Radar
Kush është Eva Millona, shqiptarja e parë që merr postin e lartë në administratën e Biden
Pas 12 vitesh në krye të Koalicionit për Mbrojtjen e Emigrantëve dhe Refugjatëve në Massachusetts, Eva Millona do të largohet nga ky post për t’u bashkuar me administratën e Joe Biden dhe Harris në një pozitë të lartë drejtuese.
Duke filluar nga 25 maj, Millona do të jetë Ndihmës Sekretare në Departamentin e Sigurisë Kombëtare. Millona është shqiptarja e parë që merr një detyrë kaq të rëndësishme në administratën e Biden.
“Unë jam krenare për mundësinë që më është dhënë për të punuar me administratën dhe për të forcuar strukturën e kombit tonë,” tha Millona në një deklaratë.
Kush është Eva Millona
Millona ka studiuar drejtësi ne Universitetin e Tiranës në vitet 1980. Ajo ka praktikuar të drejtën civile dhe penale para se të bëhej gjyqtarja më e re në Gjykatën e Rrethit të Tiranës, ku shërbeu nga vitet 1989 në 1992.
Pasi emigroi në SHBA, ajo drejtoi programin e rivendosjes së refugjatëve në Massachusetts Qendror, dhe më pas në vitin 1999 u bashkua me MIRA (Massachusetts Immigrant and Refugee Advocacy Coalition), duke shërbyer fillimisht si Drejtore e Politikave dhe Avokatisë.
Ajo u bë Drejtore Ekzekutive në vitin 2008, dhe sot njihet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar si një eksperte dhe udhëheqëse në politikën e imigracionit dhe integrimin e imigrantëve dhe refugjatëve.
Millona ka marrë shumë çmime për avokatinë dhe udhëheqjen e saj, përfshirë këtu çmimin prestigjioz në 2009 “Outstanding American by Choice” nga Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA, si dhe Çmimin e Drejtësisë Sociale të Bankës “Wainëright” në 2010.