Kryesore
Tabaku: Ndërtimi, sektori ku pastrohen paratë. Çiftet e reja nuk blejnë dot një shtëpi me këto çmime artificiale
Gjatë një interviste në Syri TV, anëtarja e kryesisë së PD zonja Tabaku u shpreh në lidhje me të dhënat e fundit të INSTAT për ndërtimin në Tiranë. Ajo akuzoi kryebashkiakun Veliaj që po përdor ndërtimin për të pastruar paratë dhe citoi një sërë raportesh ndërkombëtare që evidentojnë lidhjen e ngushtë.
Tabaku këmbënguli që Veliaj e ka praktikë pune këtë sjellje dhe shkatërrimin e identitetin e Tiranës duke evidentuar prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe gjithashtu prishjen e shkollës Sami Frashëri. Zonja Tabaku u shpreh se rritja e ndërtimit nuk justifikohet nga të dhënat që vijnë nga GDP apo ekonomia jonë por nga paratë e pista.
“Ndërtimet në Tiranë nuk janë fenomen i ri pasi çdo 3 mujor kemi 34% rritje. PD e ka denoncuar që ndërtimi është një sektor që pastrohen paratë. Shqipëria është përfshirë në listën gri të MoneyVal. Kjo situatë duhet të kishte shqetësuar institucionet e pavarura në Shqipëri dhe ato ndërkombëtare. Vjet në mes të pandemisë është prishur teatri dhe më pas shkolla Sami Frashëri. Po në mes të pandemisë rritet ndërtimi me 30% nga vitet e mëparshme. Tirana aktuale po zhduk identitetin e qytetit, po zhduk pronën private dhe publike siç është rasti i 15 katëshit në qendër. Nuk ka asnjë burim financimi që të justifikojë këtë ndërtim.
Çmimet po rriten artificialisht, çiftet e reja nuk kanë mundësi për të blerë një apartament sepse çmimet janë rritur artificialisht.
Shteti është i kapur dhe këtë e dëshmon ndërtimi në këto kushte, lojërat e fatit që në fakt nuk janë mbyllur dhe më tej turizmi në rezorte janë tregues i kapjes.”