Lidhu me ne

Aktualitet

E plotë/ Intervista e buzëqeshur, goditëse dhe pa dorashka e Yuri Kim

E plotë/ Intervista e buzëqeshur, goditëse dhe pa dorashka e Yuri Kim

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka folur për plot 40 minuta mbrëmjen e sotme në “Opinion” për çështjet aktuale politike vë vendin tonë, dhe jo vetëm.

E buzëqeshur dhe pa dorashka Yuri Kim, ka cekur çështje të rëndësishme siç ishin zgjedhjet e 25 prillit që sapo lamë pas, përplasjet me Presidentin Ilir Meta, marrëdhënia me kryeministrin Rama, dhe kreun e PD.

Por jo vetëm, kaq, Kim është ndalur dhe tek Reforma në Drejtësi, por dhe çështje të rëndësishme sic ka qenë denoncimi i CNA.al për çështjen e Xhemail Pasmaçiut, trafikantit të drogës që njihet me emrin Ylli Ndroqi.

Intervista e plotë

Blendi Fevziu: Ambasadore Kim, mirësevini në studion e “Opinion.” Mirësevini përsëri.

Ambasadorja Kim: Faleminderit shumë, shumë kënaqësi që kthehem.

Blendi Fevziu: Si jeni? Keni qenë e zënë këto ditë, mendoj?

Ambasadorja Kim: Mendoj të gjithë kanë qenë të zënë në Shqipëri, por jam mirë, faleminderit shumë.

Blendi Fevziu: Dhe të gjithë duan opinionin tuaj për zgjedhjet e 25 prillit. Çfarë mendoni për zgjedhjet?

Ambasadorja Kim: Mendoj që ODIHR, që janë vërtet ekspertët për zgjedhjet, kanë nxjerrë gjetjet e tyre fillestare dhe ne i kemi mbajtur shënim. Për shembull, ata vërejnë që zgjedhjet ishin të rregullta dhe përgëzuan autoritetet për administrimin e zgjedhjeve shumë mirë. Megjithatë, vërejtën edhe disa probleme dhe pritshmëria jonë, si SHBA, është që ato probleme do të trajtohen, por për pjesën më të madhe, siç e patë në deklaratën që nxorëm nga Uashingtoni, përgëzuam popullin shqiptar për zgjedhje të mira, uruam Kryeministrin Rama për fitoren. Po ashtu, uruam edhe partinë e opozitës për zhvillimin e një fushate shumë të forte. Prandaj mendoj që në tërësi, jemi të kënaqur me mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet.

Blendi Fevziu: Po, ishte një fushatë shumë konkuruese, por ishte i njëjti rezultat, pak a shumë për shumicën, si në vitin 2017 dhe ka shumë komente lidhur me problemet në zgjedhje. Sigurisht, ODIHR ka nxjerrë një raport paraprak, por nuk kemi endi raportin përfundimtar. Ju e keni ndjekur nga shumë afër procesin dhe ditën e zgjedhjeve. Cili është opinioni juaj personal për zgjedhjet?

Ambasadorja Kim: Mendoj se nuk është me vend të ofroj një mendim personal për çka pashë. Gjithë ç’mund të them është se në mendimin tim, dita ishte e karakterizuar nga shpresa. Lidhur me aspektet teknike, ka dy gjëra që duhet të ndodhin: së pari…

Blendi Fevziu: Keni qenë në vende të ndryshme ditën e zgjedhjeve…

Ambasadorja Kim: Isha kudo në vend…

Blendi Fevziu: …kudo në vend?

Ambasadorja Kim: Po, siç e dini, kishim rreth 25 ekipe nga ambasada dhe ishim nga Shkodra në Sarandë, kudo…

Blendi Fevziu: …25 ekipe nga Ambasada Amerikane?

Ambasadorja Kim: Vetëm nga Ambasada Amerikane…

Blendi Fevziu: …me amerikanë dhe shqiptarë?

Ambasadorja Kim: Saktë. Saktë. Kishim dikë që ishte amerikan dhe secili nga këta shoqërohej nga dikush me shqipe të rrjedhshme që të kuptonim sa më mirë që mundej për çka shikonim dhe dëgjonim. Pra, kishim të gjithë këta në gjithë vendin dhe, siç e dini, komuniteti ndërkombëtar kishte qindra të tjerë. Dhe kjo sigurisht përfshin ekspertët e ODIHR. Ndaj, mendoj se kishim një vështrim goxha të mirë mbi situatën ditën e zgjedhjeve por edhe më pas.

Blendi Fevziu: Keni mbuluar thuajse të gjithë Shqipërinë me 25 grupe nga Ambasada Amerikane dhe të tjerët nga…

Ambasadorja Kim: …saktë, kombinuar me cilindo tjetër që ishte këtu në ditën e zgjedhjeve, por edhe përpara ditës së zgjedhjeve, ditën e zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve, gjatë numërimit. Vazhdojmë ta ndjekim nga shumë afër dhe, deri tani mirë.

Blendi Fevziu: Ka dy qëndrime të ndryshme ndaj rezultatit të zgjedhjeve. Partia Socialiste deklaroi fitoren. Partia Demokratike deklraoi fitoren vonë ditën e zgjedhjeve, por ditën tjetër thanë se ishin zgjedhjet më të këqija në historinë e Shqipërisë pas vitit 1990. Ku qëndron e vërteta midis këtyre dy qëndrimeve, sipas jush?

Ambasadorja Kim: Do e referoja cilindo tek raporti paraprak i ODIHR. Mendoj se ata janë ekspertët e vërtetë dhe pikëpamjet aty janë shumë të rëndësishme për t’u shënuar dhe për t’u marrë seriozisht.

Blendi Fevziu: Dhe kur do ta kemi raportin përfundimtar të ODIHR?

Ambasadorja Kim: Nuk e di. Duhet të pyesni ata.

Blendi Fevziu: Normalisht, është ODIHR që certifikon zgjedhjet, por kemi probleme të brendshme, sepse të gjithë e dinë që shitja ose blerja e votës, një proces i dyanshëm, jo vetëm blerja, është një fenomen në Shqipëri. A keni parë shenja të këtij fenomeni dhe çfarë mendoni për këtë?

Ambasadorja Kim: Është një problem që ishte në raportin paraprak të ODIHR, përveç disa aktiviteteve të tjera që shpresojmë se do të eliminohen nga zgjedhjet në Shqipëri. Dhe mendoj se kjo do të ndodhë, por siç e përmenda më herët, tani ka dy gjëra që duhet të ndodhin. Së pari, janë paraqitur një numër anikmesh në SPAK, tek prokurorët dhe ligjzbatuesit. Ata duhet t’i marrin këto seriozisht dhe t’i hetojnë të gjitha këto raste dhe…

Blendi Fevziu: …kanë filluar shumë raste…

Ambasadorja Kim: …kanë filluar shumë raste dhe unë e ndjek nga shumë afër këtë. Me sa kuptoj, deri tani, janë paraqitur 143 ankime dhe nga këto, 54 janë regjistruar sepse hetuesit vendosin cilat kanë meritë dhe cilat jo; cilat duhen hetuar nga SPAK dhe cilat nga prokuroritë e rretheve, bazuar në kompetencat e tyre. Me sa kuptoj, tani janë 37 çështje duke u hetuar në mënyrë aktive. I presim rezultatet e këtyre. Siç e dini, KQZ po shikon ankimet që janë dorëzuar, pra ka një proces.

Blendi Fevziu: Thatë që kishte disa probleme të vogla, të cilat, sipas jush, problemet e zgjedhjeve?

Ambasadorja Kim: E dini, ju referoj tek raporti i ODIHR. Ju e dini po aq mirë sa unë se çfarë thotë ai raport.

Blendi Fevziu: Problemi tjetër është që shumica e njerëzve nga opozita thonë se shumica ndryshoi rregullat e lojës gjatë lojës. I referohen marrëveshjes së 5 qershorit, në parlament, dhe në korrik, çka ndryshoi koalicionet dhe të tjera. A ishte…?

Ambasadorja Kim: Mendoj se…

Blendi Fevziu: Keni bërë një deklaratë për këtë …

Ambasadorja Kim: Mendoj se kam folur qartë për këtë. Mendoj se mënyra në të cilën u arrit 5 qershori duhet të kishte qenë modeli për të gjitha ndryshimet. Në të njëjtën kohë, parlamenti ka kompetencat e tij. Po e lë me kaq.

Blendi Fevziu: Ambasadore Kim, DP tani kërkon një hetim të plotë dhe, nga ana tjetër, po kërkojnë përsëritjen e votimit në 9 zona. Çfarë mendoni për këtë?

Ambasadorja Kim: Mendoj se ka një proces të ngritur. Pra, KQZ duhet të hetojë dhe të marrë disa vendime. Dhe, mendoj se kushdo ka të drejtën të paraqesë ankimime tek prokurorët dhe tek KQZ, nëse kanë prova për këtë.

Blendi Fevziu: Dhe, ambasadore, PD ka thënë edhe që nuk do t’i pranojë kurrë rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit. Thonë se ishin një masakër zgjedhore. Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë, për integrimin tonë, si dhe për ju personalisht?

Ambasadorja Kim: Mendoj se për Shtetet e Bashkuara, pikëpamja jonë është shumë e qartë. Në deklaratën që nxorëm nga Uashingtoni, vërejtëm se është me rëndësi që të gjitha partitë të njohin rezultatet e zgjedhjeve, dhe për sa është e mundur, që partitë tani të mendojnë se si t’i shërbejnë popullit shqiptar, të gjithë popullit shqiptar. Pra, po presim me kënaqësi që të punojmë me të gjitha palët, të shohim se çfarë mund të bëjmë sëbasku si Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, dhe më duhet të them se më e rëndësishmja për ne është që Shqipëria ka qenë tepër gjatë pa një opozitë të plotë në parlament.

Blendi Fevziu: Dy vjet, thuajse dy vjet.

Ambasadorja Kim: …pothuajse dy vjet. Tani, disa deputetë qëndruan dhe bënë gjënë e duhur. Dhe pikëpamja jonë është se të gjithë duhet të kishin qëndruar në parlament, por kjo është e kaluara. Tani, teksa presim shtatorin, presim me kënaqësi që Partia Demokratike, e cila është një parti e rëndësishme, e cila ka dhënë contribute shumë të rëndësishme historike për zhvillimin e Shqipërisë. Nevojitet t’i shohim të kthehen në parlament dhe jemi shumë të kënaqur të shohim deklaratat e tyre ku bëjnë të qartë se kur të vijë shtatori, do të kthehen në parlament.

Blendi Fevziu: A mendoni se PD do të marrë pjesë në parlament?

Ambasadorja Kim: Po.

Blendi Fevziu: Edhe nëse nuk i pranojnë rezultatet?

Ambasadorja Kim: Mendoj se gjithçka tjetër që mund të jenë duke thënë, po të shohësh deklaratat nga Lulzim Basha dhe kushdo tjetër në PD, bëjnë shumë të qartë që pavarësisht çfarëdo kundërshtimesh që kanë, do të jenë në parlament në shtator. Dhe kjo është vërtet e rëndësishme.

Blendi Fevziu: Por ka shumë komente që i thonë Bashës të ndahet nga ambasadorët e BE apo SHBA dhe ambasadorë të tjerë europianë, sepse siç thonë ata, ambasadorët mbështesin Ramën. Çfarë mendoni për këtë?

Ambasadorja Kim: Unë e di cila është puna ime.

Blendi Fevziu: Po kërkojnë një rrugë radikale, një rrugë të re radikale nga PD.

Ambasadorja Kim: E dini, njerëzit janë të lirë të shprehin pikëpamjet e tyre dhe mendoj që kur zhvillohen zgjedhje, ka festim, por ka edhe zhgënjim, por është shumë e rëndësishme që të ketë diskutime të hapura për çfarë ndodhi dhe se cila është rruga përpara. Unë për vete, e di cila është detyra ime. Detyra ime është të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të përfaqësoj pozicionin e vendit tim. Dhe kur vjen fjala te kjo, ne duam një marrëdhënie të ngushtë me Shqipërinë. Duam që të jetë edhe më e ngushtë. Dhe nuk ka rëndësi kush është në pushtet. Kemi punuar jashtëzakonisht mirë me cilindo ka qëlluar të jetë zgjedhur nga populli shqiptar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

Blendi Fevziu: Por deklarata juaj në një program televiziv është diskutuar, është interpretuar si mbështetje për një parti apo një tjetër.

Ambasadorja Kim: E di.

Blendi Fevziu: Dhe çfarë mendoni tani?

Ambasadorja Kim: Mendoj që njerëzit ndonjëherë kërkojnë për kuptime të fshehura ndërkohë që mendoj se jam mjaft e drejtpërdrejtë dhe e qartë. Kur them diçka, njerëzit e interpretojnë si mbështetje për një palë; kur them diçka tjetër, thonë, epo qenka me palën tjetër. Asnjë nga këto nuk është e vërtetë. Jam shumë e drejtpërdrejtë, Blendi, siç e dini, dhe nëse dua të them diçka në emër të Shteteve të Bashkuara, mendoj se jam mjaft e qartë.

Blendi Fevziu: Ambasadore, përpara zgjedhjeve, ju i kërkuat partive të mos kandidonin persona me rekorde kriminale në zgjedhje. A mendoni se e pranuan këshillën tuaj?

Ambasadorja Kim: Mendoj se e pranuan pjesërisht.

Blendi Fevziu: Çfarë do të thotë pjesërisht?

Ambasadorja Kim: Mendoj se listat e kandidatëve këtë vit, në përgjithësi, ishin më të mira se vitet e kaluara, në kuptimin që…

Blendi Fevziu: Shumë më të mira …

Ambasadorja Kim: …Jam dakord… Mendoj se disa nga kriminelët më të dukshëm nuk u vendosën në listë ose u hoqën para se listat të bëheshin përfundimtare. Nga ana tjetër, ka persona të tjerë që përbëjnë shqetësim, që u futën në lista, për arsye të ndryshme që për mua mbeten mister. Por di që udhëheqësit e partive kanë një përgjegjësi për të qenë të vërtetë dhe seriozë lidhur me largimin e kriminelëve dhe moslejimin e kriminelëve që të përfaqësojnë partitë e tyre dhe që të ulen në parlament. Ndaj, mendoj se është me shumë rëndësi dhe diçka shumë e mirë që një person i përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion domethënës nuk është më në parlament. Kjo është gjëja e duhur dhe ky është drejtimi i duhur.

Blendi Fevziu: A mendoni se largimi i Tom Doshit nga parlamenti ka qenë rezultat i deklaratave tuaja?

Ambasadorja Kim: Mendoj se është rezultat i shumë kërkesave nga publiku në fakt, por sigurisht, edhe pozicioni ynë si Shtetet e Bashkuara ka qenë shumë i qartë.

Blendi Fevziu: Prokuroria e Përgjithshme ju ka kërkuar informacion për Doshin dhe përfshirjet e tij. E keni dërguar këtë informacion atje?

Ambasadorja Kim: Po, e kemi furnizuar atë informacion.

Blendi Fevziu: Përpara zgjedhjeve?

Ambasadorja Kim: Po.

Blendi Fevziu: Dhe a kishte reagim nga Prokuroria e Përgjithshme?

Ambasadorja Kim: Mendoj se janë duke e parë. Mendoj se një nga çështjet është që, për këto raste përcaktimesh nga SHBA, një pjesë ose shumë mund të bazohet në informacion të klasifikuar, të cilin nuk mundemi ta ndajmë me të tjerë.

Blendi Fevziu: Faleminderit dhe tani, pas zgjedhjeve, kam parë Kryeministrin Rama ose kreun e PS Rama që kërkon bashkëpunim me PD. E fton PD për një bashkëpunim të madh, pa kufi, siç thotë ai. Mendoj se përfshihet një qeveri e madhe, një qeveri me pjesëmarrjen e PS dhe PD. Çfarë mendoni për këtë ide?

Ambasadorja Kim: Mendoj se është diçka që duhet ta diskutojnë vetë partitë mes tyre dhe të vendosin.

Blendi Fevziu: Po për komunitetin ndërkombëtar, si do shihej një qeveri e madhe?

Ambasadorja Kim: Mendoj se janë partitë që e vendosin.

Blendi Fevziu: Nuk përbën ndryshim për imazhin e Shqipërisë?

Ambasadorja Kim: Mendoj se janë partitë që e vendosin.

Blendi Fevziu: Dhe, cilat janë pritshmëritë tuaja nga parlamenti tjetër?

Ambasadorja Kim: Pritshmëria nga parlamenti tjetër është…

Blendi Fevziu: …është shumë më i balancuar tani…

Ambasadorja Kim: Është i balancuar dhe është i plotë dhe kjo është vërtet me rëndësi. Shiko, Shqipëria ka shumë gjëra të rëndësishme në horizont. Ka zhvillime, ka hapa që duhen ndërmarrë. Partia Socialiste si dhe Partia Demokratike kanë qenë të rëndësishme. Kanë luajtur një rol kyç në disa nga çastet më historike për Shqipërinë…

Blendi Fevziu: Disa nga më të rendësishmet…

Ambasadorja Kim: …saktë, disa nga më të rëndësishmet…

Blendi Fevziu: …rënia e komunizmit, anëtarësimi në NATO…

Ambasadorja Kim: …e saktë…

Blendi Fevziu: …heqja e vizave …

Ambasadorja Kim: Kur shoh për shembull Partinë Demokratike, arsyeja pse e festoj kthimin e tyre është që ata përfaqësojnë një pjesë të rendësishme të elektoratit. Por më shumë se kjo, përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të historisë së Shqipëriaë. Dhe, Akoma më e rëndësishme, përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të së ardhmes së SHqipërisë. Pra, ashtu si PD ishte në krye të tranzicionit të Shqipërisë nga diktatura në demokraci; siç ishin në krye të anëtarësimit në NATO, tani janë gati për të luajtur një rol të rëndësishëm për ta çuar Shqipërinë plotësisht në familjen europiane, pra ky është lajm i mirë.

Blendi Fevziu: Ambasadore Kim, nëse ju kërkoj një këshillë për Ramën dhe për Bashën, cila do ishte? Së pari, për Ramën.

Ambasadorja Kim: Nuk kam ndonjë këshillë.

Blendi Fevziu: Jo?

Ambasadorja Kim: Jooo…

Blendi Fevziu: As për Bashën?

Ambasadorja Kim: Jooo… E di që doni të jap këshilla personale por detyra ime është të përfaqësoj pikëpamjet e vendit tim dhe të presidentit tim.

Blendi Fevziu: Çdo deklaratë që bëni është pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, politika zyrtare?

Ambasadorja Kim: E bëj shumë të qartë nëse jam duke folur në mënyrë joformale apo personale, por, po, detyra ime është të flas në emër të Shteteve të Bashkuara.

Blendi Fevziu: Kam parë disa ditë më parë, le të themi dy ditë përpara fushatës zgjedhore, një fjalim nga Elez Biberaj, një nga zyrtarët e lartë të VOA. Tha se nëse Rama fiton zgjedhjet, do të ketë një hendek në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Është e vërtetë?

Ambasadorja Kim: Mendoj që secili ka të drejtë të ketë opinionin e vet. Ai po fliste në cilësinë e tij si…

Blendi Fevziu: A është pikëpamja zyrtare e Shteteve të Bashkuara?

Ambasadorja Kim: Jooo…

Blendi Fevziu: Jo?

Ambasadorja Kim: Hajde tani! Ju e njihni realitetin këtu. I vetmi ent që flet në emër të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri është Ambasada e SHBA. Kaq.

Blendi Fevziu: Ambasadore, ju patët një debat të fortë me Presidentin e Republikës Ilir Meta. Çfarë ndodhi midis jush dhe Presidentit të Republikës?

Ambasadorja Kim: E di që njerëzit duan të shohin pak drama dhe emocione, por ajo që do përsëris është se kur flas, flas në emër të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe e bëjmë këtë seriozisht, kur arrijmë një qëndrim dhe detyra ime është të siguroj që qëndrimi ynë është sa më i qartë që mundet. Përpiqemi ta bëjmë këtë shumë të qartë, së pari për Qeverinë Shqiptare dhe e bëjmë këtë nëpërmjet diskutimeve me zyrtarë të lartë, përfshi Kryeministrin, Presidentin, Ministrat dhe përpiqemi ta bëjmë pozicionin e SHBA sa më të qartë që mundet për popullin shqiptar. Këtë do të vazhdoj të bëj.

Blendi Fevziu: Edhe tëeet juaj, që komentonte deklaratën e Presidentit të Republikës, dy ditë përpara zgjedhjeve, ishte zyrtar?

Ambasadorja Kim: Absolutisht.

Blendi Fevziu: Le të themi, diskutuar me Uashingtonin?

Ambasadorja Kim: Absolutosht.

Blendi Fevziu: Jo një deklaratë personale?

Ambasadorja Kim: Sigurisht që jo.

Blendi Fevziu: Por Presidenti ju ka akuzuar se jeni përfshirë në punët e brendshme të Shqipërisë.

Ambasadorja Kim: Mendoj se ka të drejtën të ketë mendimet e tij, por edhe një herë, unë mund vetëm të bëj punën time, e cila është të shpreh pikëpamjet dhe të sqaroj pozicionin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Blendi Fevziu: Ambasadore, parlamenti i vjetër ka krijuar një komision hetimor për Presidentin e Republikës, për largimin e tij nga detyra. Çfarë mendoni për këtë komision?

Ambasadorja Kim: Kjo është një çështje e brendshme dhe nuk kam ndërmend të komentoj çështje të brendshme.

Blendi Fevziu: Ka gjithmonë probleme midis Metës dhe ambasadorëve amerikanë. A ka diçka konkrete midis Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit apo janë vetëm probleme të ditës?

Ambasadorja Kim: Nuk do të komentoj për çështje të brendshme.

Blendi Fevziu: Çështje të brendshme? Kjo është midis Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit, jo çështje e brendshme.

Ambasadorja Kim: Mendoj që Shtetet e Bashkuara kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie të frytshme dhe të fortë me udhëheqësit e këtij vendi. Do të ketë raste kur mund të kemi mosmarrëveshje, por ajo që mbetet nga fillimi në fund është që Shtetet e Bashkuara kanë interes të fortë për të pasur një marrëdhënie të mirë me Shqipërinë dhe unë do të bëj më të mirën që mundem për t’u siguruar që të vazhdojë kështu.

Blendi Fevziu: Cila ishte ndjesia juaj personale pasi…

Ambasadorja Kim: …Nuk është personale …

Blendi Fevziu: …Presidenti…

Ambasadorja Kim: …Nuk është personale. Nuk ka asnjë pjesë personale.

Blendi Fevziu: Ka shumë njerëz në Shqipëri, qytetarë, që ende presin rezultatet konkrete të reformës gjyqësore. Mendoj që jemi shumë shumë vonë, tetë vjet pas votimit të themi të reformës, ende nuk kemi rezultate konkrete. Çfarë mendoi për këtë?

Ambasadorja Kim: Tetë vjet?

Blendi Fevziu: Pesë vjet.

Ambasadorja Kim: Dakord.

Blendi Fevziu: 2016.

Ambasadorja Kim: Mendoj që në këtë pikë është një çështje perceptimi.

Blendi Fevziu: Pse është çështje perceptimi?

Ambasadorja Kim: Sepse mendoj që SPAK ka bërë shumë përparim. Ka qenë në funksion pak më shumë se një vit. Dhe mendoj që kreu i SPAK Arben Kraja ka dhënë disa intervista lidhur me veprimet e ndërmarra nga SPAK. Kanë nxjerrë raportin vjetor për vitin 2020, ku flisnin për 746 individë që ishin nën hetim dhe se çfarë ka ndodhur, asetet e konfiskuara. Siç e dini, unë mbaj shënime shumë të kujdesshme edhe për këtë sepse Shtetet e Bashkuara kanë investuar në mënyrë të jashtëzakonshme në suksesin e SPAK. Tani…

Blendi Fevziu: Po çfarë do të thotë në mënyrë të jashtëzakonshme? Sa keni investuar?

Ambasadorja Kim: Nga pikëpamja e mbështetjes materiale por edhe këshilla dhe mbështetje tjetër.

Blendi Fevziu: Edhe persona që këshillojnë SPAK?

Ambasadorja Kim: Po. Pra, në vitin 2020 pati 746 persona që u hetuan. Dhe ato raste po shqyrtohen tani. Për tremujorin e këtij viti, 2021, informacioni më i fundit që kam është që 264 persona janë duke u hetuar. Nuk mund të ndjekësh çdo çështje, por ajo që është e rëndësishme është që nga ato çështje që SPAK ka çuar në gjyq, kanë pasur sukses në 90% të rasteve që kanë…

Blendi Fevziu: …të rasteve që kanë çuar …

Ambasadorja Kim: …ndjekur. Është mbresëlënëse. Tani, e përsëris, reforma në drejtësi nuk ka për të qenë e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur. Dhe nëse prisni atë, po përgatitesh për dështim. Por ajo që do të them është që po ndodh përparim i vërtetë dhe përparimi, teksa ecim përpara, nuk do të jetë një vijë e drejtë. Nuk shkon nga prej këtu deri atje. Ajo që ndodh është që do ecësh përpara, do bësh pas, dhe ajo që do që të ndodhë është që prirja e gjerë të jetë ecja përpara dhe mendoj që është ajo që po shihni.

Blendi Fevziu: Ambasadore, numrat janë numra, nuk po them gjë për numrat, por problemi është tek rastet konkrete, shembujt e mëdhenj që publiku nuk po i sheh ende. Le të themi, të mëdhenjtë, personat e rëndësishëm, personat me pushtet, këta nuk janë ende nën hetim.

Ambasadorja Kim: Shiko, nuk mund…

Blendi Fevziu: …sepse njerëzit, lidhur me reformën në drejtësi, kishin parasysh peshqit e mëdhenj, po përdor këtë term të vjetër, që do të hetoheshin. Megjithatë, deri tani, nuk kemi emra të mëdhenj, të fuqishëm nën hetim…

Ambasadorja Kim: Do të jem e drejtpërdrejtë siç jam zakonisht. Mendoj se jeni keqinformuar…

Blendi Fevziu: Pse…

Ambasadorja Kim: …dhe mendoj se po përsërisni diçka që është e rreme. Ka pasur çështje të mëdha që janë shpallur…

Blendi Fevziu: Për shembull?

Ambasadorja Kim: …dhe ju nuk flisni për to. Nuk do t’i përmend me emër sepse nuk dua të ndërhyj në çështje në vazhdim…

Blendi Fevziu: Raste të mëdha për të cilat nuk flet media?

Ambasadorja Kim: Po. Për shembull, verën e shkuar, u shpall një çështje e madhe, e cila përfshinte trafikun e drogës që ka një lidhje me median dhe biznesin. Ju nuk flisni për të dhe pastaj të gjithë pretendoni që nuk po ndodh asgjë. Ka prokurorë, ka mjekë, ka të tjerë që po hetohen. Tani, nëse më thua që askush nuk do ta besojë deri sa politikani më i madh apo, kushdo tjetër, të jetë në burg, mendoj që po injoroni faktet dhe vazhdoni propagandën.Thjesht nuk është e vërtetë që nuk ka përparim. Në fakt, ka pasur përparim të jashtëzakonshëm. Pra, nuk mund të më thuash nga njëra anë që i pranon shifrat e mia, por nga ana tjetër nuk pranon të vërtetën për atë që po ju them.

Blendi Fevziu: Jo, jo, po flas për shembujt e mëdhenj…

Ambasadorja Kim: Pra, nëse do të isha si ju, do t’ju nxisja të kërkoni më shumë dhe të jeni më të guximshëm në raportimin e fakteve se kush nuk po hetohet dhe për çfarë. Mos pretendoni se nuk po ndodh asgjë sepse është shërbim i keq për popullin shqiptar.

Blendi Fevziu: Do të pyes zyrtarisht kreun e SPAK-ut dhe të shohim ç’do ndodhë.

Ambasadorja Kim: Ju lutem bëjeni.

Blendi Fevziu: Ka shumë pretendime, sidomos nga opozita, që reforma në drejtësi është kapur nga Rama dhe është përdorur prej tij, edhe SPAK. A keni ndonjë koment për këtë?

Ambasadorja Kim: Nuk kam asnjë koment për këtë.

Blendi Fevziu: Dhe çfarë mendoni për rastet e mëdha që SPAK do të ketë në të ardhmen? Keni thënë në deklarata që po hetojnë tri apo katër çështje të mëdha. Çfarë mendoni, do të kenë rezultate konkrete për çështjet e mëdha në të ardhmen?

Ambasadorja Kim: Besoj që po. Shikoni, qoftë reforma në drejtësi dhe veprimtaria e SPAK dhe të tjerë, qoftë krimet zgjedhore, qoftë sjellja në përgjithësi, askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë po i afrohet fundit.

Blendi Fevziu: Të shpresojmë.

Ambasadorja Kim: Të shohim. Dhe, një e vërtetë tjetër: media, reporterët, ju, duhet të jeni më të guximshëm për të raportuar çfarë po ndodh. Vë re kur çështje të caktuara shkojnë në gjykatë, askush nuk flet për to. Vë re që kur njerëzit…

Blendi Fevziu: Po, është e çuditshme…

Ambasadorja Kim: …janë të dyshuar, askush nuk flet për ta. Pse, më thoni pse?

Blendi Fevziu: Varet nga çështja. Zakonisht studio është gjithmonë e hapur dhe…

Ambasadorja Kim: …dëgjoj për telefonatat që iu bëhen shefave të studiove. I dëgjoj këto.

Blendi Fevziu: …për të ndaluar…

Ambasadorja Kim: Ky është problemi, të mosfolurit për çështje të caktuara. Pra ky është problem. Është problem propaganda. Është problem perceptimi..

Blendi Fevziu: Është skandal nëse ka ndodhur.

Ambasadorja Kim: Është problem pushteti. Pandëshkueshmëria duhet të marrë fund. Reporterët, gazetarët kanë një rol për këtë. Sigurisht, rolin më të madh e kanë ligjzbatuesit, por të mos bëjmë sikur.

Blendi Fevziu: Ambasadore, BKH është rrugës por jo e plotë. Pse është kaq e vështirë?

Ambasadorja Kim: Në fakt po bëjnë shumë përparim aty. Janë 30 e ca hetues që pothuajse kanë përfunduar trajnimin tani. Ka pasur një raund të dytë thirrjesh për më shumë hetues. Kjo do të marrë disa muaj më shumë. FBI jonë është përfshire në trajnim. Pra, është një proces emocionues.

Blendi Fevziu: Në ndihmë të BKH?

Ambasadorja Kim: Po ofrojnë trajnime në fillim dhe sipas nevojës do të ofrojnë edhe këshilla.

Blendi Fevziu: Pak ditë më parë arritën në Shqipëri 8,000 ushtarë amerikanë për stërvitjen ushtarake Defender Europe 21.

Ambasadorja Kim: Po.

Blendi Fevziu: Thatë se është stërvitja më e madhe pas L2B, më e madhja në Shqipëri, por thatë që nuk është rastësi që është zgjedhur Shqipëria. Çfarë do të thotë kjo?

Ambasadorja Kim: Siç e dini, kemi tri prioritete këtu: demokracia, mbrojtja, biznesi dhe duam të bëjmë përparim në të trija këto sepse janë të ndërlidhura. Nuk është vetëm reforma në drejtësi për hir të reformës në drejtësi. Nuk është thjesht biznesi për hir të biznesit. Nuk janë thjesh ushtarë. Më lejoni t’ju jap disa shifra për Defender 21.

Blendi Fevziu: Po.

Ambasadorja Kim: Janë deri në 6,000 ushtarë amerikanë që do të jenë në Shqipëri, jo të gjithë njëherësh, por gjatë shtrirjes së stërvitjes.

Blendi Fevziu: Sa do të zgjasë stërvitja?

Ambasadorja Kim: Zyrtarisht u hap më 1 maj dhe më 4 maj erdhën tri gjeneralë me katër yje, gjeneralë amerikanë…

Blendi Fevziu: Po, për herë të parë në Shqipëri.

Ambasadorja Kim: Është historike, apo jo? Kështu, stërvitja do të vazhdojë deri në fund të qershorit. Dhe është pjesë e një stërvitjeje më të gjerë që përfshin 28,000 trupa shumëkombëshe që vijnë

Blendi Fevziu: …nga e gjithë Europa …

Ambasadorja Kim: …që vijnë nga 26 vende dhe po zhvillojnë aktivitete thuajse në të njëjtën kohë në 16 vende. Shqipëria ndodh të jetë një prej mikpritëseve më të mëdha. Shqipëria po mirëpret shumicën e aktiviteteve nga ato 16 vende dhe them që nuk është rastësi. Tregon që ne jemi seriozë për rëndësinë e Shqipërisë si aleate në NATO dhe mendoj që tregon edhe se Shqipëria është serioze lidhur me rolin e saj si aleate e NATO-s. Ajo që do të ndodhë përmes këtyre stërvitjeve është që do të kemi këta mijëra trupa që kryejnë të gjitha këto ushtrime…

Blendi Fevziu: Në fakt është mbresëlënëse të shohësh kaq shumë mjete ushtarake…

Ambasadorja Kim: …në tokë, det dhe ajër. Në tokë, do të thotë stërvitje për të çuar trupa sa më shpejt që mundet nga një pikë në një tjetër; në det, do të thotë që sërtivtemi t’i çojmë këto pajisje nga një pikë fundore tek tjetra, t’i transportojmë këtu dhe t’i kalojmë në tokë. Tani, tingëllon e thjeshtë, por kur flet për mijëra automjete dhe kur flet për karburant, është jashtë mase i vështirë si operacion logjistik. Në ajër nënkupton mbrojtjen ajrore dhe mbrojtjen raketore. Pra, do të testojmë aftësinë tonë për të punuar së bashku si aleatë, për të mbrojtur hapësirën ajrore të miqve dhe aleatëve tanë në Europë.

Blendi Fevziu: A jeni e kënaqur me rolin që luan Shqipëria brenda NATO-s?

Ambasadorja Kim: Po. Shqipëria është një aleate absolutisht besnike dhe e aftë dhe ajo që duam është të ndërtojmë mbi këtë. E para që duhet të bëjmë është, si çdo aleat tjetër, Shqipëria duhet t’i kushtojë 2% të PBB të saj mbrojtjes deri në vitin 2024. Kjo është një marrëveshje që e bënë të gjithë aleatët në vitin 2014 në Uells. Shqipëria është në rrugë të mbarë për këtë. E dyta është që do të rrisim strëvitjet dhe trajnimet tona dypalëshe dhe shumëpalëshe me forcat shqiptare në mënyrë që të rrisni aftësintë. Mendoj se e gjitha është në një trajektore pozitive.

Blendi Fevziu: Ambasadore, kam parë në mediat sociale sidomos shumë komente se pse Z. Basha nuk u ftua në ceremoni.

Ambasadorja Kim: Nuk e di. Po të kishte qenë në dorën time, do ta kisha ftuar, patjetër. Por, kjo ishte… nuk e kontrolloj listën e të ftuarve…

Blendi Fevziu: Protokolli… Nuk u organizua nga ambasada amerikane?

Ambasadorja Kim: Jo, u organizua nga Ministria e Mbrojtjes.

Blendi Fevziu: Ah, dakord, faleminderit. Kam parë që lëvizni shumë në Shqipëri, vizitoni shumë site dhe vende, por sidomos ndryshe nga ambasadorët e tjerë, takoheni me shumë qytetarë të zakonshëm, kudo në Shqipëri. Cili është perceptimi që keni nga këta njerëz, për vendin, për të ardhmen e vendit?

Ambasadorja Kim: Kjo është një nga pjesët e preferuara të punës sime, sepse siç e përmenda më parë, detyra ime si diplomate është të punoj me qeverinë, të punoj me zyrtarë të zgjedhur dhe udhëheqës, por është edhe të ndërtoj lidhjet mes njerëzve, midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar. Dhe kur lëviz nëpër vend, shoh…

Blendi Fevziu: Erdhët në njnë moment të vështirë për shkak të pandemisë…

Ambasadorja Kim: Po, por nuk mund të ndalosh së jetuari për shkak të një pandemie, apo jo? Duhet të gjesh mënyra për t’u lidhur me njerëzit. Thatë më parë që jam ndryshe nga paraardhësit, për shkak të mënyrës që flas me njerëzit. Mendoj se nuk është e vërtetë në fakt.

Blendi Fevziu: Kam parë shumë foto në Instagram, me qytetarë të zakonshëm, me të rinj…

Ambasadorja Kim: Pikërisht kjo është. Është për shkak të medias sociale. Mendoni se flas me njerëzit më shumë se kushdo tjetër, por është …

Blendi Fevziu: …Po, është më e dukshme…

Ambasadorja Kim: …sepse paraardhësit e mi nuk kishin Instagram. Kur flas me njerëzit, i pyes për çfarë janë të shqetësuar, çfarë mendojnë, çfarë shpresojnë për fëmijët e tyre, dhe çfarë presin nga udhëheqësit e tyre e çfarë duan nga Shtetet e Bashkuara.

Blendi Fevziu: Dhe komentet e tyre?

Ambasadorja Kim: E duan vendin e tyre, e para. Dhe të gjithë biem në një mendje se Shqipëria ka kaq shumë potencial, sidomos mes të rinjve. E dini, shumica e shqiptarëve flasin dy a tri gjuhë, e pabesueshme. Një aset i jashtëzakonshëm. Dhe shqiptarët dinë si të përballen me kaq shumë situata të ndryshme dhe shpresa ime është që me pastrimin e sistemit të gjykatave, me çrrënjosjen e korrupsionit, me biznesit që bëhet më transparent, do të ketë më shumë mundësi për të rinjtë e Shqipërisë që vërtet të zhvillojnë dhe kontribuojnë talentin e tyre.

Blendi Fevziu: …të përfshihen më shumë në zhvillimin e vendit…

Ambasadorja Kim: Ky mund të jetë një vend i madh. Është e thënë të jetë një vend i madh.

Blendi Fevziu: Jeni thuajse në mes të mandatit tuaj si Ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, si ndiheni për vendin?

Ambasadorja Kim: Mendoj se jam ambasadorja amerikane më me fat në botë?

Blendi Fevziu: Pse?

Ambasadorja Kim: Thjesht kështu është! Është një vend i bukur por më shumë se kaq, ka njerëz të mrekullueshëm. E di që hera-herës ndjeni pak të ngrysur…

Blendi Fevziu: …vendet e vogla të botës, janë…

Ambasadorja Kim: Mendoni se është tepër e vështirë, por si e jashtme, si e huaj, kam qenë këtu për një vit e gjysmë dhe nga ç’kam parë deri sot, i shoh sfidat, nuk jam e verbër, por jam e mbushur me shpresë. Sepse mendoj që njerëzit këtu janë të talentuar, janë shumë punëtorë dhe shpresoj që me kalimin e kohës, dhe sidomos me qeverinë e ardhshme, do të kemi mundësi të trajtojmë më shumë problemet që e pengojnë këtë vend të bëhet aq i pasur dhe i mirë sa duhet të jetë dhe mund të jetë.

Blendi Fevziu: Ambasadore, kam parë që përveç punës tuaj, udhëtoni në fundjavë, vizitoni site apo vende në Shqipëri.

Ambasadorja Kim: Po.

Blendi Fevziu: Cilat janë vendet e preferuara? Çfarë gjeni midis veriut dhe jugut?

Ambasadorja Kim: E dini ku qëndron problemi?

Blendi Fevziu: Po?

Ambasadorja Kim: Secili vend që vizitoj bëhet i preferuari im.

Blendi Fevziu: Deri sa të shkoni tek tjetri.

Ambasadorja Kim: Deri tek tjetri. Kështu, kam qenë disa herë në veri. Kam qenë në Shkodër mendoj tri herë.

Blendi Fevziu: Keni bërë hiking nga Valbona në Theth.

Ambasadorja Kim: Po, bëmë një ngjitje nga Valbona në Theth, një mrekulli. Dhe jo vetëm natyra. Më pëlqen shumë të has ngjitës të tjerë rrugës, të shkëmbejmë disa fjalë dhe të ndalj për kafe e të tjera, është shumë bukur. Kam qenë disa herë në Elbasan, disa herë në Sarandë, Himarë, Vlorë, Durrës, dhe pas nja dy javësh do të shkoj në Korçë më në fund.

Blendi Fevziu: S’keni qenë në Korçë?

Ambasadorja Kim: Nuk kam qenë në Korçë. Pra, ka shumë vende ku s’kam qenë ende.

Blendi Fevziu: Do të jetë vizitë e shkëlqyer, mendoj, sepse Korça ka shumë traditë.

Ambasadorja Kim: Po.

Blendi Fevziu: Dua t’ju falenderoj shumë për këtë intervistë sonte.

Ambasadorja Kim: Faleminderit.

Blendi Fevziu: Faleminderit, Ambasadore Kim.

Ambasadorja Kim: Po. Faleminderit.

MË TEPËR

Mix19 orë më herët

Këto janë 3 shenjat më “tradhtare” të Horoskopit

A duhet të mos u besoni? Në internet qarkullon një studim sipas të cilit këto janë shenjat “që mund të...

Radar19 orë më herët

Humbëm të gjithë nga pak në cirkun e klikimeve

Zallamahia që pushtoi hapësirën virtuale të shqiptarëve kudo ku jetojnë ka nisur të bjerë, dhe kur të jetë shuar përfundimisht,...

Mix19 orë më herët

Nëse hani shumë sheqer, më shumë do vuani nga depresioni!

Një studim i botuar në Journal of Translational Medicine zbulon se konsumi më i lartë i sheqerit lidhet me një...

Mix19 orë më herët

Ozempic vrau dietën dhe ushtrimet!

Burimi: The Atlantic Mjekët mbase nuk duan ta pranojnë, por përdorimi i Ozempic dhe barnave të tjera GLP-1 po i...

Mix19 orë më herët

Veçoritë e Sicilisë – pse ia vlen ta vizitojmë?

Për shumë vite, qytetet klasike të Italisë, Roma, Venecia, Firence dhe Milano kanë tërhequr turistë nga e gjithë bota, ndërsa...

Mix19 orë më herët

ChatGPT Search, motori i kërkimit OpenAI, tani është falas për të gjithë

Ne kemi folur gjatë për ChatGPT Search në këto faqe dhe se si ai është i destinuar të ndryshojë thellësisht...

Mix20 orë më herët

Publikohet lista e 100 kuzhinave më të mira në botë, ja ku renditet Shqipëria

Guida e njohur gastronomike “Taste Atlas” ka publikuar listën e saj vjetore të kuzhinave më të mira në botë. Kuzhina...

Radar20 orë më herët

Avokat Ngjela: Non grata e Berishës e pakthyeshme, kërkon të manipulojë militantët. Kot mban shpresa te Trump

Avokati Spartak Ngjela pohoi pasditen e sotme se vendimi për shpalljen non grata të kreut të PD-së Berisha është i...

Mix20 orë më herët

Shkenca e fshehur në pikturën ikonike të Van Gogh, “Nata me yje”

Dy dekada më parë, dy fizikanë po qëndronin në një muze në Madrid duke menduar për veprat e piktorit post-impresionist...

Mix20 orë më herët

Dalina Buzi me deklaratë të fortë për Kiarën, reagon ashpër Luizi!

Dalina Buzi e ka ngacmuar Luiz Ejllin dhe Kiara Titon me një deklaratë të fortë qe beri se fundi për...

Facebook