Kryesore
Shpifësira demagogjike e kishës socialiste
Sot socialistët shqiptarë, apo më saktë shqiptarët socialistë, kanë dhënë një shfaqje të denjë për sojin dhe kulturën e tyre politike. Shfaqjen e dorëheqjes së Gramoz Ruçit sipas parimit “një për të gjithë e të gjithë për një”.
Gramozi më tregoi vendimin e tij për tërheqjen nga mandati, pata ndjesinë e këputjes së krahëve. Duke njohur atë, nga ai çast, akoma sot nuk e gjej se si do mbushet boshllëku i largimit të tij.
E di që ai do mbetet deri në ditën time të fundit në detyrë, këshilltari im. Meraku i madh është boshllëku i eksperiencës që do lërë në këtë parti. Askush nuk është i pazëvendësueshëm, por Gramozi nuk është lehtësisht i zëvendësueshëm.
Kjo do jetë një sfidë më vete për ne por duhet ta pranojmë me respekt vendimin e tij. Të ngjitesh lart është sfidë më vete, por të dish se kur të dorëhiqesh është një tjetër sfidë e vështirë. Shpresojmë ta di dhe unë momentin kur të tërhiqem.
Bëj plot 16 vjet që nuk ka asnjë moment të vështirë që nuk e kam konsultuar me ty. Kudo kam hasur vështirësi dhe mbi të gjitha jam mirënjohës për çdo gabim që nuk me ke lejuar të bëj. Nuk më ke lënë të nxitohem gabimisht
tha ndër të tjera me këtë rast kryetari i PS-së, Edi Rama.
Një monolog i shëmtuar që mund të tretet vetëm në acidin hipokritik të PS-së, kësaj partie të një soji që dinjitetin ia ka nënrenditur solidaritit të tufës.
Largimi i Gramoz Ruçit pasi doli në fushatë elektorale dhe mori mandatin dhe pas largimit të disa socialistëve të tjerë është politikisht i pakuptueshëm(vetëm në rastin e ndonjë sëmundjeje që nuk e urojmë). Ai mundet të përfaqësojë një gjest simbolik, një mesazh, por i cili shkon në favor vetëm të konsolidimit të kanoneve të asaj partie dhe nuk përfaqëson kurrfarë interesi pozitiv për ne që jemi jashtë asaj partie. Si të kuptosh largimin e një njeriu që ndoshta nuk është më në moshën e politikës aktive, por ama është në moshën e një shtetari. Si ta kuptosh largimin e disa figurave të tjera ndërkohë që pompohen askushë me diplomë dhe buzagazë miliarderë?
Si ta lexosh atë parti, si të pranosh se ajo është dukuri normale politike mes nesh, se dikur edhe na përfaqëson, kur sheh rebusin e disa vendimeve që kërkojnë parafrazime të mëdha politike?
Ekuacioni është më i thjeshtë në krahun tjetër, ndonëse më pak demokratik në dukje. Kisha e PS-së me këto koncile misterioze të dikujt që hyn e del, me përshëndetje lideri dhe lajle lule servilësh, përbën një të panjohur për ne qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, që kemi për detyrë të kuptojmë natyrën e kësaj organizate, e cila mban peng një vend të tërë. Me trashëgiminë e vet kriminale, por edhe me regjistrin e korrupsionit ku po shkruan historinë e re.
Aktet politike të pakuptueshme në një demokraci, janë po aq të rrezikshme për të sa edhe përpjekjet për subversion, sepse flasin për një natyrë sektare të vendimmarrjes dhe një kulturë klike. Ndaj largimi i orkestruar i Ruçit është asgjë më shumë sesa një pështymë mbi fytyrën tonë që na hidhet me demagogjinë skenike të qarkullimit të elitave. Patjetër që tani është radha e analistëve të nisin me simfoninë e llapjes për ta shpjeguar këtë akt.
S.ZAIMI