Kryesore
Një paradoks i analistëve: Basha nuk bën për Kryeministër, por është ‘më i miri për PD’
Alfred Lela
E ndesh kryesisht ndër analistët që anojnë majtas, qoftë për arsye ideologjike apo interesa fizike. Thonë këta zotërinj, që nuk i binden dhe aq the gentlemanship of logic, se Lulzim Basha është kandidatura më e mirë për të kryesuar Partinë Demokratike. Ose, nuk është më i miri, por nuk ka më të mirë se ai.
Kësisoj ata përdorin fiks parabolën e Edi Ramës, i cili thoshte gjatë fushatës se, ai dhe socialistët nuk janë më të mirët, por nuk ka më të mirë se ata. Shtoji kësaj ‘vrasjen’ e garës, helmimin e të menduarit kritik që bëjnë këta analistë kur ‘fundosin’ kandidatët e tjerë përballë Bashës si poshtë këtij të fundit.
Kadilli, Harxhi dhe Shehaj mund të jenë deficitarë në raport me Bashën, por ajo që duhet analizuar është se nga vjen ky deficit.
Më e para, nuk është deficit i tyre sa është suficit i Bashës. Por, duhet bërë një dallim, që nuk është dhe aq i hollë, në fakt. Gjithë pesha që i shihet, i mvishet apo e ka Basha në profilin politik, nga i vjen? Nga një investim 17 vjeçar me autor dhe nismëtar Sali Berishën. Mund të thuhet se makineria e rëndë e PD punon për Lul Bashën që prej vitit 2004. Ai është qendërzuar në debat me qëllim që profili i tij të jetë ai i trashëgimtarit të z. Berisha.
Një ndihmesë të dytë, gjithashtu të rëndësishme e ka dhënë edhe kundërshtari. Në politikë, sulmet e kundërshtarit, aq sa të minojnë gjithaq të fuqizojnë. Të paktën në sytë e atyre që nuk mendojnë, në terma të përgjithshëm apo specifikë politikë dhe shoqërorë, si kundërshtari yt.
Njihet aksioma politike se i pari që duhet të ‘të njohë’ dhe të të pranojë si të denjë për rivalitet është kundërshtari yt. Socialistët e kanë patur papushim target z. Basha për çështje madhore, që nga Rruga e Kombit, 21 janari, e me radhë. Duke e njohur si rival ata edhe e kanë profilizuar.
Media ka qenë po aq instrumentale në gdhendjen dhe rritjen e profilit të Bashës. Herë nën shtysa të njëmendta të rëndësisë së informacionit dhe herë interesash qarkshkurtra ekonomike, Basha ka marrë hapësirën që ka dashur në mediat e Tiranës. Ai ka mundur madje edhe të bllokojë hapësirë mediatike për të papëlqyerit e tij në parti apo jashtë saj. Zyra e Shtypit e PD ka qenë vazhdimisht nën instruksione direkte prej kryetarit, se kush është dhe kush jo në listën e politikanëve që duheshin ‘shpërndarë’ nëpër media.
Ditur këtë superstrukturë, kush mund të thotë nëse Edit Harxhi, Bardh Kadilli dhe Agron Shehaj do të kishin qenë në vendin e Lulzim Bashës, nuk do të kishin të njëjtin profil të lartë. Pasë magazinuar gjithë këto vite në pushtet fizik dhe virtual, a nuk do të shërbeheshin edhe ata me të njëjtat indulgjenca mediatike si Basha, duke u përcaktuar si ‘më të mirët’.
Për t’iu kthyer zanafillës së shkrimit dhe qëndrimeve hipokrite të analistëve, kryesisht të majtë, duhet theksuar se ata bien në paradoks. Jo vetëm kaq, por dëshmojnë se analizën e kanë ose të cekët ose dashakeqe. Për një arsye të thjeshtë: ata që thonë se Basha nuk bën për Kryeministër, humbin të drejtën për të nxjerrë prej analizës përfundimin se i njëjti politikan është më i miri për PD. Çfarë njësie tjetër matëse ka cilësia në politikë përveç pushtetit? Në këtë komponente kyçe Basha ka dështuar të gjitha herët që është përballur me Ramën.
Sa kohë nuk operacionalizon këtë instrument, për çfarë i duhet PD?
Në dëshirën e fshehtë të atyre që thonë se Basha është më i miri për PD, fle pikërisht galdimi për atë çka ai nuk arrin dot: moskonfirmimin në pushtet të Partisë Demokratike.