël se 2000 lekë.
Në total arkëtimet e OSHEE në fund të qershorit shënuan vlerën 35 miliardë lekë apo një mesatare 96.1 për qind si 6 mujor ndërkohë që maji dhe qershori kanë shënuar arkëtimet 100 për qind të faturave korrente ndryshe nga fillimi i vitit kur norma e arkëtimit të faturave ishte në nivelet pak më shumë se 86 për qind apo 88 për qind.
OSHEE raportoi se në 6 muaj janë regjistruar në total 2093 fatura të emërtuara pa lexim (dëm ekonomik) teksa sasia e energjisë ë faturuar si dëm është në nivelin 14.1 mijë MWh.
Humbjet në rrjetin e shpërndarjes, pra të OSHEE arritën në një mesatare 22.3 për qind në 6 mujor ku humbjet joteknike (lidhjet e jashtëligjshme, vjedhja e energjisë) zë 7.7 për qind kurse humbjet teknike që ka në rrjet edhe për shkak të amortizimit të tij 13.28 për qind.
Në tensionin e lartë humbjet në 6 mujor kishin një mesatare prej 1.47 për qind.
Në rrjetin e shpërndarjes përgjatë periudhës janar-qershor ka hyrë në total një sasi energjie prej 3.9 milionë MWh.
Në gjithë sektorin energjetik prodhimi ishte në total 6 milionë MWh nga të cilat rreth 57 për qind erdhi nga KESH ndërsa pjesa tjetër nga hidrocentralet private që ose shesin energji në tregun e lirë sit ë pavarur ose tek OSHEE të konsideruar si prodhues me përparësi me kapacitet të instaluar 15 MW. /Monitor