Kioske
“I riu blen mallin, por shikoni çfarë ndodh kur hap pakon”.
Bledi i Kozanostrës
Nga Sokol Shameti
Vjet në pikë të vapës, teksa po pija kafe në lokalin e Bledit e po haheshim me fjalë ai nga banaku e unë si klient i vetëm në verandë, mbi faktin nëse media në Shqipëri ka marrë fund me gjithsej apo vetëm vende-vende, thashë me mendje ta bëj Bledin e pafajshëm, shembull.
Sipas meje, edukimi i papërshtatshëm është problemi i cilësisë së ulët në median tonë (e nuk flas vetëm për cilësi të ulët shkrimi, por edhe cilësi të ulët raportimi, cilësi e ulët redaktimi, mor po edhe cilësi e ulët vlerësimi e asaj çka përbën lajm).
Ata që kanë në dorë sot të vendosin çfarë quhet lajm, e çfarë do “hante” publiku për lajm, vetëm gabimisht nuk punojnë si agjentë shitjesh me pakicë, gjë për të cilën po specializohen – mbase dhe nga halli – përditë.
Ti hap faqet online të ushqesh kureshtjen me diçka të qenësishme, e të ofrojnë sapun me ambalazh djathi cilësor fshati.
Si ndodh kështu? Duke qenë se të punësosh gazetarë profesionistë kushton shtrenjt, e më shtrenjt akoma kushton të punësosh numër të mjaftueshëm gazetarësh profesionistë saqë mbingarkesa në punë të mos i detyrojë t’i varin bidonat standardeve, atëherë pronarët e mediave, portaleve, televizioneve e çkamos tjetër i bien shkurt: Ata marrin në punë ose njerëz që nuk kanë formim profesional gazetaresk, ose një miks ku sidoqoftë ata profesionistët janë një pakicë e mbytur, e përmbytur, e përmbysur, madje gjysmëzyrtarisht e deklasuar.
E ç’ndodh më pas? Më pas, kur dikush si unë nga veranda e lokalit të Bledit e filmon Bledin teksa blen ujë nga autobotët ambulantë, i vendos një kolonë zanore prej Morrikoneje në trip Oktapodi, si dhe disa titra të mjegullta që e paraqesin blerjen ordinere të ujit si të ishte komplot siçilian, pra kur një mendje tallëse që do të argëtohet vihet në veprim, atëherë bingo! Portat e penetrimit në media (pra tek publiku) për këto lloj budallallëqesh, do të gjenden hapur nga mungesa e profesionistëve që do ta ndanin talljen apo ordineren nga mesazhi që do kishte vlerë t’i kumtohej publikut.
Kjo, sepse është kthyer tashmë në një formë të parashikueshme raportimi në media, sugjestionimi fals i publikut me fjalë, interpretime e kënde vështrimi, që duan të shesin asgjënë për kushedi se çë.
“I riu blen mallin, por shikoni çfarë ndodh kur hap pakon”. “Kapet mat: ja shoferi i ambasadës duke ngrënë fara kungulli”. “Çfarë po kurdisin kokë më kokë dy drejtoreshat e ministrisë së financave?”. “Fotot kompromentuese: Çfarë bën avokatja e popullit me socialistin e betuar Ulsi Manja në mes të ditës, në mes të kafenesë së Kuvendit?”.
Ngjarje tërësisht të rëndomta të realitetit, nga ato që do i shpërfillte cilido standard sado i ulët vlerësimi për atë çka përbën lajm, ku qëllimisht e ku të pasuara dorë më dorë në lukuninë e paemërt të rrjeteve sociale, mvishen me një terminologji dramatike, policore, enigmatike e kuazi-mitologjike, aq sa habia prej fantazisë së përdorur për maskimin e hiçit, s’të lë kohë të habitesh nga vetë hiçi.
Sepse, sigurisht gazetarët profesionistë, ata që më pas do hanë sharjet se “shiko çfarë llumi janë gazetarët”, nuk janë aty ta ndalojnë këtë marrëzi. Ndërsa ata që e shkaktojnë këtë marrëzi e cila do i damkosë gazetarët si llum, janë aty por nuk e kanë problem që llumin do e hanë gazetarët, pasi vetë nuk janë gazetarë.