Aktualitet
Aksidentet / Gonxhe ua hedh fajin grave në timon: Lyhen në makinë dhe mbajnë celularin në dorë…
Dy aksidente, pak javë më parë në Tiranë ku një vajzë humbi njërën këmbë dhe të premten aksin Fier-Vlorë me 4 viktima duke shuar një familje tronditën opinionin publik për sigurinë në rrugë.
Gazetari Artan Hoxha i ftuar në emisionin “Log”, e pyeti drejtorin e Përgjithshëm të DPSHTRR, Blendi Gonxhe si shpjegohet fakti që pjesa dërrmuese e aksidenteve me pasoja të rënda kanë autorë moshat e reja me makina luksoze?
Gonxhe nuk e pranoi konstatimin e gazetarit Hoxha duke thënë se nuk mbështetet në statistika. “Perceptimi juaj, të dyja nuk janë të mbështetur në statistika. Në të gjitha parametrat deri në 24 vjeç apo 44 vjeç apo 60 vjeç, jemi më mirë se në vitin 2018, nuk po shkoj më larg.
Unë ju garantoj që perceptimi, është i drejtë ta kemi shqetësimin, por nuk qëndron. Mund të flasim për, të rinj dhe makina të fuqishme, ku na çon ky binom? Por nuk ka statistika që janë makina luksoze dhe bëjnë aksidente”, tha Gonxhe.
Drejtori i Përgjithshëm të DPSHTRR, Gonxhe kishte një kritikë për vajzat dhe zonjat në timon. “Vetësiguria fillon në atë 10 vjeçarin e parë, fillohet pihet, mbahet celulari, shoh, ka edhe zonja, vajza të nderuara që janë tërë kohën duke u lyer, me telefon në dorë. Është gati edhe arrogancë, pasi makinat e reja janë me Bluetooth dhe nuk ka nevojë më për celular në dorë.
Pasi mund t’i lidhim me Bluetooth, por në përgjithësi për fat të keq femrat e bëjnë shumë këtë gjë” tha ai. Ngjarjen e fundit të premten ku u shua një familje, Gonxhe e cilësoi “të pafalshme, që shënon të gjithë kujtesën tonë”, tha ai.
Pavarësisht kaheve politike, Gonxhe vlerësoi vendimin e Presidentit që u dha “OK” ndryshimeve të Kodit Rrugor. “Ajo që bëri presidenti ishte një punë e mirë e tij, një punë shumë e mirë, që aprovoi të gjithë paketën e Kodit Rrugor, me heshtje, nuk ka rëndësi, por që nuk e kundërshtoi” tha Gonxhe