Gatime
Koktejl pa alkol në kushte shtëpie / Katër koktejle analkolike për t’ju freskuar këtë verë; Ja recetat që kënaqin shijet e të gjithëve
Vera nuk ka kuptim pa një BOZË–UP
— — —
PËRBËRËSIT PËR 4 PERSONA: 250 g akullore me vanilje • 600 ml bozë •kanellë pluhur • shkop kanellë për dekor. Në gotë hedhim 2 kupa akullore, shtojmë bozë dhe pak kanellë dhe në fund e dekorojmë edhe me shkopin e kanellës.
FRESKOHUNI ME ROZALIMA
— — —
PËRBËRËSIT PËR 4 PERSONA: 1 gotë ujë • 1 degë
rozmarinë e freskët • 4 lugë mjaltë • lëngu i 1 kokrre limoni • 3 gota ujë të gazuar • kuba akulli • disa feta limoni dhe rozmarinë për dekor
Në një tenxhere të vogël hedhim një gotë ujë dhe sapo të ziejë fusim degën e rozmarinës. Fikim sobën dhe e lëmë të pushojë 10 minuta. Më pas, e kullojmë, tretim mjaltin në të dhe e ftohim plotësisht në një kanë. Shtojmë lëngun e limonit, ujin e gazuar, të ftohtë dhe kubat e akullit. E shërbejmë sipas dëshirës me feta limoni dhe degëza rozmarine.
DHALLË-ITO SHIJA e “Papares“
— — —
PËRBËRËSIT PËR 4 PERSONA: 800 ml dhallë • 1 kastravec •
2 degë mente • 1 lugë kripë • kuba akulli
Lagim me ujë anët e një gote dhe më pas e zhysim në kripë të përzier me mente të
thatë. Hedhim disa feta kastraveci, 4-5 gjethe mente dhe pak kripë. I shtypim mirë me shtypëse ose lugë dhe shtojmë akull dhe dhallë. E zbukurojmë me feta kastraveci dhe gjethe mente.
LAIM-ON
— — —
PËRBËRËSIT PËR 4 PERSONA:
1 laim • 4 degë borzilok • 40 g sheqer kaf • 600 ml ujë i gazuar • 4 cm xhenxhefil • 200 g kuba
Akulli Në një grirëse elektrike (blender) hedhim një kokërr laim, borzilokun, xhenxhefilin, sheqerin, kubat e akullit dhe ujin e gazuar. I grijmë derisa të krijohet një masë e njëtrajtshme. E hedhim në gota dhe e zbukurojmë me feta laimi dhe gjethe borziloku. Sipas dëshirës, mund të lyeni buzët e gotës me sheqer ose lëkurë laimi.