Lidhu me ne

Kryesore

“Po,- i them, unë jam Ilir Meta”.

Ilir Meta dha dje nga Prishtina një intervistë për emisionin “Komiteti” të gazetarit Berat Buzhala në televizionin “RTK” të Kosovës. Në intervistën e tij Meta foli për presidentin, skandalin e ‘’Panama Papers’’, Kosovën, koalicionin me Ramën etj. “Rasti konkret që ka dalë për një kompani shqiptare ose që ka aktivitet në Shqipëri, ka marrë këtë koncesionin për markimin e karburanteve, na tregon sesa të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm duhet të jemi në zhvillimin e praktikave koncesionare, sidomos të shërbimeve publike.”, tha për ‘’Panama Papers’’ Meta.

INTERVISTA E PLOTË:

Z. Meta, mirëserdhët në Komitet!

Është kënaqësi dhe njëkohësisht interesante të jesh në Komitet.

Si ka qenë Komiteti në Shqipëri në atë kohë, a ka qenë sikurse në Kosovë, po aq represiv?

Komiteti ka qenë gjithçka, që nga e drejta e studimit, nga e drejta për t’u punësuar. Komiteti ka qenë çdo gjë.

Ju keni qenë prej të parëve që keni marrë pjesë në tranzicionin që ka ndodhur në vitin 1991?

Po, atëherë kam qenë student dhe pjesëtar aktiv i Lëvizjes Demokratike Studentore në vitet ‘90. Është hera e parë që vij në Komitet.

Po në Komitetin atje?

Jo, jo, kam qenë 18 vjeç, atëherë kur mbaruam punë me Komitetin atje.

Për Kosovën kur keni dëgjuar për herë të parë? Cilat kanë qenë kontaktet e para me kosovarët?

Për Kosovën kemi dëgjuar, që kur kemi lindur, por mendoj se kontaktet e para kanë qenë me historinë, me programet mësimore, edukative se s’mund të themi që këto programe nuk ekzistonin. Në Shqipëri dhe në kohën e Komiteteve kjo ka qenë e padiskutueshme. Gjithçka, Lidhja e Prizrenit, shumë evenimente të tjera me rëndësi edhe për Kosovën, por dhe për mbarë kombin kanë qenë pjesë e edukimit tonë. Në shkollë përveç literaturës, që ka qenë e detyrueshme në atë kohë, por Kosova është bërë më interesante, kam përshtypjen për mua ndoshta, në periudhën e përplasjeve pas vdekjes së Titos.

E keni fjalën për demonstratat e viti 1981?

Unë kam qenë në një moshë 11-12 vjeç kur për herë të parë është vërejtur se ka një tension, ka probleme të mëdha. Edhe televizioni i Shqipërisë ishte i vetmi në atë kohë që i pasqyronte në mënyrë intensive dhe në mënyrë të veçantë. Mund të them që kam ndjekur në atë kohë polemikat mjaft kurajoze të Profesor Rexhep Qoses që bëheshin në gazetat apo revistat e ndryshme të Jugosllavisë të saj kohe, e kështu me radhë. Ndërsa më pas, pas vitit ‘90, kontakti i parë i drejtpërdrejtë me shqiptarët e Kosovës ka qenë me një shokun tonë Haki Morina. Një i burgosur gjatë periudhës së para viteve ‘90. Madje, mbaj mend që i kishte dhe dhëmbët e thyer nga keqtrajtimi në burg, nga dhuna, i cili në fakt në atë kohë paragjykohej si më i majtë seç duhej, sepse në Shqipëri ndodhi ndryshimi i fortë i sistemit, nga një sistem komunist, në një sistem demokratik. Dhe ku forcat e reja që po vinin në lëvizje demokracinë akuzonin sistemin e mëparshëm që kishte shitur Kosovën e kështu me radhë. Ajo që më ka bërë përshtypje është se në atë periudhë, pra bëhet fjalë për vitin 1991-‘92, unë isha në qendër të grupit që inicioi Rininë Eurosocialiste, e cila bashkëpunoi me Partinë Socialiste, por nuk ishte e njëjta gjë. Pra, nuk ishte ish-Rinia Komuniste, ishin të rinj që nuk kishin qenë pjesë e strukturave etj. etj., dhe ku kam takuar edhe Haki Morinën. Dhe jam habitur se si një kosovar në atë periudhë, që ishte një histeri e paparë kundër socialistëve për tradhtitë e mëdha që kishin bërë për çështjen e Kosovës, një kosovar vinte e bashkohej dhe lidhej me një lëvizje që quhej Eurosocialiste.

Pra, ky ka qenë kontakti i parë. Madje Hakiu e kishte problem dhe në konvikt në “Qytetin Studenti” ku ai jetonte, sepse duke e ditur që ky i ri nga Kosova kishte kaluar me këtë lëvizje të re socialiste, paragjykohej dhe ishte si të thuash në shënjestër të demokratëve. Dhe shpesh ai flinte në shtëpitë tona dhe kalonte kohën me ne dhe na tregonte për problemet që kishte vuajtur Kosova gjatë okupimit serb, ndërkohë që vazhdonte të ishte e okupuar nga Serbia, për vuajtjet në burgje të Jugosllavisë dhe kështu me radhë. Pra ky është kontakti i parë.

Ndërsa një kontakt tjetër shumë interesant për mua, ka qenë dhe i pazakontë, sepse ka qenë shumë e izoluar Partia Socialiste në fillimet e veta nga Kosova, nga përfaqësuesit e saj, ka qenë shumë e paragjykuar. Kjo është e vërteta. Ka qenë viti 1993 ose 1994. Unë isha deputet i ri dhe shkoja nga Zyrihu për në Strasburg me tren. Në tren më afrohet një shqiptar i cili më thotë: “A je ti Ilir Meta?”

“Po,- i them, unë jam Ilir Meta”.

Ju njihte nga televizori?

Po nga televizori, nga gazetat…Edhe më thotë që kishte shumë respekt për Partinë Socialiste. Më thoshte shyqyr, që takova një socialist e kështu me radhë.

“Po ju?”, e pyes. “Unë jam nga Kosova,- tha. – Jetoj në Biel-Bienne të Zvicrës. Gjë e mrekullueshme. Dhe ku po shkon?” I thashë se po shkoja në Strasburg, sepse ishte Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës më duket.

Më thotë: “A do më bësh një nder?” Çfarë nderi? – i them unë.

“A mund të vish në Biel-Bienne në Zvicër, të ndalosh, sepse dua të bëjmë një takim atje me gjithë komunitetin, ngaqë ka shumë paragjykime nga këta të tjerët për Partinë Socialiste e kështu me radhë”.

Bëjmë një bisedë që ta thyejmë këtë opinion. Ishte një klub shumë interesant atje. E mbaj mend, sepse mban dhe emrin e një patrioti të madh të kombit tonë.

Bëmë ato rakordimet dhe i them që në datën kaq, do të jem në stacionin e Biel-Bienne. Nuk kisha qenë ndonjëherë atje. Kur mbërrijmë atje, shkojmë direkt tek klubi. Aty ishte mbushur plot. Kishte ardhur dhe Haki Morina, miku im, i cili ndërkohë kishte kaluar prapë në Zvicër. Kishin ardhur shumë miq, Ibrahim Kelmendi, i cili ka qenë një miku im vjetër që vinte herë pas here në Shqipëri, kishte ardhur nga Gjermania. Kishin ardhur të gjithë, ishte marrë vesh. U habita se si mund të takoja kaq njerëz të njohur në një kohë kaq të pakët për 2-3 ditë. Ajo pastaj që ishte më interesantja përveç takimit, debatet me grupet e ndryshe, të fraksioneve të ndryshme, idetë të ndryshme, për figurat që nga figura e Enver Hoxhës, Ibrahim Rugovës, d.m.th për çështje të ndryshme, ishte e paparë, ishte një eksperiencë e veçantë e pandeshur më herët për mua. Më pas kemi përfunduar tek shtëpia e këtij shqiptarit të Kosovës. Ky shqiptari i Kosovës e kishte emrin Nevruz Xhemali. Dhe kemi qëndruar atje gjithë natën. Kishte dhe shumë pjesëmarrës që kishin ardhur dhe nga Gjermania, vende të ndryshme të Zvicrës dhe kemi biseduar deri në mëngjes.

A mos e takuat dhe z. Veseli, z .Thaçi që kanë qenë në atë kohë në Zvicër?

Jo, jo i kam takuar më vonë.

Çfarë pozicioni keni mbajtur gjatë periudhës së luftës, dimë që menjëherë pas luftës së Kosovës keni qenë Kryeministër?

Unë në periudhën e luftës kam qenë zv. Kryeministër, Ministër i Koordinimit Qeveritar dhe saktësisht me fillimin e bombardimeve dhe mund ta njoftoj Komitetin që bombardimet kanë filluar pikërisht në 24 mars, ditën që unë bëja 30 vjeç dhe çuditërisht ishte nga rastet e para që unë kisha menduar për të bërë një darkë për ditëlindjen time. Dhe kisha ftuar prindërit e bashkëshortes sime dhe prindërit e mi, pra një darkë e ngushtë, por e organizuar familjare. Dhe në momentin që ne do të uleshim për darkë , unë nuk mund të isha pjesë e darkës, sepse ra zilja dhe u njoftuam që do të fillonte bombardimi dhe për çdo rast duheshin marrë masa të tjera sepse asgjë nuk mund të parashikohej se si do të ecnin zhvillimet. Kështu që në atë kohë unë kam qenë zv. Kryeministër, Ministër i Koordinimit Qeveritar dhe menjëherë pas bombardimeve kam shkuar në Kukës, pasi u vu re një fluks i ndjeshëm 30-40-50 mijë qytetarë nga Kosova dhe duhej një koordinim, sepse ishte diçka krejt e re. Ka qenë një situatë e tmerrshme. Nuk e di se si është përballuar ajo situatë dhe duhet ta theksoj edhe sot që ne të gjithë duhet t’i jemi shumë mirënjohës në mënyrë të veçantë popullit të Kukësit. Ai ka qenë një popull i jashtëzakonshëm dhe ajo që ata kanë bërë në ditët e para, në javët e para, në muajin e parë, nuk mund ta bëjë askush tjetër. Sepse e vërteta është që UNCHR-ja, që duhet të ishte përgjegjëse për të marrë masa për pritjen e refugjatëve, sepse e ka për detyrë këtë gjë, nuk ka pasur asnjë mijë dyshekë, jo krevate. Për të mos folur pastaj për ushqimet, për çdo gjë tjetër. Dhe ne jemi bërë shumë nervozë, sepse kini parasysh Shqipërinë e vitit ‘99, mjaft e drobitur edhe nga ‘97-ta, nga problemet e piramidave, situata financiare. Tani një organizatë ndërkombëtare, botërore që kishte pretenduar që ishin marrë masa, se nuk është se kjo gjë ndodhi në ‘99-n, sepse kishte ndodhur dhe në Tropojë një vit më parë që pati një zhvendosje të qytetarëve nga Kosova në Shqipëri, edhe ishim në një situatë të tillë të tmerrshme. Unë u detyrova të shkoja në Kukës dhe kam qëndruar atje për 3 javë me shpresën që po stabilizojmë këtë fluksin e parë, 30 mijë-40 mijë, por ajo pastaj ka kaluar përtej çdo lloj parashikimi dhe ka qenë një situatë e tmerrshme, sepse vinin autobusë nga Shqipëria, nga Saranda në Kukës, për të marrë njerëz. Por duhet të kemi parasysh se çfarë ishte rruga e vjetër e Kukësit, që po të vinte autobusi një herë shkatërrohej dhe kishte nevojë për t’u riparuar nga e para. Plus një rrugë shumë e ngushtë, plus dhe qytetarët e Kosovës kishin disa zetorë edhe ata e bllokonin, sepse donin të iknin në mënyrë individuale. Por në një kohë të shkurtër mendoj që kemi arritur një organizim perfekt, ndërkohë që ndihma ndërkombëtare, që ka qenë padyshim e rëndësishme, ka ardhur me mjaft vonesë. Sepse dhe helikopterët nuk lejoheshin të fluturonin për arsye sigurie nga Tirana për në Kukës dhe kemi arritur në pak javë të përballojmë një fluks të paimagjinueshëm. Unë kam menduar se ka qenë fundi i botës.

Sot Europa nuk mundet që të përballojë 1 milionç veta nga Siria, imagjino Shqipërinë në atë kohë aq e vogël…

Po prandaj them gjithmonë që populli i Kukësit ka një meritë të jashtëzakonshme. E them këtë gjë, sepse një familje kuksiane, edhe pa ndihmën nga shteti në fillimet e krizës, sepse edhe shteti nuk kishte mundësi, pa priste 7-8 veta nga Kosova me ushqim, me mikpritje, me strehim, edhe ditën tjetër i përcillte për tek autobusët për t’u zhvendosur më tutje, dhe ndërkohë priste të tjerë. Ka qenë një gjë e pandalshme dhe e pafund. Por ka qenë një sakrificë që ia ka vlejtur dhe vetëm fuqia e atij solidariteti të jashtëzakonshëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar ka bërë të mundur që Kosova të jetë sot ajo që është, një vend i lirë, një vend demokratik dhe ku shqiptarët gëzojnë gjithë të drejtat e tyre së bashku edhe me pakicat e tjera. Përndryshe do të kishte qenë diçka tjetër.

E përmendët të majtën më herët, shqiptarët e Kosovës është e vërtetë që gjatë viteve ‘90 kanë pasur paragjykime ndaj të majtës, mirëpo kjo u thye në vitin 1999 nga ju dhe z. Majko. Paraardhësi juaj dhe më vonë edhe pasardhësi juaj, z. Nano ishte ai me gjasë që i kishte krijuar paragjykimet e para në një takim me Slobodan Millosheviç. A besoni që z. Nano ka qenë më pak patriot se sa politikanët e tjerë shqiptarë?

Ne jemi vërtet në Komitet, por unë nuk dua të marrë përsipër të bëj gjykatësin e patriotizmit dhe nuk më pëlqen me thënë të drejtën kjo gjë. Por e vërteta është që paragjykimi për Partinë Socialiste vinte për disa arsye pas 1990-s. Arsyeja e parë është që ishte Parti Socialiste, ndërkohë që edhe Millosheviçi e kishte Parti Socialiste dhe s’kishte asnjë lidhje.

Së dyti mendoj që ishte propaganda që bëri Partia Demokratike dhe Berisha si mjeshtër i paparë, dhe sot e kësaj dite, i propagandës, që edhe nga hiçi mund të bëj një super-lajm, duke akuzuar që Parinë Socialiste, Partinë e Punës, Partinë Komuniste e krijuan jugosllavët dhe ka qenë gjithë jetën në shërbim të jugosllavëve e kështu me radhë dhe ka shitur Kosovën etj, etj. Pra ishte bërë një propagandë duke u ndërthurur disa elementë për ta paraqitur si një parti anti-kombëtare. Gjë që unë mendoj që nuk është e drejtë dhe nuk është as objektive dhe me baza.

Ndërkohë, që Partia Demokratike duke qenë se në atë kohë Lëvizja Demokratike e Kosovës ishte shfaqur si forcë opozitare dhe kundër sistemit, por dhe jo se ishte thjeshtë kundër sistemimit, por në fund të fare sepse ishte për Kosovën Republikë. Sepse ishte për të nxjerr në pah atë që Kosova është e shqiptarëve, u takon shqiptarëve, u atashua normalisht me Partinë Demokratike për shumë arsye të natyrshme. Dhe praktikisht Partia Socialiste nuk kishte një forcë politike partnere apo që mund të komunikonte, sepse dihej që deri në 1998-n ka qenë LDK dhe shumë pak parti të tjera modeste, sepse edhe LDK-ja është parë gjithmonë si një parti kombëtare, shtetformuese.

Përmendët z. Meta ngjarjet fatkeqe të 1997-s. Këto ngjarje në Kosovë dhe për luftën e Kosovës, nuk është se janë konsideruar të tilla, sepse thyerja e depove të armatimit i mundësoi kosovarëve që më pas të armatoseshin dhe më pas të hynin në Kosovë. A ka lidhje sipas jush mes ngjarjeve të 1997 dhe luftës së Kosovës?

Nuk e shikoj një lidhje të fuqishme shkak-pasojë. Unë besoj se lëvizja në Kosovë do ndodhte. Mendoj që ajo ka ndodhur në kohën e duhur. Mendoj sot se të gjithë ata që kanë fajësuar Presidentin Rugova, se përse nuk e ka hapur një front më herë, mendoj që nuk e kanë të drejtë këtë gjykim. Pse e them këtë gjë? Sepse unë vet në fillim të viteve ‘90 kamë filluar kontaktet e para ndërkombëtare dhe mund të them me bindje se Kosova ka qenë shumë pak e njohur ndërkombëtarisht, sepse ka qenë në qendër të vëmendjes problemi i Kroacisë, ka qenë në qendër të vëmendjes problemi i Bosnjës, pra problemi i Kosovës ka qenë shumë periferik, shumë i parëndësishëm dhe çdo hapje fronti apo çdo lëvizje e armatosur në atë periudhë nuk do të kishte atë mirëkuptim, përkrahje dhe sensibilizim kombëtar, sikurse ndodhi në 1998-1999. Vetë konsumimi i Millosheviçit me ngjarjet në Kroaci, me ngjarjet në Bosnje, krijoi kushtet e natyrshme pastaj për atë që koha në të cilën filloi lëvizja e armatosur në Kosovë, të kishte efektet maksimale pozitive. Pra u përgatit një klimë edhe ndërkombëtare edhe rajonale, edhe e brendshme. Shqipëria në çdo rast në çdo rrethanë të kishte qenë, me ngjarjet e 1997, pa ngjarjet e 1997, do të ishte një mbështetëse e vendosur e Kosovës.

Në atë kohë, gjatë viteve 1990 kanë mbetur disa krime të pasqaruara në Shqipëri. Posaçërisht përmendet vrasja e kolonel e Ahmet Krasniqit në atë kohë, e cila ende nuk është e zbardhur. A mendoni se ka mundësi që të zbardhet kjo vrasje për të cilën ka kërkese nga Kosova?

Nuk mendoj se ka ndonjë krim që nuk ka mundësi të zbardhet…

A po bën shteti shqiptar diçka që të zgjidhet kjo enigmë?

Patjetër unë mendoj se për çdo krim duhet bërë gjithçka për t’u zbardhur deri në fund dhe nuk ka asnjë arsye, sepse jam i bindur që çdo lloj akti që mund të ketë ndodhur nuk është i organizuar dhe më përgjegjësi shtetërore. Përkundrazi  është përgjegjësi e shtetit për të vënë çdo individ përgjegjës për një akt kriminal përballë ligjit. Kështu që edhe në këtë drejtim mund të bashkëpunohet për të zbardhur çdo akt kriminal gjatë kësaj periudhe.

Ishit Kryeministër në kohën kur Kosova filloi tranzicionin dhe e keni vizituar shumë Kosovën në atë kohë. Madje, keni patur ndikim të jashtëzakonshëm edhe te Kryeministri i ndjerë serb, Zoran Gjingjiç, i cili kishte filluar i pari që ta pranonte deri diku realitetin mbi Kosovën. A mundet që të na tregoni diçka më shumë rreth kësaj periudhe kohore për të cilën është folur shumë pak?

Unë kam patur fatin që të njihem me Zoran Gjingjiç dhe ka qenë një njeri jashtëzakonisht interesant dhe i veçantë. Besoj se edhe sot ndihet mungesa e tij, jo thjesht në Serbi, por edhe në Ballkan, sepse nuk mund të themi se ai në aktivitetin dhe jetën e tij politike ishte një njeri që nuk gabonte. Por ajo që mund të them me bindje të plotë është se Zoran Gjingjiç, si askush tjetër ishte në gjendje të reflektonte menjëherë, kur e kuptonte se një rrugë apo një zgjidhje nuk mund të funksiononte në atë mënyre dhe se duhet ndjekur një rrugë tjetër më e mirë. Pra, kishte një pragmatizëm mjaft intuitiv dhe pozitiv.

Ju keni biseduar me të për Kosovën?

Unë kam biseduar disa herë me atë për Kosovën. Madje kam biseduar që z. Gjingjiç dhe z. Thaci të kryejnë një takim me mirëkuptimin e të dyve. Dhe z. Gjingjiç e ka deklaruar dhe tek “Zëri Amerikës” dy- tre javë para se të vritej se ishte i gatshëm për t’u takuar me z. Thaçi, i cili në atë kohë ishte vetëm Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila kishte dhe Kryeministrin. Dhe nuk ka qenë gjë e lehtë të pohoje në atë kohë publikisht se do të ishe i gatshëm të takoheshe më një kryetar të një force politike, e cila ishte pasuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të diskutuar. Dhe në këtë intervistë e mbaj mend që ai ka thënë shprehimisht se: “Duhet të diskutojmë me Kosovën, duhet t’i zgjidhim me dialog problemet që kemi, sepse duhet të zgjidhim çështjen e Kosovës që të zgjidhim çështjen e Serbisë, sepse është diçka që ka të bëjë me të ardhmen Evropiane të vendit”. Pra, ka qenë një njeri mjaft interesant. Merrte kthesa të forta dhe ndoshta kjo paparashikueshmëri që ai kishte përcaktoi dhe fatin e tij tragjik.

Janë përmendur disa deklarata të tij për ndarje të Kosovës në atë kohë të z. Gjingjiç. Mos keni diskutuar ndonjëherë edhe për këtë aspekt?

Asnjëherë nuk kam diskutuar me një politikan serb mundësinë për ndarjen e Kosovës. Madje me asnjë politikan shqiptar qofshin edhe të Kosovës për arsye, sepse këto janë procese të cilat, jo vetëm unë personalisht nuk është se i inkurajoj, sepse këto ndarjet sjellin gjithmonë një zinxhir pasojash dhe problemesh. Unë gjithmonë kam qenë partizan i zgjidhjeve integruese për një arsye shumë të thjeshtë, sepse në Ballkan në të njëjtën kohë të gjithë kombet janë shumicë diku dhe janë pakicë diku tjetër. Dhe zgjidhje të pastra është e pamundur që të ketë. Pra zgjidhje të pastra që territori shtetëror të jetë i identifikueshëm me territorin kombëtar etnik pa patur zhvendosje të popullsisë. Kjo është një gjë që nuk ndodh kurrë. Atëherë e vetmja zgjidhje është që të aplikojmë të njëjtat standarde për pakicat kudo ku ato janë në Kosovë, Serbi, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e kështu me radhë. Pra, unë jam partizan për këtë frymë, për këtë filozofi. Por ajo që është e sigurt është që z. Gjingjiç ishte një njeri pa paragjykime. Kam dëgjuar shumë njerëz që thonë, a po z. Gjingjiç ka qenë kështu. Sikurse ka edhe të tjerë që thonë a po Gjukanoviçi ka marrë pjesë në fillim të viteve 1990 në këtë lloj aktiviteti këtu apo aty. Demireli ka patur një shprehje shumë të famshme: “Dje ishte dje, sot është sot”. Aftësia e një politikani është të reflektojë. Nuk ka njerëz të pagabueshëm, as politikanë të pagabueshëm. Dhe të reflektosh në funksion të së ardhmes. E keqja na vjen nga politikanë që nuk nxjerrin mësim nga e kaluara.

Që janë viktima e të kaluarës?

Dhe që duan të përsërisin ato gabimet.

Z. Meta po kalojmë pak tek ngjarjet aktuale. Kosova është duke kaluar një situatë shumë të rëndë. Ka 1 vit që ka një krizë të rëndë politike. Nuk ka dialog midis qeverisë dhe opozitës. Ju keni qenë aktiv para një kohe në Prishtinë keni takuar pozitë dhe opozitë. Jeni munduar për të qenë lehtësues midis dy palëve. A keni arritur ndonjë rezultat? A do t’ju shohim prapë të angazhuar në këtë proces?

Po kthehem pak më herët, që në fillim të viteve 1990. Gjithmonë kam qenë i vëmendshëm, pavarësisht që LDK dhe Partia Demokratike sidomos në kohën kur Berisha ishte në pushtet herën e parë, deri në 1997-n kishim marrëdhënie shumë më të ngushta. Por përsëri unë gjithmonë kam qenë partizan i mbajtjes së lidhjes me të gjithë. Dhe kemi patur marrëdhënie shumë të mira edhe para 1997-s me LDK, Rilindjen e LDK. Unë në atë kohë kam qenë me FRESSH-in, Rininë Eurosocialiste. Sot takova edhe një prej tyre që është sot Izet Sadiku Zv/Ministër i Shëndetësisë, që kemi qenë herë pas here në delegacione dhe shkëmbime e kështu me radhë. Apo edhe me Bujar Bukoshin kemi pasur marrëdhënie shumë të mira që ka qenë Kryeministër i qeverisë së asaj periudhe. Me Presidentin Rrugova kemi pasur marrëdhënie shumë të mira edhe kur ai ndonjëherë padrejtësisht është paragjykuar apo është sulmuar nga përfaqësues të politikës së Tiranës për shkak se lëvizje të caktuara të tij janë perceptuar gabimisht, sepse ne nuk mund të presim që çdo politikan të bëjë të njëjtën gjë. Dhe unë mendoj që në historinë e Kosovës dy mbeten si figura mjaft domethënëse: Ibrahim Rrugova në drejtim të asaj politikës vizionare, paqedashëse, të urtë, që ai ndoqi, por njëkohësisht edhe Adem Jashari për atë sakrificë, martirizim, frymëzim që ai ndezi kudo në të gjitha trojet Shqiptare, në Diasporë. Por nuk mund të prisnim që nga njëri të bënte tjetri dhe nga tjetri të bënte njëri. Politika nuk është e një forme dhe nuk duhet të jetë e tillë, sepse përndryshe do të ishte fare bajate, monotone. Kështu që në këtë drejtim unë kam qenë dhe jam gjithmonë i hapur për t’u takuar me të gjithë, sepse për ne marrëdhëniet me Kosovën janë kryesore. Nuk janë thjesht me partitë apo me individët, pavarësisht nga raportet shoqërore personale, të cilat kushtëzohen për arsye edhe të rrethanave dhe njohjeve. Në këtë plan unë besoj se Kosova ka mundësi të tregojë asete më të mira ndërvepruese dhe bashkëpunuese të faktorit politik këtu. Dhe mendoj që ka arsye për të patur le të themi edhe sforcim për të dalë mbi historitë e të kaluarës apo mbi interesa që vijnë për shkak të zgjedhjeve të kaluarës apo për shkak të zgjedhjeve që do të vijnë. Dhe për të gjetur disa zgjidhje të pranuara dhe të qëndrueshme. Natyrisht që kjo kërkon edhe një gjithëpërfshirje më të madhe, kërkon edhe një bashkëpunim më të madh edhe gjithmonë duhet të kemi parasysh se transparenca është mënyra më e mirë për të vrarë çdo keqkuptim apo manipulim.

Fillimi i viteve ‘90 kanë qenë jashtëzakonisht të zhurmshme edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Pra kjo çfarë po ndodh në Kosovë a ju kujton në një farë mase atë çfarë ka ndodhur më herët në Shqipëri?

Duhet të kemi në konsideratë se demokracia në Kosovë, natyrisht është më e re se në Shqipëri, edhe demokracia parlamentare. Por sidoqoftë unë kam menduar se disa gjëra edhe mund të ishin kursyer, siç është kjo çështja e gazit dhe disa efekte të tjera, të cilat ndonjëherë eskalojnë raportet përtej komunikimit politik. Por sidoqoftë besoj dhe shpresoj që me zgjedhjen e Presidentit të ri, sepse ndoshta një arsye e tensionit ka qenë dhe mendimi apo shpresa se Presidenti mund të mos zgjidhet dhe vendi mund të shkojë në zgjedhje, që ka qenë një kërkesë dhe një objektiv i opozitës, mundësitë për të qetësuar situatën të jenë rritur.

Kjo kërkon përpjekje padyshim edhe nga mazhoranca për të treguar më shumë vullnet për t’i qetësuar ato shqetësime, që opozita ngre dhe që shqetësojnë edhe opinionin e gjerë, kuptohet sepse çdo opozitë ka axhendën e saj ka programin e vet politik dhe ka qëllimet e saj. Por shpresojmë që të kemi një qetësim përmes një dialogu më të sinqertë, më aktiv dhe përmes një përfshirje më të madhe të opozitës për çështje të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me sovranitetin e Kosovës, me integritetin e Kosovës edhe me funksionimin e institucioneve të saj në mënyrë sa më demokratike.

Si do të reagonit ju z. Meta nëse do të hidhej gaz lotsjellës në Kuvendin e Shqipërisë? Megjithëse, z. Berisha ka thënë se nuk është dakord me këtë lloj sjelljeje…

Unë besoj se situata në të cilën ka qenë kolegu im z. Veseli nuk ka qenë aspak komode, por besoj se ai gjithashtu ka treguar mjaft durim për të shmangur situata edhe më të vështira se sa ato që kemi parë. Se thonë ndonjëherë që e mira nuk ka fund, por thonë edhe që e keqja nuk ka fund. Por unë besoj se ai ka bërë përpjekje të vazhdueshme për ta mbajtur këtë shkallë konflikti maksimalisht sa më të izoluar. Nuk është e thjeshtë, nuk është e lehtë sidomos kur je Kryetari i Kuvendit, e unë e shikoj edhe në Shqipëri. Mos mendoni se të dyja palët janë të kënaqura me mua. Sepse opozita ka harruar se si trajtohej opozita më parë, e ka harruar këtë gjë dhe do të dëshironte të ishte shumë më e favorizuar në kurriz të rregullores dhe të procedurave parlamentare. Por edhe mazhoranca shpeshherë nuk është shumë e lumtur, kur opozita tolerohet më shumë se sa duhet, por natyrisht që kjo është një përpjekje për t’i normalizuar gjërat dhe për t’i mbajtur të gjithë bashkë në Parlament në kuptimin e mirë të fjalës. Sepse është gjëja më e thjeshtë për të krijuar ato raporte të cilat mua më duken shumë korrekte nga ana formale, por të cilat mund ta çojnë opozitën jashtë Parlamentit dhe t’i çojmë problemet në rrugë. Mendoj që sidoqoftë është detyra e jonë të përpiqemi ti zgjidhim problemet në Parlament. Pastaj se si ne e përdorim këtë mundësi këtë e gjykojnë qytetarët.

A e keni këshilluar z. Veseli dhe a jeni takuar me të për të diskutuar këto zhvillime?

Nuk mendoj se është e nevojshme që unë të këshilloj z. Veseli, sepse z. Veseli është me mjaft eksperiencë. Natyrisht si Kryetar Kuvendi është më i ri se unë, por mendoj që ka eksperiencë të gjatë, e njeh politikën, ndonëse për një kohë të gjatë më shumë nga jashtë se sa në drejtim të institucioneve, por mendoj se ka patur vullnetin mjaft pozitiv për të qenë një faktor qetësues, moderues, balancues, dhe mendoj që e ka bërë me shumë përkushtim këtë gjë. Por kuptohet, Kryetar Kuvend, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë je një i barabartë me gjithë të tjerët.

Si e shihni problemin e demarkacionit dhe asosacionit? Ne patëm një ekip ekspertësh ndërkombëtarë të caktuar nga Presidentja Jahjaga, e cila pothuajse konstatoi të njëjtën gjendje që ishte konstatuar edhe më parë nga një agjenci vendore. Në anën tjetër, për asosacionin kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që parasheh asosacionin. Pra cili është qëndrimi juaj personal ose i shtetit shqiptar për këto dy çështje që e nxitën komplet eskalimin e situatës?

Kam përshtypjen që një raport më i qëndrueshëm, më konstruktiv prej kohësh midis mazhorancës dhe opozitës, ndoshta mund ta kishte qetësuar situatën më parë, apo ta kishte mbajtur këtë debat apo le të themi konflikt politik në parametra më të pranueshëm. Presidentja ndërmori një iniciativë në kuadër të një ekspertize ndërkombëtare për të rritur transparencën e kështu me radhë. Unë nuk është se kam shumë njohuri konkrete mbi mënyrën se si është vepruar edhe kështu me radhë, di që opozita përsëri ka shprehur kontestimet dhe pakënaqësitë e saj.

Unë besoj gjithmonë se zgjidhja nuk vjen përmes ekranit dhe përmes kamerave. Madje, kjo është dhe këshilla ime në Shqipëri dhe në Kuvend, edhe me përfaqësuesit e forcave politike, që nëse duhet të zgjidhim diçka të lëmë kamerat mënjanë. Edhe e kam vënë re gjithmonë që pa kamerat situata është mjaft bashkëpunuese, komunikohet njerëzisht, me logjikë e me argument. Momentin që vendosen kamerat secila palë vendoset në llogoren e vet politike dhe flet për kamerat, për militantët, nuk flet për problemet dhe kështu largohemi nga zgjidhja. Është e rëndësishme të ulen dhe të bisedojnë me shumë qetësi, me argumente, sepse unë mendoj që nuk kemi dy Kosova, por kemi një Kosovë dhe përderisa të gjithë shprehen dhe janë të preokupuar për këtë interes shtetëror dhe kombëtar, që në të dyja rastet është i përbashkët, nuk ka asnjë arsye për të mos i zgjidhur dhe për të mos iu përmbajtur parimeve të Kushtetutës.

Një pyetje për Lëvizjen Vetvendosja, që është promotori dhe lideri i opozitës në vendin tonë. Kryeministri shqiptar, z. Edi Rama e quajti një pasuri kombëtare, të njëjtën gjë e ka thënë edhe Lulzim Basha kur ishte për vizitë në Kosovë. Në anën tjetër ish-Kryeministri Berisha tha se veprimet e tyre janë të inspiruara ose çojnë ujin në mullirin e Serbisë dhe Rusisë. Ju si mendoni, Vetvendosja a është pasuri kombëtare apo është vegël e armiqve tanë shekullor?

Unë kam thënë diçka me kohë, që edhe Ahmet Zogu, edhe Enveri edhe Doktori si i themi ne në Shqipëri, këta janë të gjithë tanët, pavarësisht se njëri është hero tjetri është tradhtar, pastaj tjetri bëhet hero sipas ndërrimit të sistemeve të partive në pushtet e kështu me radhë. Pra janë produktet e vendit tonë, të kombit tonë, të historisë tonë, të rrethanave tona, të pjekurisë sonë, të aspiratave tona.

Kjo mendoj që ndodh edhe me partitë. Në këtë drejtim unë them se vlerësojmë atë pasionin e Vetvendosjes për të theksuar çështje të ndryshme, por përveç vizionit dhe pasionit, mendoj se është shumë e rëndësishme edhe rruga që ndiqet për të realizuar një projekt apo një synim. Dhe në këtë drejtim, e kam thënë edhe më parë, përdorimi i disa mjeteve që e shtojnë tensionin dhe shmangin dhe vëmendjen nga vetë problemi për të cilin ti je i angazhuar për ta zgjidhur, nuk është i dobishëm dhe i frytshëm. Kështu që unë besoj se për të gjitha forcat politike ka një gjykatës, që është më i mirë se kushdo tjetër, dhe është vota e qytetarëve.

Shteti shqiptar nuk ka pasur një reagim lidhur me deportimet e fundit të dy aktivistëve të “Vetëvendosjes” në Shqipëri për disa vepra të supozuara. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?

Nuk mund të them asnjë gjë konkrete. Jo për oportunizëm. Por, realisht nuk i di arsyet konkrete përse ka ndodhur një akt i tillë. Mënyra më e mirë për të marrë një informacion apo një përgjigje për këtë është Ministria e Jashtme e Shqipërisë për të dhënë ajo një shpjegim nga ana e vetë sesi e gjykon, në rast se do të bëhej fjala për një qëndrim të Shqipërisë.

Cilat janë prioritetet midis nesh dhe çfarë janë duhet të bëjmë më shumë për integrimin tonë?

Ajo që duhet të bëjmë më shumë për integrimin tonë është, që kjo rrugë e jashtëzakonshme që bashkon Shqipërinë me Kosovën dhe që na mundëson ne këtë komoditet, që të vijmë sot për dy orë dhe të kthehemi përsëri, të vihet realisht në funksionim edhe shkëmbimet tona tregtare dhe ekonomike të rriten shumë më tepër sesa ne kënaqemi që u rritën 10 për qind, 7 për qind e kështu me radhë. Mundësia dhe hapësira është e jashtëzakonshme. Kjo ka qenë edhe një nga arsyet që unë kam qenë në Pejë së fundmi dhe kam përshtypjen se këto ditë do të jetë edhe Ministri i Bujqësisë së Shqipërisë me disa sipërmarrës në këtë fushë, me disa nga grumbulluesit dhe eksportuesit kryesorë të Shqipërisë. për të zhvilluar takime atje sepse kemi mundësi shumë të mëdha.

Nuk besoj se Shqipëria dhe Kosova mund të kenë partnerë tregtarë më të mëdhenj dikë tjetër sesa njëri-tjetrin, sepse rruga është, gjuha është, interesi është dhe komplementariteti është. Ky komplementaritet që po zhvillohet në fushën e energjisë duhet të zhvillohet më tej në fushën e bujqësisë, të ushqimit dhe të industrisë, e kështu me radhë. Sepse është interesi i madh, është leverdia e madhe, është diçka me leverdi ekonomike, por patjetër është edhe një interes shumë më i gjerë sesa kaq dhe më afatgjatë.

Sa herë kaloj Vermicë shoh kamionë, maune nga Shqipëria që presin në radhë pa asnjë nevojë. Si do të zgjidhet kjo situatë?

Shpresoj të kemi një zgjidhje në këtë drejtim. Kemi folur disa herë me ambasadorin Minxhozi, kam folur edhe me Ministrin e Financave z. Ahmetaj, i cili më ka thënë se së shpejti do të takohet me Ministrin e Financave të Kosovës dhe i kam nënvizuar këtë rëndësi që të gjejmë një mënyrë sidomos për sa i takon periudhës së sezonit të eksporteve të prodhimeve bujqësore, ushqimore e kështu me radhë,veprimet doganore të bëhen te qendrat e grumbullimit dhe eksportimit në mënyrë që mjetet të mos presin në doganë, sikurse mund të ndodhë aktualisht. Për këtë duhet të luftojmë çdo ditë, për të bërë gjëra konkrete, gjëra praktike. Unë isha në Krushë të Madhe para disa ditësh në prag të përvjetorit të masakrës së Krushës. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte një aktivitet i grave aty, shumica e të cilave kishin humbur bashkëshortët gjatë luftës, që ato e vetëmenaxhonin në një hapësirë modeste. Ato arrinin të prodhonin dhe përpunonin kryesisht specin, por edhe produkte të tjera lokale e kështu me radhë, për një pjesë e të cilave e merrnin lëndë të parë edhe nga Shqipëria në sezonet kur nuk prodhohej këtu. Jo thjesht prodhonin, por edhe eksportonin edhe në Zvicër e vende të tjera.

E përmenda këtë sepse ne shpesh flasim për strategji të mëdha, të rëndësishme, ndërkohë që njerëzit duan gjëra konkrete, prekshme, të sotme por edhe të së ardhmes. Në këtë drejtim ne na mbetet ende shumë punë për të bërë, për t’i dhënë një përmbajtje më konkrete marrëdhënies midis Shqipërisë dhe Kosovës; Kosova të përfitojë sa më shumë nga Shqipëria, Shqipëria të përfitojë sa më shumë nga Kosova dhe kështu të rriten përfitimet e përbashkëta.

Më parë Shqipëria merrte shembull Kosovën për sa i takon zgjedhjeve të ndershme, por vitet e fundit ne jua kemi kaluar juve. Çfarë mund të mësojnë Kosova dhe Shqipëria prej njëra-tjetrës lidhur me mënyrën dhe standardin të zhvillimit të zgjedhjeve?

Unë besoj se ne kemi bërë hapa të rëndësishëm pozitivë, por pa dyshim kemi nevojë të kemi në konsideratë se na duhet të punojmë shumë më tepër se sa punojmë. Duhet të jemi shumë më modestë sesa jemi. Këtu e kam fjalën për klasën politike në të dyja vendet tona. Duhet të jemi shumë konkretë dhe tjetra që duhet të kemi parasysh është që duhet të çlirohemi nga megalomania që gjithçka rrotullohet rreth nesh dhe që të tjerët nuk kanë punë tjetër veçse të merren me ne.

Bota ka sfida shumë më të mëdha sesa para disa vitesh më parë. Ka shumë më tepër probleme financiare dhe ekonomike sesa më parë dhe ka më pak mundësi dhe resurse për të na mbështetur dhe ndihmuar. Nëse ne nuk punojmë më shumë. Nuk jemi konkretë, nuk bëjmë projekte konkrete, nuk krijojmë një imazh më pozitiv në drejtim të stabilitetit, në drejtim të forcimit të ligjit, në drejtim të funksionimit të institucioneve, në drejtim të klimës së biznesit, pastaj do ta kthejmë politikën në një pengesë të madhe për zhvillimin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Z. Meta, së fundmi u zbulua një skandal i madh, ku shumë liderë janë përfshirë në atë që quhet “Panama Papers”. Në to bënte pjesë edhe një kompani nga Shqipëria. A duhet të presim që të shohim edhe emrat e politikanëve shqiptarë në rrjedhjen e këtyre dokumenteve?

Fakti që ka dalë, mendoj se është një gjë pozitive, si e lexoj unë këtë çështje ose si duhet ta lexojmë ne, sepse ne asnjëherë nuk duhet të merremi me hallet e të tjerëve, duhet të merremi me hallet tona. Rasti konkret që ka dalë për një kompani shqiptare ose që ka aktivitet në Shqipëri, ka marrë këtë koncesionin për markimin e karburanteve, na tregon sesa të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm duhet të jemi në zhvillimin e praktikave koncesionare, sidomos të shërbimeve publike.

Për mua patjetër çdo rast duhet të hetohet, dhe ne e kemi kërkuar këtë gjë. Dhe çdo rast tjetër që do të dalë jo vetëm nga “Panama Papers”, por edhe nga çdo lloj parajse fiskale, ku ka të përfshirë politikanë shqiptarë. Nuk po themi botërorë se nuk po përgjigjemi për të gjithë botën. Sepse kjo është një çështje që ka të bëjë me transparencën, por ka të bëjë edhe me integritetin, ka të bëjë në fund fare edhe me taksat e qytetarëve shqiptare. Sepse në qoftë se një qytetar i thjeshtë paguan atëherë pse dikush tjetër, qoftë ky një politikan apo një i afërm i një politikani apo edhe një biznesmen, duhet të gjejë mënyra dhe forma për të bërë manipulime të tilla dhe të shpëtojë nga këto detyrime. Pra janë arsye të shumta. Ajo që unë mendoj për ne, nga rasti në fjalë, është që ne duhet të forcojmë transparencën për sa i takon praktikës së dhënies së koncesioneve në të ardhmen dhe të përmirësojmë legjislacionin në këtë drejtim, sepse ato mund të kthehen në një barrë shumë të madhe për buxhetin e shtetit dhe në një pengesë për zhvillimin e vendit, dhe njëkohësisht, për fat të keq, në një kosto të rritur për qytetarët tanë dhe në një cilësi të parealizuar të shërbimeve ndaj tyre. Siç edhe ka ndodhur me shumë koncesione deri tani.

A mund të dalin edhe të tjera? A keni informacione?

Ne jemi për transparencë të plotë. I takon Prokurorisë shqiptare të bashkëpunojë më të gjithë institucionet e vendeve të tjera, ku ka parajsa të tilla. Të bashkëpunojë me partnerët tanë kryesorë, agjencitë e tyre, me SHBA-të, me vendet evropiane dhe të hetojë në çdo rast.

Z. Meta, si po ju shkojnë punët me partnerin e koalicionit në Shqipëri? Në pjesën e parë të bashkëpunimit keni prodhuar shumë lajme me partnerin tuaj, Partinë Socialiste, por tani keni dalë paksa në ujëra të qeta. Çfarë ndodhi realisht?

Lëvizja Socialiste për Integrim përpiqet gjithmonë të jetë në raporte mjaft konstruktive dhe luajale edhe me Partinë Socialiste, me të cilën jemi në koalicion që prej vitit 2013. Por kemi qenë edhe më përpara me PS-në, në periudhën 2006-2007. Ne përpiqemi t’i qëndrojmë marrëveshjeve, parimeve të marrëveshjeve. Kjo është kryesore për ne. Sigurisht që është shumë e rëndësishme që edhe marrëveshjet t’i shërbejnë vendit.

Kryeministrin Rama nuk e keni lënë në gjumë të qetë. Vazhdimisht keni dërguar sinjale që ju e mbroni me fanatizëm partinë tuaj dhe nuk jeni me çdo kusht partner besnik nëse pala tjetër nuk e tregon të njëjtin luajalitet ndaj jush…

Ne i qëndrojmë parimeve të marrëveshjes dhe për ne qëndrime fanatike apo vija të kuqe janë: stabiliteti i Shqipërisë; Shqipëria si faktor stabiliteti në rajon, sepse as e para nuk mund të funksionojë pa të dytën dhe janë shumë të ndërlidhura; integrimi evropian i Shqipërisë. Nuk ka asnjë iniciativë apo reformë që i shërben kësaj çështjeje që LSI-ja të mos jetë promotore apo mbështetëse e padiskutueshme. Që kur është krijuar LSI, në vitin 2004, nuk ka qenë asnjëherë një pengesë apo një vonesë për një çështje për raportet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, apo marrëdhëniet tona me NATO-n e kështu me radhë. Natyrisht që ka shumë çështje të tjera, shumë prioritete të tjera por kuptohet që në koalicion duhet të jesh edhe fleksibël.

Vitin e ardhshëm do të zgjidhet Presidenti i ri i Shqipërisë. Është spekuluar këto kohët e fundit për mundësinë që ju të jeni një kandidat i koalicionit për President të Shqipërisë?

Kjo është një çështje për momentin, jo vetëm e parëndësishme, sepse në politikë rëndësia përcaktohet nga prioriteti dhe nuk është aspak prioritet. Kjo do të jetë prioritet në prill ose maj kur do të ketë kohë e saj. Aktualisht ne kemi një President, z. Nishani, i cili kryen këtë detyrë. Natyrisht nuk janë zgjedhje presidenciale, sepse Shqipëria nuk është një vend presidencial. Është zgjedhja e Presidentit nga Parlamenti. Sa i takon spekulimeve, do të ketë shumë. Do të dalin me dhjetëra apo me qindra emra, siç është traditë sa më shumë afrohet kjo periudhë. Kjo është gjë e zakonshme. Unë mund t’ju siguroj se jam kandidat i sigurt për kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, sepse do të kemi zgjedhjet brenda vjeshtës në LSI, sipas statutit të LSI-së. Për këtë gjë ju siguroj.

Po flitet për një mundësi që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen në mars ose në prill të vitit të ardhshëm, pra para zgjedhjes së Presidentit.

Nuk mendoj se Shqipëria ka ndonjë arsye për të mbajtur zgjedhje të parakohshme.

Presidentin e ardhshëm a duhet ta zgjedhë ky parlament apo parlamenti tjetër?

Kjo është çështje kalkulimesh, të cilët më shumë se kushdo tjetër mund t’i bëjnë juristët, por nuk mendoj se kjo është kaq shumë e rëndësishme.

A besoni se në zgjedhjet e ardhshme do të jeni prapë në koalicion me të njëjtin partner të koalicionit apo LSI do të shkojë e vetme dhe pastaj do të vendosë më kë do të bëjë koalicion, si përcaktuese tashmë historike e qeverive?

Unë jam kryetar i LSI-së, por nuk jam LSI-ja. Që do të thotë që LSI-ja është më e gjerë se sa kryetari i saj dhe unë nuk mund të marr vendim në emër të saj. LSI ka marrë një vendim për këtë koalicion dhe do t’i qëndrojë koalicionit sikurse i ka qëndruar me korrektësi deri më tani. Ky është një koalicion që ka bërë punë të mira, ka ndërmarrë reforma të rëndësishme por ka ende shumë punë për të bërë, ka ende shumë përmirësime për të bërë. Vendi ka probleme të mëdha dhe pafund. Dhe në këtë drejtim ne jemi të përqendruar në përmirësimin e mëtejshëm të qeverisjes. Për sa i takon vendimeve që do të merren për të ardhmen, thashë edhe një herë, që këto do të gjykohen nga vetë strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe natyrisht që do të diskutohen apo komentohen edhe nga analistët.

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix3 orë më herët

Si e dekoroi Kendall Jenner shtëpinë për Krishtlindje

Dashuria e Kendall Jenner për Krishtlindjen vjen nga nëna e saj Kris Jenner. “I jap shumë meritë nënës sime për...

Radar3 orë më herët

“Na duhet aleancë kundër krimit, korrupsionit, drogës dhe mafias. Në Itali nuk e bëri veç drejtësia”

Dom Gjergj Meta “Duhet të bëjmë një aleancë qytetare kundër krimit, korrupsionit dhe mafies”. Kështu u shpreh Dom Gjergj Meta,...

Radar4 orë më herët

Ekonomia po rritet pa konsum

Në 3-mujorine e tretë, kur turizmi ishte në kulmin e tij konsumi final i popullatës u rrit me vetëm 0.8...

Mix4 orë më herët

VIDEO: Kërcimi viral i Donald Trump për Krishtlindje

Donald Trump priti Krishtlindjet në pronën e tij në Mar -a – Lago ku mblodhi familjen e madhe. Show-n e...

Mix23 orë më herët

Sam Altman kundër Elon Musk: “ai është një bullizues, i pëlqen të debatojë me njerëzit”

Dihet mirë se marrëdhëniet mes Sam Altman dhe Elon Musk nuk janë idilike dhe përgjigja e OpenAI për Musk e...

Mix23 orë më herët

“La Palma”: Seriali i ri në Netflix që po thyen rekorde shikueshmërie

Shikuesit besnikë të Netflix janë shumë të emocionuar për serialin e ri “La Palma”, i cili përshkruhet nga shumë njerëz...

Mix23 orë më herët

100 christmas wishes for friends and family

Best Christmas Wishes, Sayings and Greetings To Write in Christmas Cards 1. Merry Christmas! I hope you receive one blessing after...

Mix24 orë më herët

Krishtlindje: sugjerime filmash për një atmosferë magjike!

Krishtlindjet janë koha e përsosur për të shijuar disa filma klasikë që përcjellin mesazhe të ngrohta, dashurie dhe miqësie. Filmat...

Radar24 orë më herët

Presidenti Donald Trump do të përballet me një Phenian ndryshe gjatë mandatit të dytë!

Në mandatin e tij të parë si President i Shteteve të Bashkuara, Donald Trumpi forcoi sanksionet ekonomike kundër Koresë së...

Kryesore1 ditë më herët

Përfundoi në spital, Mziu sulmon Gjekmarkajn: Me fat që është gjallë, duke ditur që s’ka shtyllë kurrizore

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka sulmuar kolegun e tij Agron Gjekmarkaj, pasi ky i fundit përfundoi në spital,...

Facebook