Radar
Ushqimet në Shqipëri më të shtrenjtat në Ballkan
Ushqimet dhe pijet jo alkoolike në Shqipëri janë më të shtrenjtat në Rajon. Sipas EUROSTAT, ato janë sa 83.4% e mesatares së BE-së, duke u renditur më të lartat në rajon për vitin 2020. Jo vetëm për ushqimet por edhe për veshjet, këpucët, apo edhe çmimet e shërbimit të transportit dhe të komunikacionit janë më të lartat në rajon.
Niveli i përgjithshëm i çmimeve në Shqipëri ishte sa 58% e mesatares së BE-së me 2020. Fqinjët përveç Serbisë që është në të njëjtin nivel me Shqipërinë, kanë çmime më të ulta, pasi ky tregues në Malin e Zi 57%, Bosnjë 55%, në Maqedoni është 50%, apo Rumani 38%. Sa i takon restoranteve dhe hoteleve, Shqipëria ka çmime më të larta se Turqia dhe Maqedonia e Veriut.
Shqipëria është klasifikuar nga Eurostat si vendi me të ardhurat për frymë më të ulëta në rajon të ndikuara edhe nga pandemia e Covid-19. Të ardhurat për frymë vlerësohen sa 31% e mesatares së BE-së duke mos pësuar rritje.
Të ardhurat për frymë në 2020 ishin në vlerën e 4.459 eurove, me një rënie prej 323 euro krahasuar me 2019. Këtë vit pritet që të ardhurat për banor të arrijnë në 4.782 euro, e njëjta vlerë me vitin 2019.