Mix
Marrja e Abdesit dhe farzet (detyrimet) e tij
Edhe abdesi është një nga mënyrat e pastrimit. Fjala abdes vjen nga persishtja e formuar nga fjalët ab, që do të thotë ujë dhe dest, që do të thotë dorë. Pra abdes do të thotë “ujë duarsh”, por në fjalorin e gjuhës shqipe është integruar në formën abdes. Në ajetin e 6-të të sures Maide përcaktohen farzet e abdesit, ku Allahu xh.sh. urdhëron:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا قُمْتُمْ إِلَى الصَّلَاةِ فَاغْسِلُوا وُجُوهَكُمْ وَأَيْدِيَكُمْ إِلَى الْمَرَافِقِ وَامْسَحُوا بِرُءُوسِكُمْ وَأَرْجُلَكُمْ إِلَى الْكَعْبَيْنِ
“O ju që besuat. Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryl; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri te dy zogjtë (e këmbës).” (El Maide: 06)
Abdesi është adhurim fillestar me të cilin robi (krijesa e Zotit) vërteton devotshmërinë e vet duke bërë atë që i vjen e vështirë vetes. Kështu, duke hedhur tej mpirjen shpirtërore dhe duke u gjallëruar fizikisht, ai bëhet gati për namaz, që do të thotë për paraqitje para Zotit. Farzet e abdesit janë katër:
1. Larja e fytyrës. Allahu xh.sh. ka thënë: “…Lani fytyrat tuaja…”
Kufijtë që përcaktojnë fytyrën janë bulëzat e veshëve, fillimi i rrënjëve të flokëve mbi ballë dhe pika ku nofulla bashkohet me qafën. Nëse kemi mjekër të dendur, mjafton që të depërtojmë në të me dorë të lagur, pa e larë me ujë të bollshëm. Gjithashtu është farz praktik pastrimi i mjekrës së rrallë, nga e cila mund të shihet lëkura e fytyrës, dhe ngjashëm me të janë edhe mustaqet, vetullat dhe pjesa e qimeve që del mes buzës së poshtme dhe mjekrës. Gjatë larjes së fytyrës këshillohet të lexohet kjo lutje:“O Zoti im, ma shndrit fytyrën time atë ditë kur i zbardh disa fytyra dhe i nxin disa fytyra.”
Nëse pas marrjes së abdesit bëhet rruarja apo qethja e flokëve, nuk ripërsëritet abdesi, e as dhënia mes’h kokës. Gjithashtu nuk ripërsëritet abdesi për shkak të prerjes së mustaqeve ose vetullave të tij, apo për shkak të prerjes së thonjve ose kruarjes së lëkurës, masazhimit.
2. Pastrimi i krahëve gjer mbi bërryla. Allahu xh.sh. thotë: “…Dhe duart tuaja deri në bërryla…”.
Nëse kemi unazë në gisht, apo orë në dorë, atëherë ato duhen lëvizur në mënyrë që të depërtojë uji. Duhet bërë shumë kujdes gjatë larjes së parakrahëve, duke përfshirë në larje edhe bërrylat. Kur të pastrohet krahu i djathtë thuhet kjo lutje: “O Zoti im, më jep mua librin e llogarive të mia nga krahu i djathtë dhe më lehtëso llogarinë.” Kurse gjatë pastrimit të krahut të majtë thuhet: “O Zot i im, mos ma jep librin tim në të majtë e as pas shpine”.
3. Mes’h -Fërkimi me dorë të lagur i një të katërtës së kokës është farz, kurse kur t’i jepet mes’h pjesës së parë të kokës është synet. Allahu xh.sh. thotë: “Fërkoni kokat tuaja”.Në fërkimin e kokës nuk është i nevojshëm ujë i bollshëm, por mjafton që dora të laget një herë enkas për këtë fërkim. Gjatë dhënies mes’h kokës thuhet kjo lutje: “O Zoti im, flokët dhe lëkurën time bëje haram (të ndaluar) për zjarrin e Xhehenemit.”
4. Larja e këmbëve bashkë me thembrat gjer mbi nyja. Allahu xh.sh. thotë: “…E këmbët lani deri në dy zogjtë…” Gjatë larjes së këmbëve lexohet kjo lutje:“O Zoti im, forcoji këmbët e mia mbi Sirat, atë dikë kur rrëshqasin këmbët.”
Pastrimi i këtyre pjesëve një herë është farz, kurse kur ai shtohet mbi një herë, bëhet synet. Gjatë marrjes së abdesit kujdes të veçantë i duhet kushtuar larjes së gishtave, thonjve dhe vendeve ku rrëshqet uji. Nëse gjatë abdesit në gisht ka ndonjë unazë, apo orë, që është e shtrënguar pas kyçit të dorës, duhen lëvizur patjetër me qëllim që të depërtojë uji.
Gjithashtu, trupi duhet pastruar në një mënyrë të tillë që të shmanget çdo lloj pengese që ndalon ujin të prekë lëkurën, por nëse kemi vështirësi të mëdha në pastrimin e diçkaje nga trupi ynë, kjo nuk e pengon abdesin. Këtu kemi parasysh personat të cilët janë vazhdimisht në kontakt me lëndë të ndryshme, si marangozi, bojaxhiu, mekaniku etj.
Nëse larja e ndonjërës prej këtyre gjymtyrëve do ta dëmtonte shëndetin e njeriut, siç ndodh kur kemi një fashë mbi një plagë, atëherë mundësisht ta fërkojmë me dorë të lagur. Nëse edhe kjo është e dëmshme, atëherë plaga nuk preket.