Kryesore
S’kam ç’të them për këtë. Mos më pyesni më mirë
Të gjithë kanë dalë frontalisht kundër kryebashkiakut Fatos Tushe pas publikimit të videos ku ky i fundit fyente një zonjë në mënyrë të turpshme duke iu drejtuar me fjalët “Ta marr atë portofol e ta fus në gojë”.
Por Fatos Tushe dhe qytetarja Tatjana Cërri duket se kanë bërë paqe dhe jo vetëm kaq. Tregtarja i ka kërkuar edhe falje Tushes që “i ka ngritur zërin”.
Tatjana Cërri nuk ka dalë për të shitur këpucët e përdorura, me fitimet e së cilës hanë bukë 13 frymë në familjen e saj. Dy ditë më parë ajo deklaroi se ishte kërcënuar pas incidentit me kryebashkiakun, por dje ajo e ka anashkaluar këtë fakt, duke u përgjigjur se nuk kishte dëshirë ta komentonte.
Ja ç’thotë tregtarja në një intervistë për Panoramën:
Znj. Tatjana, si ndiheni pas konfliktit që patët dje me kryetarin e Bashkisë, i cili ju fyeu dhe ju kërcënoi para dhjetëra tregtarëve të tjerë se “do t’ju fuste portofolin në gojë”?
Si të ndihem… keq, shumë keq. Më vjen keq që unë ngrita zërin, por unë e kam lidhur jetën me atë treg dhe dua të ushqej fëmijët. Nuk po kërkoja asgjë më shumë veçse të na lënë të punojmë pasi jemi të varfër dhe nuk kemi me se të jetojmë tjetër.
Sa vite keni që merreni me tregti?
Kam 20 vjet që shes këpucë të përdorura. Në të njëjtin vend kam shitur qysh moti. Nuk dua të më heqin se aty kam krijuar klientelën dhe aty janë mësuar njerëzit me mua. S’po i kërkoj kryetarit as bukë, as lëmoshë, po i kërkoj të më lërë të ushqehem. Si unë ka dhe shumë tregtarë të tjerë që nuk kanë mundësi të paguajnë në një treg privat.
Bashkia ju ka dhënë mundësinë të shisni në një vend tjetër… Pse nuk shkoni atje?
Nuk shkoj se nuk kam leverdi. Unë dua të fitoj diçka që të ushqej familjen, jo të dal me humbje. Këtu ku jam e kam gjetur mundësinë që t’i ushqej fëmijët e mi. Nuk kam mundësi të tjera. Atë punë kemi të gjithë. Jetojmë 13 veta në një strehë. Po të kisha mundësi të tjera, do të bëja jetë më të mirë, s’do të vuaja në këto kushte.
Ju u shprehët dje që ju kanë kërcënuar pas incidentit me kryetarin e Bashkisë. Kush ju kërcënoi?
S’kam ç’të them për këtë. Mos më pyesni më mirë…
Kryetari i Bashkisë, pas ngjarjes së djeshme, ju ka kërkuar falje publike. E falni?
Po, e kam falur, si jo. Edhe unë i kërkoj falje atij që ngrita zërin. E kam falur kryetarin, nuk kam asgjë me të.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu