Temporal
Raporti i Sigurimit: Aleksandër Kondo rrihet me njerëzit dhe me policët, ndjek modën e huaj, inçizon e dëgjon muzikë xhazi
Nga Dashnor Kaloçi/
Pjesa e dytë
Publikohet historia e panjohur e Aleksandër Kondos, legjendës së peshëngritjes shqiptare që humbi jetën në moshën 27 vjeçare në rrethana tragjike dhe ende të pazbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Quens New York të SHBA-ve, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Peshëngritjes që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni.
Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit në ngarkim të Aleksandër Kondos, e deklasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arshivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.
Në Tiranën e fillim viteve ’80-të, jo vetëm për sportdashësit e shumtë por edhe më gjerë tek të rinjtë e kryeqytetit shqiptar, ra në sy dhe spikati një djalosh i ri asokohe në moshën 20 vjeçare, si për portretin e fizikun e tij, ashtu dhe për pamjen e jashtme, me veshjet e modës dhe në krah qafë hedhur çantën e sportit, e në supin tjetër një radio-magnetofon të madh, që ai i sillte nga jashtë shtetit, kur dilte me ekipin kombëtar të peshëngritjes në aktivitet ndërkombëtare.
Ai ishte Aleksandër Kondo, pjesëtar i ekipit të peshëngritjes “Dinamo” të Ministrisë së Punëve të Brendshme (ku asokohe shërbente si ushtaraku i lartë në Gardën e Republikës, edhe i ati i tij), dhe gjithashtu i ekipit kombëtar, i cili në ato kohë, falë edhe vlerësimit dhe trajtimit të diferencuar që i bënte regjimi komunist në fuqi disa sporteve të rënda, kishte arritur rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare.
Emri i Aleksandër Kondos si sportistë filloi të bëhej gjithnjë dhe më i njohur, sidomos pas rezultateve të tij të larta të arritura në vitin 1984, në Pallatin e Sportit “Partizani” të kryeqytetit, kur ai fiksoi shifrat 200 kg. (në stilin e shtytjes) duke elektrizuar mijëra sportdashës, (atë ditë më shumë spektatorë ishin jashtë pallatit të sportit se sa brenda tij), të cilët nën duartrokitjet e shumta, nuk largoheshin nga sheshi para pallatit, pa e parë nga afër atë djalosh, që i kishte mahnitur me rezultatet dhe performancën e tij.
Që nga ajo kohë, Sandër Kondo, pothuaj u kthye në një mit në Tiranë dhe Shqipërinë e asaj kohe, pasi rezultatet e tij erdhën gjithnjë e në ngritje, jo vetëm në kampionatet kombëtare, por edhe në arenën ndërkombëtare ku ai vazhdimisht kishte rezultate të larta.
Por shumë e shumë më tepër nga kjo periudhë kohe kur Sandër Kondo, ishte në kulmin e karrierës, emri i tij u bë edhe më i njohur dhe filloi të diskutohej në mbarë vendin, në fundin e majit të vitit 1985, kur gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në kuadrin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes që zhvillohej në Varshavë të Polonisë, (ku ai ngriti 210 kg.), Kondo nuk u kthye më në Shqipëri, por së bashku me shokun e tij të ekipit, shkodranin Xhelal Sukniqin, nga Mali Zi shkuan në Beograd, në pritje për të fituar azilin politik për në SHBA-ve.
Ngjarja e arratisjes së dy sportistëve shqiptarë bëri bujë të madhe jo vetëm për shkak të emrit dhe famës së madhe që kishte Aleksandër Kondo asokohe, por edhe për shkak se ajo ngjarje u bë objekt “sherri” në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, pasi Tirana zyrtare asokohe akuzoi hapur publikisht (në gazetën “Zëri i Popullit”), autoritetet jugosllave, duke thënë se dy sportistët shqiptarë ishin rrëmbyer prej shërbimeve sekrete jugosllave (UDB-së) dhe kërkoi kthimin e tyre në atdhe.
Por ai pretendim i Tiranës zyrtare, nuk kishte asgjë të vërtetë, pasi Kondo dhe Sukniqi e përgënjeshtruan atë gjë në takimin që u bë në Beograd, në mes përfaqësuesve të ambasadës shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj, e palës jugosllave, ku Sandër Kondo, pasi shau mbarë e prapë regjimin komunist të Enver Hoxhës, tentoi të godiste me tavëll duhani edhe diplomatin shqiptar, që ngulte këmbë se ai duhej të kthehej në Shqipëri, ku e priste familja dhe gjithë shoqëria.
Pas kësaj, Sandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi fituan azilin politik për në SHBA-ve, ku Sukniqi ndodhet akoma, ndërsa Kondo, humbi jetën në një aksident automobilistik, më 1 maj të vitit 1987, (gjithnjë sipas versionit zyrtar të regjimit komunist të asaj kohe), dhe eshtrat e tij u kthyen në Shqipëri në vitin 2003.
Të gjitha këto tashmë janë të njohura prej vitesh, pasi për Aleksandër Kondon si legjenda e peshëngritjes shqiptare është shkruar shumë dhe babai i tij, Vangjel Kondo, ka dhënë disa intervista si në median e shkruar dhe vizive, madje janë bërë dhe disa dokumentarë televizivë, për të gjithë jetën dhe historinë e tij, deri ditën që u nda nga kjo jetë.
Por përsëri, “Çështja Aleksanër Kondo”, ende nuk është zbardhur plotësisht, sidomos ajo pjesë që ka të bëjë me vdekjen e tij tragjike e cila vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, si dhe survejimin që i është bërë atij nga ana e Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe segmenteve të tij që në vitin 1981, gjë e cila u bë publike për herë të parë nga ana e Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, e drejtuar nga znj. Gentjana Mara Sula, e cila në vitin 2018, i dorëzoi dosjen familjes Kondo, apo më saktë babait të tij, Vangjel Kondo.
Në atë dosje që z. Vangjel Kondo i’a ka besuar eksluzivisht për botim Memorie.al, hidhet dritë dhe bëhet e ditur, vlerësimi, trajtimi dhe i gjithë survejimi e përndjekja, që i është bërë asokohe nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një prej sportistëve më në zë të Shqipërisë, siç ishte Aleksandër Kondo, i cili ishte mjaft i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Nisur edhe nga ky fakt, Memorie.al do e publikoj të plotë dosjen në fjalë (me faksimilet përkatëse), në disa numra.
Vijon nga numri i kaluar
Të dhënat biografike të Aleksandër Kondos në dosjen e Sigurimit të Shtetit në vitin 1982
SEKRET
Ekzemplar i vetëm
Tiranë më 12.1.1982
VËRTETIM BIOGRAFIK I KOMPLIKUAR
E bërë për Degën e VIII të M.P. të Brendshme, e kërkuar nga p.op. P.P. (për klubin sportiv “Dinamo”)
ËSHTË KËRKUAR TË VËRTETOHET: Aleksandër Kondo, biografia e tij.
JANË VËRTETUAR: Aleksandër Kondo, i biri i Vangjelit dhe i Antigonit, lindur në Fier më 1960, me origjinë nënpunës i pushtetit popullor, me kombësi e shtetësi shqiptare, i paorganizuar në Parti, i padënuar, i pamartuar, me arsim 8 vjeçar, është ushtar në klubin sportiv “Dinamo”, banon në Lagjen 8, rruga “V. Pasho”, p. 27. shk. 2. ap. 25.
I përmenduri, pasi mbaroi shkollën 8 vjeçare, futet në punë, nxënës në ekonomi dhe aktualisht është ushtar, në Klubin Sportiv “Dinamo”. Karakterizohet, si djalë i urtë, i sjellshëm si në punë ashtu dhe jashtë saj, mban sjellje të mira morale.
Babai i tij Vangjel Nisi Kondo, ka lindur në fshatin Pish Poro të Fierit, në 1932. Gjatë regjimit të Zogut dhe okupacionit, nuk ka aktivitet. Pas çlirimit, ka mbaruar shkollën, ka dalë oficer dhe ka punuar në reparte të ndryshme. Aktualisht është Shef Shtabi në Gardën e RPSSH, është A.P.
Nëna e tij Antigoni Gjergj Kondo, ka lindur në Berat, në lagjen “Kushtrimi” në vitin 1937, në një familje me qëndrim të mirë politik, dhe në marrdhënie pune, njihet me sjellje të mirë moralo-shoqërore. Vëllezërit e tij, Dhimitraqi dhe Rolandi, i pari është ushtar, i dyti në marrdhënie pune, dhe janë me sjellje të mira moralo-shoqërore.
Motrat e tij Valentina, Florika, dhe Lindita, e para është martuar me një oficer nga Fieri, i cili është shoqërues në Drejtorinë e II të M.P. të Brendshme, dy të tjerët janë në shkollë. Ka një xhaxha, Shef Policie në DPB të Gjirokastrës, është A.P.
Karakterizohet se: Gjatë regjimit të Zogut, nuk janë marrë me politikë, gjatë okupacionit kanë simpatizuar Luftën Nacionalçlirimtare. Mbas çlirimit e aktualisht, mbajnë qëndrim të mirë moralo-politik e shoqëror. Të burgosur, të dënuar, dhe të arratisur jashtë shtetit, nuk del që të ketë njeri.
Të dhënat për përpilimin e kësaj biografie janë marrë nga M.P. dhe V.P. të cilët i njohin në bllok, i njoh dhe vetë.
PUNTORI OPERATIV SHEFI I SEKSIONIT
B.K. R.B.
ZV/DREJTORI I PUNËVE TË BRËNDSHME
S.B.
DAKTIL
N.M.
Raporti i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, për bisedën që ka bërë bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin “I penduari”, me Aleksandër Kondon, më 2 qershor 1983
E mori p. op. V.K.
E dha b.p. “I penduari”
Tiranë më 2.6.1983
EKSTRAKT
Mbi të dhënën e b.p. “I penduari”
B.p. informon se nga mesi i muajit mars, është takuar me Aleksandër Kondon tek hotel “Peza”. Gjatë bisedës me të, Aleksandri i ka nxjerrë disa monedha floriri dhe dollarë të cilat, i kishte në një portofol. Ai i propozoi B.p. që t’i gjente disa të tjera pasi i duheshin, se do të dilte jashtë shtetit me ekipin e shtangistëve të “Dinamos”.
Gjithashtu Aleksandri i tha atij se kur të dali jashtë në aeroport do të më vijë një pjestar i familjes, sikur do të më sjelli diçka për të ngrënë rrugës dhe brenda, do ketë futur dollarët dhe florinjtë. Pasi u kthye nga jashtë, Aleksandri i tha B.p. se ato plaçkat, i mora ashtu siç të thashë dhe kam marrë plot tesha, prandaj po munde të më gjesh ca të tjera, se së shpejti do të dalim sërisht jashtë shtetit.
“I penduari”
Detyra: Takohu me Aleksandrin dhe mëso se ku i ka gjetur dollarët dhe florinjtë. Si i ka justifikuar ai ato jashtë shtetit me shokët e tij.
Vlerësim: E dhëna ka vlerë operative, pasi bën fjalë për nxjerrjen e valutës jashtë shtetit.
Masa operative: E dhëna të shtypet në njëi kopje dhe t’i kalohet
p. op. H.C.
PUNTORI OPERATIV
V. K.
Dëshmia e Aleksandër Kondos para Puntorit Operativ, për revistat pornografike që morri në Spanjë, dollarët dhe substancave anabolike që përdornin peshëngritësit
Kur isha në Kampionatin Europian në Spanjë, bleva disa revista pornografike në dyqane dhe bëra gabimin më të madh që i mora këto.
Këto revista pornografike unë i bleva vetëm për t’i parë për kuriozitet dhe më pas mu mbush mëndja për t’i blerë, një gabim që s’më falet. Që këto revista t’i kenë parë të tjerët, unë këtë nuk e di, por nga copat e revistave që janë hequr, me siguri që duhet të m’i ketë marrë shoku i dhomës. Unë bëra një gabim të madh dhe një budallallëk.
Këto revista, nuk kisha si qëllim që t’i ekspozoja, por thjesht i mora nga një pasion i çastit. Nuk kam ç’të them tjetër rreth këtyre. Përsa i përket anabolikëve, unë nuk e di se çdo të thonë, por kam marrë vesh që t’i kenë blerë në farmacitë tona, vetëm ato anabolizantë që merren me recetë.
Përsa i përket të tjerëve, po kështu dhe mua, na është bërë kontroll nga mjekët tanë këtu nëpër gara, por dhe jashtë shtetit.
Përsa i përket dollarëve, unë nuk i kam marrë ndonjëherë prandaj edhe në doganë nuk kam pasur më tepër se 20 mijë lekë mall. Nuk jam ngatërruar ndonjëherë për këto gjëra dhe kam qenë korrekt për çdo gjë jashtë shtetit. Sa herë që kam dalë me trajnerët dhe përgjegjësat e ekipit jashtë shtetit, ata janë sjellë shumë mirë dhe më kanë mbajtur afër, dhe unë kam qëndruar në grup me shokët. Për çfarë thashë janë të gjitha të vërteta.
Aleksandër Kondo
Dhënë Re “Dinamo”
Marrë p. op. H. C.
R A P O R T
Dt 31.8.1983
B.p. njofton se në një bisedë që ka bërë me……………..ky i fundit i tha atij: isha në shtëpinë e A.H. në Kombinat dhe kur dola më përcolli vëllai i tij që e ka mjek dhe më tha se kur kishte takuar Aleksandër Kondon, ai u kishte thënë se neve duhet të jemi të lirë, duhet të shkojë njeriu ku të dojë, ku të ketë qejf. Mjeku i ishte përgjigjur se Aleksandri, nuk bën mirë që flet kështu, veçanërisht ti.
Në një bisedë tjetër që kishte bërë me………………….i kishte thënë në lidhje me trajtimin ushqimor sportiv, ky kishte vazhduar ti thoshte që në vendin tonë ka të varfër që nuk hanë mirë. …………………..i ishte përgjigjur se: në vendin tonë nuk ka të varfër, dhe se të gjithë punojnë e jetojnë.
Pas kësaj Aleksandri nuk i ishte përgjigjur më. B.p. në bisedat që ka bërë me………………….ky i ka thënë atij se unë si………………nuk jam dakord po të më pyesin që Aleksandri të shkojë jashtë shtetit se të turpëron, bën hatanë, e arratiset. Ai është një turp për vëndin tonë dhe për Klubin Sportiv “Dinamo”.
“Dinamo”
Sqarim: Aleksandër Kondo, ka dhe materiale të tjera që bëjnë fjalë për veprime të ndryshme, për përdorim droge, vjedhje, grindje, etj.,…………………është……………….i tij.
Vlerësim: E dhëna ka vlerë pasi bën fjalë për nuancat e agjitacionit e propagandës armiqësore të Aleksandër Kondos në ngarkim të të cilit, ka edhe të dhëna të tjera.
Detyra: Me Aleksandër Kondon, b.p. nuk ka mundësi të bisedojë, por në lidhjet e tij mund të kërkojë hollësira për kohën që ka qenë jashtë, rrethin shoqëror të tij., etj.
Masat operative: E dhëna të shtypet në një kopje dhe të analizohet duke i bërë dhe një informacion Ministrisë për t’a penguar për të dalë jashtë shtetit, në bazë të të dhënave materiale që ka. Të shikohet mundësia e thirrjes dhe pyetjes së vëllait të A.H. dhe po qe se problemi qëndron, të këshillohet duke marrë parasysh dhe materialet e tjera që ka për të.
Puntori Operativ
H.C.
SEKRET
Ekzemplar Nr 1
Tiranë më 30.3.1984
VËRTETIM BIOGRAFIK I PLOTË
Bërë për Degën e Organizim Kompletimit të MPB-së, kërkuar nga p. op. B.D.
ËSHTË KËRKUAR TË VËRTETOHET: Aleksandër Kondo, biografi e tij.
JANË VËRTETUAR: Aleksandër Kondo, i biri i Vangjelit dhe i Antigonit, lindur në Fier më 1960, me origjinë nënpunës i pushtetit popullor, me kombësi e shtetësi shqiptare, i paorganizuar në Parti, i padënuar, i pamartuar, me arsim 8 vjeçar, me profesion punëtor në uzinën e veglave bujqësore, banon në Lagjen 1, rruga “H. Sufa”, pallati 2, shkalla 4, apartamenti 70.
I përmenduri me vështirësi, ka mbaruar arsimin 8 vjeçar, ka qëndruar pak kohë pa punë dhe ka filluar nxënës mekanik në Uzinën e Veglave Bujqësore. Njëkohësisht është marrë me sportin e ngritjes së peshave. Shërbimin ushtarak e kreu në Klubin Sportiv “Dinamo”, ku u mor dhe me sport. Pas ushtrie, filloi punë përsëri në Uzinën e Veglave Bujqësore, ku është problem për indisiplinim. Ai merret me peshëngritje dhe është kampion i vendit të tij.
Aleksandri karakterizohet, si njeri skandaloz, dhe problem i klubit “Dinamo” nga ku është përjashtuar disa herë. Rrihet me njerëzit, dhe me ruajtës të rendit, i pëlqen vetja, ndjek modën e huaj, incizon e dëgjon duke e hapur magnetofonin me zë të lartë për të dëgjuar muzikë të huaj (xhazi). Zihet me prindërit e tij.
Në personin e tij, nuk ka asgjë të mirë përveç të metave dhe rrezikshmërisë që paraqet. Për personat e tjerë, është problem i bllokut të banimit. Babai i tij Vangjel Kondo, është me detyrë Shef i Shtabit të Brigadës Rezerviste të Gardës së RPSSH. Por ai, nuk ka ditur të punojë në familje, qoftë me gruan e tij me të cilën ka mosmarrëveshje, qoftë me dhe me fëmijët që janë problem i bllokut, për shfaqje të huaja dhe akte rrugaçërie.
Nënë Antigoni nga Berati, familje me qëndrim të mirë, puntore në furnitore në NT Industriale. Vëllezërit Rolandi, punon në Uzinën “Traktori” dhe Dhimitraqi, është mundës dhe nuk punon.
Ai manifeston akte rrugaçërie, etj. Motra Valentina, është pa punë, Florika, vazhdon arsimin e mesëm, ndërsa Lindita, arsimin fillor.
Karakterizohet se familja e tij, në përgjithësi nga ana politike, s’ka asgjë negative, por në aspektin shoqëror, lë shumë për të dëshiruar.
Ato janë problem për kryesinë e Frontit dhe për K.S. “Dinamo”. Të dhënat janë marrë nga…………………….të cilët e njohin në pallat, dhënë p. op. H.C. e B.V. të cilët njohin Aleksandrin dhe aktivitetin e tij. Nuk jam dakord që Aleksandri të merret polic.
PUNTORI OPERATIV ZV DREJTORI I PUNËVE TË BRËNDSHME
P.S. D.B.
28.5.1984
Raporti i Zv / Drejtorit të Punëve të Brendshme të Tiranës, me propozimin që Aleksandër Kondo të hiqet nga Klubi Sportiv “Dinamo”
Porosia është dhënë që të pengohet. I kam këshilluar që ai, ka sjellë nga jashtë revista me përmbajtje pornografike. Të propozohet për t’u hequr nga Klubi Sportiv “Dinamo”.
D.B.
29.5.1984
Dakort
Bëni relacionin dhe biografinë
Në muajin maj të 1984, me porosi të udhëheqjes së Ministrisë, Aleksandër Kondo u thirr nga unë dhe Shkëlzen Bajraktari. Atij i’u kërkua llogari lidhur me materialet pornografike që kishte sjellë jashtë shtetit.
Aleksandri, bëri autokritikë për këtë dhe per sjelljet jo të mira të tij.
Ai premtoi se në të ardhmen do të bëhet i mirë në çdo drejtim. Me të u punua 3-4 orë dhe ai u porosit që në të ardhme të ruajë figurën e tij, më pas u la i lirë. /Memorie.al