Temporal
Sheshi “Skënderbej”, aventurizmi i radhës
Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale më tërhoqi vëmendjen posteri elektoral me të cilin u paraqit Erjon Veliaj. Krahas fytyrës së tij rinore dhe sfondit mavi, atje paraqitej me vizë të bardhë edhe një sky-line i pamjes veriore të qendrës së kryeqytetit. Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte fakti se në këtë sky-line qenë skicuar vetëm konturet e disa ndërtesave që Tirana i ka pasur që në kohën komuniste e më parë, domethënë xhamia me minaren, Kulla e Sahatit, Pallati i Kulturës, Hotel Tirana, por mungonin ndërtesa të tilla si grataçiela afër ish-selisë së PD-së apo Torre Drini, si dhe ca pallate të tmerrshme prapa Pallatit të Kulturës, që në fakt sot e mbizotërojnë këtë sky-line.
Pse më bëri përshtypje kjo? Sepse, sipas meje, po t’i vlerësonte, krijuesi i posterit duhej t’i kishte futur edhe ato. Por pse nuk i ka futur? Sepse edhe ai, edhe porositësi janë të vetëdijshëm se ajo që i është bërë qendrës me këto ndërtesa nuk është ndonjë bukuri që duhet evidentuar, përkundrazi. E bëra këtë hyrje, sepse tani po na propozohet të diskutojmë një projekt të ri të ndryshimit të qendrës, duke na ftuar të japim edhe mendimet tona si qytetarë.
Në këtë kontekst, personalisht, e para gjë që më vjen të them është paralajmërimi se meqenëse, siç e tregon edhe posteri i Veliajt, ndryshimet e bëra deri tani kanë rezultuar shëmtime, duhet të tregohemi më të përgjegjshëm në aventurat e reja.
Sot ka një konsensus në njerëzit me shije se Sheshi ka qenë shumë më i bukur në projektin italian, pastaj, me ndërhyrjet e regjimit, u shëmtua, por gjithsesi mbeti më funksional dhe shumë më tepër i qytetarëve, kurse goditjet rrënuese i mori më pas, me ndërhyrjen e parë të Ramës që lulishtes prapa Skënderbeut i prishi disenjimin italian, i preu pishat historike, duke e transformuar nga një vend plot kujtime e ku mund të ulej e qëndrohej në një govatë sterile bari, që vazhdoi pastaj me shtesën e govatës bythëpërpjetë të Bashës që e vuri këtë hapë- sirë në funksion vetëm të kalit të Skënderbeut që nuk ha as bar.
Por le të kalojmë te projekti që na është paraqitur. E para gjë që më erdhi në mendje kur e pashë projektin, ashtu siç e kanë paraqitur mediat, qe një ndjenjë çlirimi, sepse nuk pashë disa pallate të larta të projekteve paraardhëse të Ramës.
E kam fjalën për një pallat midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar, një të dytë përpara Hotel Tiranës, një të tretë midis Hotel Tiranës dhe Muzeut Kombëtar, një të katërt që i hynte në mes si penis Muzeut Kombëtar, të cilët kanë qenë o në planin Francez, o në atë Belg dhe që – le të mos harrojmë – na janë paraqitur si mrekullira të urbanistikës e arkitekturës.
Në vendet e tyre projekti aktual kishte pemë. Etika e komunikimit ta do që Kryeministri të na thotë pse ka ndryshuar mendim ai apo ekspertët e tij. Kjo edhe që të besojmë se s’do ta ndryshojë nesër. Mirëpo asgjë e tillë nuk ndodhi. Fatkeqësisht as gazetarët nuk ia kërkuan psenë. Prandaj edhe këtë “çlirim” timin them se duhet ta marrim me rezervë, pasi kemi të bëjmë me njerëz që ta shesin pa të keq betonin për bar dhe pallatet për pemë.
Së dyti, duhet thënë se ideja e një zone pedonale të Tiranës është e mirëpritur, por ka disa POR-e të mëdha prapa idesë së kthimit të sheshit “Skënderbej” (duke përshirë edhe Parkun Rinia, edhe hapësirat prapa Hotel Dajtit deri te lulishtet përpara Parlamentit) në një zonë të tillë.
POR-i i parë (sipas meje më i madhi) lidhet me obsesionin e trashëguar nga regjimi komunist që më shumë i vinte rëndësi propagandës, imazhit dhe nevojës së pushtetarëve për t’i vënë vulën e tyre qendrës sesa cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës. Nëse kemi parasysh se jeta e qytetarëve nuk zhvillohet në qendër, por atje ku banojnë, harxhimi i milionave për rindryshimin e kësaj qendre do të ishte puna e fundit që duhej t’u shkonte ndër mend këtyre njerëzve.
Sepse qendra, edhe kështu siç është, edhe pse më e shëmtuar se më parë, është të paktën e sistemuar, kurse Tirana përtej saj, atje ku jetojnë njerëzit, është katastrofë në të gjitha kuptimet – si për sa i përket gjendjes së rrugëve e rrugicave, ashtu edhe hapësirave publike. Vjena, që sipas një studimi rezulton si qyteti me cilësi jete më të lartë se çdo qytet tjetër në botë, ka pikërisht këtë cilësi: qytetarët nuk kanë nevojë të shkojnë në qendër për të gjetur hapësira publike pedonale e gjelbërim, por i kanë ato përreth vendbanimeve të tyre së bashku me kënde lojërash e fusha sporti për fëmijët e tyre.
Pra, nëse është fjala për të shpenzuar miliona euro për përmirësimin e jetës së qytetarëve (një pjesë e të cilëve sot ankohen se s’kanë bukë për të ngrënë, një arsye kjo më tepër për ta bërë projektin të papranueshëm), e para gjë që duhej bërë do të ishin projekte parqesh të vegjël, fushash sporti, rregullime, sistemime rrugësh e rrugicash – diku-diku edhe shtetëzime në mes të vendbanimeve të qytetarëve që do të normalizonin sadopak jetën e qytetarëve atje ku banojnë. (Do të ishte bukur që me këtë rast arkitektë e urbanistë të shoqërisë civile t’u paraqisnin qytetarëve, si alternativë ndaj projektit të Sheshit, projekte të tilla të bëra vullnetarisht).
POR-i i dytë i madh që ngre ky projekt – gjithnjë lidhur me përmirësimin e cilësisë së jetës së tiranasve; është se çfarë do të bëhet me trafikun po u kthye sheshi në pedonale. Nga përvoja që kemi kur është bllokuar Bulevardi dhe veçanërisht rrethrrotullimi te Sheshi, që është arteria kryesore e qarkullimit të trafikut në Tiranë, është krijuar një kaos i tmerrshëm, i padurueshëm dhe i rrezikshëm për këmbësorë, shoferë e biçiklistë.
Pretendohet se këtë do ta zgjidhë një unazë e vogël që do të kalojë prapa Bankës Kombëtare, prapa Muzeut Kombëtar, prapa Hotel Tiranës, që do të vazhdojë duke prishur ndërtesën historike të Petrelasve ku ka qenë INSIG-u (një krim tjetër ky ndaj historisë së Tiranës), që pastaj do të kalojë përpara nëntëkatësheve, për të vazhduar, nuk dihet se ku, disa thonë te Rruga e Elbasanit deri ku kryqëzohet me Lanën, disa te pedonalja, duke e kthyer edhe një herë atë në rrugë makinash (edhe ky një tjetër krim).
Nga sa di unë, kjo nuk është vendosur akoma dhe ky është skandal. Nga përvoja ime si këmbësor dhe si shofer, madje që banon afër kësaj zone, më rezulton se kjo unazë e vogël nuk mjafton kurrsesi për të plotësuar funksionin që kryen Bulevardi, sepse edhe me rrethrrotullimin e Sheshit si arterie trafiku, ajo sot është plot.

Prandaj qarkullimi në këtë unazë do të ishte një ferr i vërtetë dhe ç’është më e keqja, do të ndotte qytetin edhe qendrën pedonale shumë herë më tepër, sepse makinat do të qëndronin në këtë unazë me orë. Pra, nëse do t’i qëndronim idesë së krijimit të një qendre pedonale te Sheshi, do të duhej që edhe kjo unazë e vogël të ishte vetëm për transport publik, çka do të thotë, përveç të tjerash, që të punohet më së pari për të rregulluar problemin e trafikut jashtë kësaj unaze, çka nënkupton, përveç të tjerash, që edhe idetë për parkingje në qendër të Tiranës të hidhen poshtë.
Së treti, janë tejet problematike edhe ideologjizimet e simbolikat e reja që kërkohet t’i shtohen sheshit. Kam parasysh propozimin nacionalist të shtrimit të sheshit me gurë që vijnë nga tërë anët e Shqipërisë, medemek për ta bërë atë zemrën e gjithë shqiptarëve; atë kozmopolit të sjelljes së luleve nga tërë Mesdheu apo bota, si dhe atë demokratik (të shitur si ide e Anri Salës) që sheshi të vijë pak si piramidë, në mënyrë që qytetarët të mund të ngjiten aty dhe të ndihen zotër të Tiranës.
Siç e thashë, një nga problemet e mëdha të shëmtimit të atij Sheshi ka qenë se nuk është ruajtur koherenca e stilit të kohës kur është disenjuar për herë të parë. Shtresëzime të tilla si ai sovjetik me Pallatin e Kulturës, ai modernist me 15-katëshin, ai enverist me Muzeun Kombëtar dhe pastaj ato ramiste e bashiste veçse ia kanë shtuar kakofoninë dhe shëmtinë.
Shtesat e reja, që s’mund t’i fshijnë shumicën e të vjetrave, veçse do ta bëjnë edhe më problematik atë vend qoftë nga pikëpamja funksionale, qoftë estetike. Veçanërisht e tillë, sipas meje, do të ishte ndarja e vazhdimësisë së Sheshit me Bulevardin Zogu I nëpërmjet një ndërtese midis 15-katëshit dhe Muzeut, që thuhet se është në projekt, edhe pse në projektin që na u paraqit mbahet e fshehur me pemë.

Gjithë duke folur për shëmtim do të thosha se edhe prishja e ndërtesës së ish-Insigut, për të vazhduar pseudounazën, do t’i shtonte shëmti qytetit qoftë si prishje e historisë së tij, qoftë edhe pasi pallati modernist i projektuar nga Maks Velo në njërën anë dhe shtëpia e stilit liberty në anë tjetër të saj, do të mbeteshin si objekte në mes rrugës dhe pa lidhje.

Nga gjithë sa thashë, mua më rezulton se ky projekt është një gjë e nxituar, në kundërshtim me nevojat ulëritëse të qytetit e qytetarëve, në vazhdën e mënyrës se si kanë punuar deri më sot, jo vetëm në Tiranë, politikanët tanë: pa një vizion tërësor, pa largpamësi, pa respekt dhe pa dashuri për qytetarët, përkundrazi duke na imponuar me arrogancë dhe demagogji projekte diletanteske të improvizuara nga nevojat apo tekat e çastit me një kundërvënie të fortë të interesit privat ndaj interesit publik./Panorama
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu