Temporal
Ndrysho vetveten, ndryshove Shqipërinë
Analizë nga botuesi dhe kryeredaktori i Nacional Albania, Besnik RAMA
Ndryshimi mes vendeve të varfëra dhe atyre të pasura nuk është te vjetërsia e shtetit. Shembuj konkret dhe kuptimplotë janë India dhe Egjipti me moshën e tij mbi 2000 vjeçare, të cilët mbesin akoma edhe sot vende të varfëra. Ndërkohë, Australia, Zelanda e Re apo Kanadaja dhe shtete të tjera nëpër botë janë vende shumë të zhvilluara, me potenciale të shumta ekonomike dhe tejet të pasura, pavarësisht moshës së tyre të re. Gjithashtu, ndryshimi midis vendeve të varfëra dhe të pasura nuk qëndron në pasuritë e tyre natyrore. Ja fjala vjen Japonia ka tokë të kufizuar, 80% malore dhe të pamjaftueshme për bujqësi e blegtori, por është sot ekonomia e dytë botërore. Apo në Zvicër, ku natyra nuk lejon rritjen e kakaos, por që prodhohet çokollata më e mirë në botë. Në këtë vend të vogël malor blegtoria jep prodhimet e qumështit, të cilat janë ndër më të mirat në botë ; toka mbillet plot katër herë në vit, ndërsa siguria, rregulli e puna e kanë bërë atë vendin më të sigurtë e të qetë në botë. . Sipërmarrësit nga vendet e pasura nuk dallohen për ndonjë ndryshim të dukshem në zgjuarsi kundrejt sipërmarrësve në vendet e varfëra. Raca apo ngjyra e lëkurës nuk janë gjithashtu të rëndësishme. Madje ia vlen të përmendim që emigrantët të etiketuar dembelë në vendet e tyre të origjinës, sot ata përbëjnë fuqinë kryesore prodhuese në vendet e ndryshme europiane dhe ato të Amerikës së Veriut. Po atëherë, cili apo cilët na qenkan faktorët e këtij ndryshimi ? Ndryshimi qëndron tek njeriu. Mënyra e formimit të tij, vitet e shkollës (arsimit) dhe kultura që posedon formojnë njeriun e së nesërmes. Ia vlen të shqyrtojmë mënyrën e të sjellurit të tij për të kuptuar shpeshherë me cilin kemi të bëjmë. Mënyra e sjelljes së njerëzve ne vendet e zhvilluara na tregon disa parime apo rregulla të jetës së tyre. Po përpiqem t’i rendis ato. Parimet bazë janë :
1. Morali, një nga parimet më themelore
2. Ndershmëria
3. Përgjegjësia
4. Respekti ndaj ligjeve dhe rregullave të vendosura
5. Respekti ndaj tjetrit, cilido qoftë ai
6. Dashuria për punën
7. Përpjekjet për të mbajtur dhe rritur vlerat
8. Shpirti i sakrificës dhe motivacionit për të bërë sa më shumë e sa më shpejt përpara
9. Saktësia Parimet e lartpërmendura ndiqen pak nga njerëzit, të cilët i përkasin vendeve të varfëra apo edhe atyre në zhvillim e sipër, por që mbartin akoma probleme të mprehta socio-ekonomike. Ndonëse natura u ka dhënë gjithçka këtyre vendeve, mënyra se si njeriu e ka trajtuar veten, por edhe naturën e vendit të tij, përmes sjelljes së tij, ka vijuar ta mbajë vendin në gjendje të varfër. Mungesa e duhur e të sjellurit tregon vullnetin e pamjaftueshëm për të mësuar, i cili është i fortë dhe solid në vendet e zhvilluara tashmë. Ka ardhur koha ta ndryshojmë Shqipërinë, duke ndryshuar vetveten, pra mënyrën e të sjellurit tonë.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu