Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj bisedoi me gazetarin Ilir Babaramo, në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”.
Deklaratat e tij kryesore ishin:
Për ndërtimet në zonën e Parkut të Liqenit
- Parkun do ta bëjmë më të jetueshëm, ai nuk është park natyral, por artificial dhe ta bëjmë më të aksesueshëm për të gjitha moshat.
- Aty të rriturit kanë çfarë të bëjnë, ndërsa fëmijët jo. Kjo është arsyeja se përse po bëjmë këndin e lojërave, kundrejt lejeve, kundrejt të gjitha ligjeve.
- Nuk ka në plan e as nuk do të ketë ndërtim të ri tek liqeni. Në planin e ri nuk ka kulla dhe nuk do të ketë kulla tek ai liqen.
- Jo, nuk do të ketë [ndërtim 25 katësh tek diga e liqenit].
- Jam duke luftuar në gjykatë për pallatin 17-katësh që Lulzim Basha na e la mu në digë të liqenit dhe sigurisht, logjika që pason është që as nuk do të ketë të tjera tek diga e liqenit.
- Ajo që di t’iu them është që në rastin e digës ne kemi një vendim të Komitetit të Digave që e anulon ndërtimin.
Për bulevardin e ri
- Në Bulevardin e ri do keni një park qendror që është shumë i nevojshëm dhe nuk ishte planifikuar, pasi është një bulevard i mbushur me ndërtim.
- Kemi reduktuar ndërtimet për t’i dhënë një park tjetër qendror që është 6 herë më i madh se parku Rinia.
- Duam të rivitalizojmë totalisht bregun e lumit, që është një nga zonat më të çmuara kudo në botë, por tek ne është një zonë e degraduar.
Për planin e ri të Tiranës
- Ne e kemi filluar një plan urbanistik me Stefano Boerin, një nga arkitektët më të shquar në botë, dhe në këtë plan ne do të bëjmë një bashkim dhe një kohezion të 24 zonave të Tiranës.
- Ju mund të shikoni që ne kemi planin urbanistik të Italisë që në vitet 1920 dhe kemi që në ato vite me të njëjtin bulevard. Do të thotë që Tirana po shkon 100 vjeç si kryeqytet dhe ne kemi të njëjtin ashtu siç e kishim përpara 100 vjetësh. Nuk shkon, dyfishimi i këtij aksi besoj që i jep Tiranës një frymëmarrje që ka vite që i mungon. Sigurisht me këto modifikime në bregun e lumit dhe në parkun qendror.
- Unë nuk kam dhënë asnjë leje ndërtimi deri më sot, as këtë e asnjë leje tjetër. Kjo nuk do të thotë se nuk do të jepen leje, pasi qyteti gjithmonë do të zgjerohet.
Për pallatin 13 katësh përballë Fakultetit Ekonomik
- Leja është firmosur nga paraardhësit e mi në bashki dhe është çuar për konfirmim në KKT.
Për Sheshin Skënderbej
- Në qershor do të të fillojmë me sheshin “Skënderbej”.
- 50 për qind do të jenë pjesë e ngurtë dhe 50 përqind do të jetë gjelbërim. Do të ketë ishuj, pedonale dhe qarkullimi do të ndodhë nga unaza e vogël.
- Vendimmarrja e punës që do fillojë në qershor ka të bëjë vetëm me sheshin dhe pjacën. Kur të përfundojë plani urbanistik do diskutojmë për kulla apo zona të tjera komerciale.
- Nuk ka nënkalime.
Për taksën e arsimit
- Kjo nuk është një taksë arsimi. Taksa quhet “taksa për gjeneratën e re” dhe ka të bëjë me ndërtesat arsimore.
- Me gjithë respektin për gjelbërimin dhe për shkurret, unë besoj se fëmijët janë më të rëndësishëm se shkurret. Pra taksa e gjelbërimit zhvendoset për infrastrukturën e arsimit dhe jo për arsimin.
Për Partinë Socialiste
- PS është partia ku shumica e njerëzve kanë shpresën dhe aspiratën. Edi ka bërë një punë të shkëlqyer se sa herë që partia hapet, bëhet edhe më e fortë.
- Nuk besoj që ka njeri që ka inkurajuar më shumë garë në parti ose Shqipëri sesa Rama. Nuk njoh njeri tjetër.
- Referendumi është një garë e jashtëzakonshme sepse tregon se për herë të parë bën referendum brenda llojit.
- Iu thuhet shqiptarëve që janë anëtarë të PS-së dhe i kërkohet nëse duan që kryeministri të jetë në krye të vendit dhe e rikonfirmojnë ose duan që ai të lërë punët e Shtetit e të bëjë teatër.
- Ne jemi në fushatë, kemi bërë takime për t’iu kërkuar socialistëve që të rikonfirmojnë Edi Ramën në krye të punëve të vendit, duke marrë mbështetjen e Partisë Socialiste.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu