Lidhu me ne

Temporal

Fantazma e koalicionit me b…ë të gjerë

|       Genc Pollo

Të shkruaj këto ditë për mundësinë e dobinë e një koalicioni qeverisës PS-PD do të më dukej vetja si ata të mençurit që futen në lumë për të nxjerrë prej aty gurin që ka hedhur budallai.

Të “mençurit” janë komentatorët jo të pakët të kësaj teze e shpesh pozitivë ndaj saj. Kryeministri është “shejtan) budallai” që këtë propozim e hodhi në pazarin politik para e mbas 25 prillit. Unë kam qenë përherë kundra koalicioneve të tilla përveçse në situata të jashtëzakonshme.

Megjithatë kësaj radhe, nga sikleti i gurit në lumë, nuk do të kisha marrë penën për të argumentuar kundërshtimin tim. Por ndërrova mendje kur hasa në qershinë mbi tortë në listën e arsyeve në favor: qeveria e përbashkët PS/PD do të bënte që BE të çelte menjëherë negociatat e anëtarësimit!

A është i domosdoshëm e i pashmangshëm koalicioni me bazë të gjerë?
“A do t’a detyrojë rezultati një koalicion të gjerë?” pyesnin para 25 prillit të brendshëm e të jashtëm. Shumica e thjeshtë në Kuvendin e Republikës 140-mandatësh që mjafton për votëbesimin e qeverisë është minimalisht 71.

Pra me artimetikë të thjeshtë nëse PD vetëm apo tok me LSI do të kapnin të paktën 71 deputetë, koalicioni i madh nuk të ishte as i domosdoshëm e as i pashmangshëm. Po ashtu nëse PS, vetëm apo tok me PSD e Doshit (nuk është rasti për të shpotitur premtimet ndaj ndërkombëtarëve) do të kapte po ato numra. Veç rasti jo shumë probabël ku PD plus LSI, si dhe PS plus PSD do të kapnin secila nga 70 deputetë, e ka rrugëdaljen disi të paqartë.

Kështu ndodhi në zgjedhjet e v. 2009: PD mori 70 mandate; PS e LSI përkatësisht 66 e 4 mandate. Rrugëdaljen e v. 2009 e njohim. Në vitin 2021 basti imagjinar i imi ishte se Rama, në rast nevoje, do të tentonte të ndukte deputetë në kampin kundërshtar. Rama i dha ca shenja gjatë fushatës. Kjo tashmë nuk është e nevojshme. Po ashtu mund të themi se koalicioni i gjerë nuk ka pse të jetë i domosdoshëm e i pashmangshëm.

A është i dobishëm koalicioni me bazë të gjerë?
Shqipëria post komuniste ka njohur qeveri me mbështetjen e PD dhe PS në kohë krizash serioze në vitet 1991 (Bufi e Ameti) e në vitin 1997 (Fino). Numrat në Kuvend nuk ishin realisht përcaktues mbasi PS në v. 1991 e PD në v. 1997 kishin mazhoranca të stërmëdha. Rezultati e performanca e këtyre qeverive lipset të gjykohet në secilin rast në kontekstin e dhënë por gjithësesi mund të themi ato qeveri u formuan për të përballuar situata vërtet të jashtëzakonshme. Edhe qeveria “teknike” PS/PD me shef Edi Ramën e krijuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve katër vjet më parë deri diku në këtë kategori përfshihet; e lindur nga një krizë politike ajo (pjesa e emëruar nga PD) nuk mundi të pengonte manipulimet zgjedhore por vetëm i denoncoi ato. Në të treja këto raste kemi qeveri afatshkurtëra sipas krizës e sfidës që secila syresh duhet të përballonte.

Në përvojën demokratike 30 vjeçare nuk ka ndonjë përvojë të qeverisë koalicionare PD/PS në vijim të zgjedhjeve parlamentare e aq më pak një qeveri të tillë përgjatë një legjislature. Se si mund të imagjinohet një orvatje për koalicion të gjerë na ndihmon një krahasim nga fundi i vitit 2013. Atëhere mazhoranca PS/LSI “nduku” disa deputetë të opozitës dhe arriti kështu të kapte shumicën e cilësuar 3/5; të cilën më vonë e keqpërdori. Megjithatë, me 40% e mandateve të mbetur, PD kishte ende disa instrumenta të kontrollit demokratik si p.sh komisionet hetimore.

Por edhe ato u bllokuan a priori e në shkelje të hapur të ligjit e të traditës nga mazhoranca derisa Gjykata Kushtetuese urdhëroi heqjen e bllokadës. Tek i përshkruaja asokohe këto andralla raporterit të Parlamentit Europian për Shqipërinë ai më tregoi se në Gjermani partia e tij Social Demokrate pas zgjedhjeve po në 2013 kishte hyrë në koalicion me kancelaren Merkel.

Por shumica e tyre në Bundestag e reduktoi opozitën në gati 20% të mandateve; me këto numra të vegjël kjo e fundit nuk aktivizonte dot instrumentat e kontrollit demokratik. Për pasojë, me nismë të supermazhorancës, rregullorja e Bundestagut u ndryshua në favor të një opozite efikase. Kontrasti në krahasimin më lart është domethënës por edhe një këshilltar i mirë për këdo që me bona fide por edhe me naivitet fantazon për koalicione stabilo-europiane.

Të gjithë ata që e kanë mallkuar ose përqeshur opozitën e viteve 2013-2021 me ndershmëri nuk mund t’i mohojnë asaj rolin primar e madhor në ekspozimin e zullumeve të papara e padëgjuara të pushtetit Rama: banditët në ofiqe, kanabizimi në rang republike, PPP sifon i taksapaguesve e kështu me radhë. Me ca vonesë e disi me ndrojtje zërit të opozitës ju bashkua media e pakapur, OJF-të e pangjyera e ndërkombëtarët e papërgjumur. Denoncimi i paudhësive vërtet nuk i ndali krejt ato por qartazi, përmes ndërgjegjësimit, i frenoi deri diku.

Kaq mund të bëjë opozita në shërbim të interesit publik. Për të ndalur e për të çbërë ato i duhet fillimisht të vijë në pushtet. Imagjinoni makthin sikur zëri i PD, që kaloi në opozitë para tetë vjetësh, të shuhej për ndonjë arsye. Ose imagjinoni makthin e ardhshëm sikur opozitës t’i mbyllet goja me ca ministri e me ca drejtori. Pasi është afërmendjes se pushteti i sotëm nuk ka asnjë arsye të ndërrojë as lëkurën e as huqin. Dhe nuk ka pse të frenohet vetëm se ka lëshuar një fetë pushtet; të cilën e rimerr kur të ketë qef mbasi i ka numrat në Kuvend.

Unë nuk dua të besoj se ka një shtysë të heshtur në opozitë për t’u kuturisur në koalicion. Nuk e përjashtoj që, siç qesëndis një deputet i rizgjedhur, në oborrin e partisë sillen rrotull edhe fytyra të vrerosura nga pezmi që nuk u bënë drejtorë e ministra. Por ky pezm nuk mund të jetë motiv politik që në këtë situatë kritike përgjegjësinë e madhe të opozitës t’ja lësh në ekskluzivitet katër mandateve të bakërta të LSI-së.

A e magjeps dot koalicioni me bazë të gjerë Bashkimin Europian?
Tre vjet më parë kryeminstri i bënte thirrje publike shefit të opozitës të merrnin avionin të dy tok e të hidheshin nga Brukseli në Hagë e në Berlin e tjeterkund për të impresionuar me këtë unitet çdo “skeptik” që pengonte çeljen e negociatave. Me këtë ai më frymëzoi atëhere për shënimin “Çdo berr nga këmbët e veta” ku nënvizoja se “skeptikët” e dinin fare mirë se opozita e tërë popullsia ishin pro negociatave e pro BE-së por problemin e kishin me krimin, korrupsionin e emigracioni; që denoncoheshin përditë nga opozita si dështim i qeverisë.

Rama bënte një lojë propagande për të hequr nga vetja përgjegjësinë e dështimit me negociatat e për t’a lënë në derë të opozitës; si zakonisht! Këtë pranverë prezantimi i koalicionit të gjerë si çelës për çeljen e portës për tek negociatat më duket si çifti fluturues i tre viteve më parë. Edhe në rastin fatlum të fillimit të proçesit këtë vit, BE do të vazhdojë me hallin e madh të krimit, korrupsionit dhe emigracionit pa pyetur shumë për gjerësinë e b…ës së koalicionit.

Ndoshta gjithë ky shënim ishte një guralec i nxjerrë nga lumi sepse Rama nuk ka sugjeruar shprehimisht koalicion qeveritar me PD. Por ai ka folur për bashkëpunim pa vija të kuqe. Unë mbetem që ashtu si Cezarit, qeverisë t’i jepet pushteti që parasheh kushtetuta. Por edhe opozitës të mos i mohohet tagri që i njeh demokracia.

Vjet, Rama i grabiti opozitës të drejtën e koalicionit para zgjedhor; të cilën gjatë dy dekadave e kishte përdorur disa here në favor të tij. E bëri në shkelje të marrëveshjes të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarë e duke duruar valë kritikash prej tyre.

Nëse është serioz të kthejë plaçkën e grabitur. Dhe opozita t’a sfidojë e t’a testojë pikërisht këtu. Mbasi të mbarojë denoncimet për votëvjedhje e mbasi të davaritet çdo ekuivok për bashkëqeverisje.

Ish-ministër e deputet*

MË TEPËR

Mix3 orë më herët

“Kush guxon të flasë kundër sistemit e pëson” – Influencerit Andrew Tate i sekuestrohen 3.4 milionë dollarë

Policia britanike mund të sekuestrojë afro 2.7 milionë paund (3.4 milionë dollarë) nga influenceri AndrewTate dhe vëllai i tij Tristan...

Radar3 orë më herët

Mandarina shqiptare bllokohet nga BE

Sistemi Europian i sigurisë ushqimore ka ngritur alarm ndaj ngarkesave me mandarina që vijnë nga Shqipëria. Përgjatë javëve të fundit, Kroacia,...

Mix3 orë më herët

VIDEO/ Parashqevi Simaku shfaqet me një pamje të tjetërsuar, çfarë surprize po përgatitet?

Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, ka rrëmbyer vëmendjen e medias dhe të qytetarëve. Tashmë videot e saj janë virale...

Mix3 orë më herët

Video / Donald Trump shfaqet me model të ri flokësh

Një video që tregon presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, me një model flokësh dukshëm të ndryshëm, është bërë...

Radar3 orë më herët

Evi Kokalari hedh dyshime: Gjithë historia e Parashqevi Simakut, është inskenuar nga Fevziu dhe Elton Ilirjani

Evi Kokalari ka reaguar për videon virale të këngëtares Parashqevi Simaku, e cila më pasu u kthye në temë e...

Radar4 orë më herët

Lufta e Tretë Botërore ka nisur, ajo po zhvillohet në Ukrainë!

Shkruar nga Eva Hartog Sot, trupat në të dyja anët e vijës së konfliktit komunikojnë në spanjisht, nepalisht, hindu, somalisht,...

Mix1 ditë më herët

Këto janë 3 shenjat më “tradhtare” të Horoskopit

A duhet të mos u besoni? Në internet qarkullon një studim sipas të cilit këto janë shenjat “që mund të...

Radar1 ditë më herët

Humbëm të gjithë nga pak në cirkun e klikimeve

Zallamahia që pushtoi hapësirën virtuale të shqiptarëve kudo ku jetojnë ka nisur të bjerë, dhe kur të jetë shuar përfundimisht,...

Mix1 ditë më herët

Nëse hani shumë sheqer, më shumë do vuani nga depresioni!

Një studim i botuar në Journal of Translational Medicine zbulon se konsumi më i lartë i sheqerit lidhet me një...

Mix1 ditë më herët

Ozempic vrau dietën dhe ushtrimet!

Burimi: The Atlantic Mjekët mbase nuk duan ta pranojnë, por përdorimi i Ozempic dhe barnave të tjera GLP-1 po i...

Facebook