Aktualitet
Kandidate për kryetare bashkie? Ori Nebijaj: Në çdo lloj sfide e di që ja dal
Moderatorja Ori Nebijaj kandidoi nën siglën e PD-së në zgjedhjet e 25 prillit, por nuk arriti që të merrte dot mandatin e deputetit edhe pse mori 5599 vota preferenciale, shumë më tepër se disa prej kandidatëve në listën fituese të Qarkut Tiranë.
E pyetur për votat e shumta që mori, Nebijaj është shprehur se duke qenë në terren çdo ditë, nuk ishte e lehtë ta perceptonte në mënyrë të mirëfilltë se cila do të ishte vota që ajo do merrte. Ajo tha se votat që mori dhanë një mesazh të fortë për të gjithë politikën.
“Ka një numër votash që është frymë dhe pëlqim që ti nuk e kupton dhe nuk ta prek dot njeri. Ka një votë qytetari që nuk preket, e kjo është edhe vota që erdhi te kandidatura ime, e cila u perceptua si një frymë e re. Rreth 6 mijë vota janë shumë kur je një individ i vetëm e nuk ke një strukturë të mirëfilltë, apo dikë që të mbështet financiarisht. Mendoj se votat që mora dhanë një mesazh të fortë për të gjithë politikën”, tha Ori jnë emisionin “Breaking”.
E pyetur nëse mendon që të kandidojë për kryetare bashkie në Tiranë, Nebijaj u shpreh se është shumë shpejt, por u zotua se në çdo lloj sfide ja del.
“Është shumë shpejt ta mendoj. Akoma nuk kam mbyllur këtë proces. Tirana është bashkia më ë fortë dhe më e madhe, e besoj se Partia Demokratike ka emra të tjerë më me eksperiencë. Jo se nuk e konsideroj veten për të qenë tani, pasi në çdo lloj sfide e di që ja dal. Tani i kam bërë me veten time disa konfirmime në punë. Jam e aftë t’i dal për zot çdo zotimi, por mendoj se është shumë shpejt dhe nuk është as momenti që të mendojmë për zgjedhjet e ardhshme”, tha Nebijaj.