Aktualitet
Për 2 vjet 1 miliard lekë bileta avioni
Janë gati një miliard lekë nga buxheti i shtetit dhe taksat e shqiptarëve që do përdoren nga një pjesë e administratës për bileta avioni. Tre ministri të linjës kanë akorduar qindra milionë lekë për bileta avioni. Bold News ka bërë një vëzhgim në Agjencinë e Prokurimit Publik (APP), ku rezulton se Ministria e Mbrojtjes, e Arsimit dhe e Kulturës kanë hapur procedurat për tenderët.
Ministria e Mbrojtjes
Sipas dokumentit në APP, ministria e Mbrojtjes ka bërë një prokurim me procedurë të hapur, ku kërkon të lidhë marrëveshje me disa operatorë ekonomikë, ku jo të gjitha kushtet janë të përcaktuara. Objekti i prokurimit është “Blerje biletash udhëtimi për transport ajror”. Kjo ministri ka akorduar një fond limit prej 73,831,493 milionë lekë të reja pa TVSH., të detajuar për dy vite buxhetore 2016 dhe 2017. Kështu, ministria e drejtuar nga Mimi Kodheli ka akorduar 32,059,243 lekë pa tvsh, të vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit, për vitin 2016.
Ndërkohë, 41,772,250 lekë të reja do të shpenzohen në PBA 2016-2018, për vitin 2017. Në dokument thuhet se burimi i financimit për fond është buxheti i shtetit 2016-2017. Mësohet se, pas nënshkrimit të kontratës, fituesit duhet ti shërbejnë kësaj ministria deri më 31.12.2017. Hapja e ofertave do të behet në datën 25 prill 2016 në orën 12:00.
Ministria e Arsimit
Pak ditë më parë, në Agjencinë e Prokurimit Publik ka dorëzuar një kërkesë edhe ministria e Arsimit dhe Sportit. Lloji i procedurës së prokurimit është “Procedure e hapur, me marrëveshje kuadër (me disa operatorë ekonomikë ku jo të gjitha kushtet janë të përcaktuara), duke përdorur sistemin elektronik”. Objekti i prokurimit është “bileta të transportit ajror ndërkombëtar, për vitet 2016-2017”.
Fondi nga ministria e drejtuar nga Lindita Nikolla është 9.114.000 lekë të reja. Burimi i financimit është buxheti, ndërsa afati për realizimin e shërbimeve është deri në fund të vitit 2017. Data e dorëzimit të ofertës duhet te jetë më 7 prill 2016.
Ministria e Kulturës
Ministria e Kulturës nuk mbetet pas Arsimit dhe Mbrojtjes për bileta avioni. Në APP është hapur një tender me autoritet kontraktues pikërisht institucionin e drejtuar nga Mirela Kumbaro. Ajo kërkon
“Blerje bileta të transportit ajror ndërkombëtar” me një fond limit 7 800 000 lekë me burim të financimit buxhetin e shtetit. Kohëzgjatja e kontratës do të jetë 24 muaj, ndërsa afati i fundit për pranimin e dokumenteve do te jetë 7 prilli./boldnews/
Më poshtë gjeni dhe dokumentet zyrtare:
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu