Kanë kaluar pa u vënë re dhe pa u komentuar disa vëzhgime të mprehta politike të Arian Çanit, gazetar dhe drejtues i programit Zonë e Lirë, të enjten e shkuar në emisionin Të Paekspozuarit të Ylli Rakipit.
Duke folur për nevojën e rezistencës shoqërore ndaj keq qeverisjes, Zoti Çani u shpreh:
“Deri në momentin që këta nuk kanë asnjë fuqi përballë që t’ju rezistojë; deri në momentin që opozita shqiptare ka provuar dy tri here me mitingje, ka mbledhur njerëz në shesh, ka ndejtur gjysëm ore në shesh dhe është shpërndarë; deri në momentin që shoqëria civile—deri tani e pakët në numër—shkon në park, rrihet nga policia, përleshet me policinë e largohet prapë në shtëpi; deri në momentin që Erion Veliaj do dalë dhe do të thotë në 1 qershor do të bëhet parku; deri në momentin që të gjitha këto bëhen dhe nuk ka asnjë rezistencë shoqërore, qytetare nga poshtë, deri në atë moment këta do jenë fitues.
“Në këto momente këta janë një fuqi ende e pakundërshtueshme. Rruga është bosh, njerëzit janë pak. Rilindasit sot janë të fuqishëm.”
Duke folur për rolin e medias, Zoti Çani deklaroi:
“Nëse ju mendoni që gjërat do të ndryshojnë për mirë në këtë vend nëpërmjet mediave, gaboni rëndë. E vetmja mënyrë për të ndryshuar gjërat dhe rendin e gjërave në këtë vend është rruga. Janë njerëzit, kur ata bashkohen, kur ata i bashkohen një kauze. Dhe media nuk është gjë tjetër veçse tubi bosh që duhet ta transmetojë këtë gjë.
Ka shumë njerëz në këtë vend që mendojnë se mediat janë kapur, por në qoftë se ka një fuqi, në qoftë se ka një presion real nga njerëzit, unë po të them që edhe këto media të kapura do të kthejnë kokën nga njerëzit, ose do rrëzohen bashkë me ata që mbrojnë.”
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu