Lidhu me ne

Kioske

Përralla e udhëheqësit të domosdoshëm në PD

Blendi Kajsiu  |  

Blendi Kajsiu

Në garën për kryetarin e PD-së Basha, edhe mbështetësit e tij po artikulojnë idenë se ai është një lider i domosdoshëm për PD-në, i vetmi që mund ta bashkojë dhe shpëtojë PD-në nga shkatërrimi. Vetë Basha deklaroi se lidershipi i tij ka qenë i sakrificës, çka të bën të besosh se është gati të sakrifikohet përsëri për partinë.

Ideja se lideri është i domosdoshëm për të shpëtuar dhe përbashkuar partinë është një nga elementët themelorë të berishizmit. Në PD këtë rol e ka luajtur dhe vazhdon ta luajë Berisha. Ai është kthyer në një mit që jo vetëm njehsohet tërësisht me partinë, por shpesh artikulohet si më i rëndësishëm se vetë partia.

Kuptohet që kjo ide nuk është e re. Vjen nga Partia Bolshevike e themeluar nga Lenini në fillim të shekullit të kaluar. Është hera e parë në historinë politike kur lideri dhe partia shkrihen në një në fjalët e poetit sovjetik Majakovski: “Kur themi partia nënkuptojmë Lenini dhe kur themi Lenini nënkuptojmë Partia”.

E njëjta logjikë importohet nga Partia Komuniste në Shqipëri, e cila pas Luftës së Dytë Botërore gjithnjë e më tepër njehsohet me Enver Hoxhën, aq sa ekzistenca e Partisë së Punës dukej e pamundur përtej ekzistencës së Enverit.

E megjithatë, kjo ideja e liderit të domosdoshëm është një përrallë me mbret. Historia tregoi se si Partia Bolshevike në Bashkimin Sovietik edhe Partia e Punës në Shqipëri ishin shumë më tepër se liderët e tyre historikë. Në fakt, ishin liderët, që nga Lenini deri tek Enveri, që kishin nevojë për partinë më shumë se anasjelltas.

Partia e Punës u transformua në Partinë Socialiste dhe me megjithë tendencën për ta njehsuar atë me Ramizin pardje, me Nanon dje dhe me Ramën sot, është e qartë se kjo parti është shumë më tepër se lideri i radhës dhe kurrsesi nuk mund të reduktohet tek ai.

Çudia qëndron te fakti se Partia Demokratike, e themeluar si një forcë antikomuniste, vazhdon ta artikulojë dhe besojë këtë përrallë bolshevike. Jo vetëm militantët, por edhe mjaft mbështetës të kësaj partie në media besojnë se PD-ja nuk mund t’i mbijetojë largimit të Berishës apo të emëruarit të tij Basha.

Në këtë mënyrë, ata sot e reduktojnë PD-në te lideri i saj, ashtu sikurse Partia e Punës reduktohej dje tek Enveri apo tek i emëruari tij, Ramiz Alia. E vërteta është se si miti i Enverit, themelues i Partisë Komuniste, ashtu edhe miti i Berishës, themelues i Partisë Demokratike, janë përralla të krijuara nga të dy mbasi morën kontrollin e partive përkatëse dhe eliminuan kundërshtarët.

Berisha nuk ishte as themeluesi unik dhe as më i rëndësishëm i PD-së. Në fakt, ishte PD-ja që e krijoi Berishën dhe jo anasjelltas. Arritja më e madhe e Berishës nuk ishte themelimi i PD-së, por vënia e saj nën kontrollin e tij total për 30 vite rresht.

PD-ja nuk ishte produkt i vullnetit të asnjë individi të caktuar, por i një momenti specifik historik dhe strukturor. Ajo ishte pasojë e krizës së sistemit komunist dhe përfaqëson një fluks social që do institucionalizohej si një forcë politike me apo pa Berishën në krye.

Edhe sot, PD-ja përfaqëson shumë më tepër se vullnetin e një njeriu. Ajo është shtrati ku kanalizohet pothuajse gjithë pakënaqësia me qeverisjen kur PD-ja është në opozitë dhe mbështetja për qeverinë kur është në pushtet. Në këtë aspekt, PD-ja është një markë dhe pasuri publike. Kjo ndodh pjesërisht, sepse në këto 30 vite PD-ja ka zhvilluar një identitet politik të fortë te votuesit dhe ndjekësit e saj. Pjesërisht sepse sistemi ynë është bipolar, që nga institucionet politike dhe Kodi Elektoral deri te hapësira mediatike, çka e bën të vështirë daljen e partive të reja.

Kjo do të thotë se shumë nga ata që e votojnë PD-në, e bëjnë këtë pavarësisht se aty është Berisha apo Basha, të motivuar nga zhgënjimi me qeverisjen aktuale dhe të vetëdijshëm që e vetmja forcë që mund ta rrëzojë atë është PD-ja. Fakti që PD mori mbi 600 mijë vota, pavarësisht gabimeve pa fund të Bashës, aleancës së tij me politikanë dhe forca të diskretitura dhe lojës së pandershme të pushtetit në fushatë, tregon se ajo është një fluks social që ekziston përtej dhe shpesh, pavarësisht liderit të radhës, qoftë ky Basha apo Berisha.

Edhe në vitin 2005, PD-ja erdhi në pushtet, pavarësisht dhe jo prej Berishës. U desh të krijohej KOP dhe të riktheheshin të larguarit për të zbutur dhe sfumuar imazhin e Berishës që shqiptarët ta votonin PD-në si parti e parë me një shumicë mjaft të vogël. Votuesi gri shqiptar tashmë prej vitesh e ka refuzuar si Berishën edhe të emëruarin e tij në PD, Basha.

Është kjo një nga arsyet themelore se pse PD-ja nuk transformohet në parti të parë, pavarësisht zullumeve të pushtetit socialist. Ndaj nuk është PD-ja që ka nevojë për Bashën apo Berishën, por këta të dy për PD-në. E domosdoshme është partia, jo udhëheqësit. Në fakt, këta të fundit e kanë kuptuar me kohë këtë gjë, ndaj e kanë kapur fort dhe nuk e lëshojnë PD-në./panorama

MË TEPËR

Mix17 orë më herët

Këto janë 3 shenjat më “tradhtare” të Horoskopit

A duhet të mos u besoni? Në internet qarkullon një studim sipas të cilit këto janë shenjat “që mund të...

Radar17 orë më herët

Humbëm të gjithë nga pak në cirkun e klikimeve

Zallamahia që pushtoi hapësirën virtuale të shqiptarëve kudo ku jetojnë ka nisur të bjerë, dhe kur të jetë shuar përfundimisht,...

Mix17 orë më herët

Nëse hani shumë sheqer, më shumë do vuani nga depresioni!

Një studim i botuar në Journal of Translational Medicine zbulon se konsumi më i lartë i sheqerit lidhet me një...

Mix17 orë më herët

Ozempic vrau dietën dhe ushtrimet!

Burimi: The Atlantic Mjekët mbase nuk duan ta pranojnë, por përdorimi i Ozempic dhe barnave të tjera GLP-1 po i...

Mix17 orë më herët

Veçoritë e Sicilisë – pse ia vlen ta vizitojmë?

Për shumë vite, qytetet klasike të Italisë, Roma, Venecia, Firence dhe Milano kanë tërhequr turistë nga e gjithë bota, ndërsa...

Mix18 orë më herët

ChatGPT Search, motori i kërkimit OpenAI, tani është falas për të gjithë

Ne kemi folur gjatë për ChatGPT Search në këto faqe dhe se si ai është i destinuar të ndryshojë thellësisht...

Mix18 orë më herët

Publikohet lista e 100 kuzhinave më të mira në botë, ja ku renditet Shqipëria

Guida e njohur gastronomike “Taste Atlas” ka publikuar listën e saj vjetore të kuzhinave më të mira në botë. Kuzhina...

Radar18 orë më herët

Avokat Ngjela: Non grata e Berishës e pakthyeshme, kërkon të manipulojë militantët. Kot mban shpresa te Trump

Avokati Spartak Ngjela pohoi pasditen e sotme se vendimi për shpalljen non grata të kreut të PD-së Berisha është i...

Mix18 orë më herët

Shkenca e fshehur në pikturën ikonike të Van Gogh, “Nata me yje”

Dy dekada më parë, dy fizikanë po qëndronin në një muze në Madrid duke menduar për veprat e piktorit post-impresionist...

Mix18 orë më herët

Dalina Buzi me deklaratë të fortë për Kiarën, reagon ashpër Luizi!

Dalina Buzi e ka ngacmuar Luiz Ejllin dhe Kiara Titon me një deklaratë të fortë qe beri se fundi për...

Facebook