Kioske
S’di se kush ishte shtatzënë
Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, njihet për batutat e tij. Por një deklaratë e dy ditëve më parë nuk ka qenë e tillë, por një gafë e vërtetë.
Berlusconi gjatë një manifestimi të organizuar nga partia e tij, Forca Italia, në mbështetje të kandidatit për kryebashkiak të Milanos, Stefano Parisi, ka folur edhe në lidhje me jetën e tij private. Ai ka thënë se do të bëhet gjysh për herë të nëntë.
Por ajo që kavalieri gaboi ka qenë pikërisht nëna e fëmijës që pritej të lindte. Ai ka thënë se ishte i lumtur se Silvia Toffanin, gruaja e djalit të tij, Pier Silvio Bersulconi, ishte shtatzënë dhe priste një vajzë, që do ta bënte ish-kryeministrin gjysh për herë të nëntë.
Por në fakt, shtatzënë ishte vajza e tij, Eleonora Berlusconi. Ndërsa Silvia Toffanin, nusja e djalit dhe një prej prezantueseve më të njohura të “Mediaset”-it, ka reaguar menjëherë duke njoftuar se nuk është shtatzënë.
“Prej pak kohësh kam marrë vesh se do të kem një mbesë të vogël, vajzën e djalit tim Pier Silvio”, tha Berlusconi, por pak orë më vonë me anë të një njoftimi partia e tij e cilësoi këtë një “ngatërresë për shkak të emocioneve”.
Dje Berlusconi u bë vërtet gjysh për herë të nëntë, por nga vajza e tij, Eleonora.
Ish-kryeministri i Italisë së shpejti mbush 80 vjeç.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu