Radar
Nga korriku rritet çmimi i qumështit dhe nënprodukteve të tij
Çmimi i qumështit dhe nënprodukteve të tij pritet të rritet në treg nga data 1 korrik. Janë vetë përpunuesit e qumështit ata që lajmërojnë shtrenjtimin me 10 për qind, për shkak të ndryshimit të çmimit të plastikës nga vendet furnizuese dhe shtrenjtimi i çmimit të energjisë nga rinovimi i kontratave në tregun e lirë.
Rritja e çmimit të plastikës, me të cilat bëhet edhe ambalazhimi i bulmetit, ishte lajmëruar 3 muaj më parë, nga Greqia e Italia, dy shtetet potenciale që furnizojnë vendin tonë.
Ndërkohë, kjo rritje çmimesh duket se nuk prek vetëm tryezën, por edhe lëndë të tjera të para, si ato që lidhen me fushën e ndërtimit apo edhe tregun e karburanteve.
Për hidrokarburet, çmimet janë rritur për herë të tretë brenda këtij viti në javën e fundit të qershorit.
Edhe kjo lëvizje ishte lajmëruar për shkak të hapjes së qarkullimit global dhe rritjes së kërkesës për naftë, benzinë e gaz.
Në pikat e tregtimit të operatorëve kryesorë në vend, nafta dhe benzina po shiten me 5 lekë më shtrenjtë.
Kjo situatë në tregje mbetet e pasigurt, ndërkohë që ekspertët mendojnë se ajo do të stabilizohet pas muajve shtator, apo tetor./Euronews