Lidhu me ne

Kioske

Si duhet të sillemi me diktatorët ?

Si i trajtojnë gjermanët ata që lavdërojnë Hitlerin – Nga Aleksandër Meksi

 Aleksandër Meksi

“Gjermania jep leksione si duhet të sillemi me diktatorët” (25.10.2007)

Edhe pse kishte një karrierë të gjatë dhe të suksesshme pune në kanalin e parë të televizionit publik gjerman ARD (mbi 18 vite), gazetarja Eva Herman u pushua nga puna menjëherë, theksojmë menjëherë, gjatë një emisioni promovimi të një libri të saj, për shprehje të një gjykimi personal për familjen naziste.

Të martën që shkoi (9 Tetor), zonja Herman në një emision të Kanalit të dytë publik gjerman ZDF, ku po paraqiste librin e saj “Parimi i Arkës së Noes: pse duhet të shpëtojmë familjen”, u pyet nga drejtuesi i emisionit për arsyen e pushimit, megjithëse  publiku gjerman e dinte se ajo u pushua një muaj më parë (9 Shtator) sepse kishte thënë : “… nazizmi ishte një periudhë e tmerrshme, me një lider të marrë e të rrezikshëm, i cili e çoi vendin e gjermanëve në shkatërrim, por në të njëjtën kohë kishte pasur dhe diçka të mirë, në vlerat e familjes, në të jetuarit së bashku”.

Në transmetimin e së martës që shkoi gazetarja u ankua se ndaj saj po bëhet “gjueti shtrigash”. Ajo tha në publik: “…se nëse nuk na lejohet të flasim për vlerat e familjes naziste, atëherë nuk duhet të flasim dhe për autostradat mbi të cilat ngasim makinat sot…”. Të pranishmit reaguan rreptë ndaj fjalëve të saj dhe drejtuesi i emisionit e quajti të mbyllur bisedën, për çka 48 vjeçarja Eva Herman, u detyrua të largohej nga salla. Ajo edhe herë të tjera kishte hapur debate publike për opinionet e saja, por këtë radhë përfaqësuesit e botës kulturore, politike dhe mediave, të pranishëm në sallë, protestuan me forcë, ndryshe nga ne, ku bëmat e diktaturës, dhe sidomos të eksponentëve më të urryer të saj, mbajnë gjallë shumicën e mediave. Në Gjermani për periudhën e nazizmit nuk tolerohet të flasësh, veç të bësh autokritikë dhe ta dënosh. 

Por, ndryshe nga Gjermania, ku tema e nazizmit shkakton menjëherë reagime kundërshtuese të forta, edhe pse mund të ketë nostalgjikë, tek ne periudha dhe liderët e diktaturës së egër komuniste, madje dhe epoka, përmenden haptazi, mbrohen dhe ju mbahen portretet në manifestime në vende publike, nën pretekstin qesharak se janë pjesë e historisë sonë.

Është e vërtetë se janë pjesë e historisë, veçse e faqeve të turpshme, kriminale e të dhimbshme të saj, për t’u shkruar e analizuar mbështetur në fakte dhe dokumente autentike, të cilat nuk mungojnë, dhe rishkruar pas fakteve të reja, për të njohur të kaluarën tonë, për ta dënuar dhe nxjerrë mësime, që dukuri të tilla antihistorike apo regresive të mos përsëriten, por gjithnjë duke dënuar ideatorët, urdhëruesit dhe autorët e krimeve ndaj individëve, grupeve shoqërore dhe Kombit. Pa këtë dënim e refuzim të kaluarës së hidhur të mos presë kush përparim të Shqipërisë dhe shqiptarëve, zgjidhje të çështjes kombëtare dhe integrim real në Evropë.

Ja vlen të kujtojmë këtu se në vitin 1992 me nismën e Partisë Demokratike u hartua dhe miratua një ligj i veçantë kundër komunizmit dhe propagandës komuniste, po kështu dhe apologjisë ndaj saj dhe njerëzve të diktaturës. Por, fatkeqësisht, me rikthimin në pushtet të neokomunistëve, ata që u dënuan për krime komuniste jo vetëm dolën nga burgjet (nën pretekstin e amnistisë që kërkuan të huajt), por dhe u “dëmshpërblyen”. Tashti ata janë heronjtë e shumicës së gazetave dhe të televizioneve, ku proceset gjakatare e politike të montuara dhe dëshmitë e turpshme të spiunëve paraqiten si të vërteta, “tablotë sinoptike” si zbulime komplotesh e të tjera përralla si këto, dhe kriminelët komunistë si njerëz të zot. 

Është jashtë çdo dyshimi se sot në Shqipëri faktori politik dhe mediat përfaqësohen, më tepër se çdo herë gjatë viteve të tranzicionit, nga individë me të kaluar komuniste (denoncimet “për armikun” i bënin në mbledhjet e partisë) dhe në organet e diktaturës, me lidhje jo të vogla me to apo që i kanë shërbyer si bashkëpunëtorë sigurimit për të dhunuar kundërshtarët e regjimit apo ata që mendonin ndryshe deri dhe krejtësisht të kundërtën (a kanë lidhje? a marrin urdhëra?).

Vetëm kjo “frymë” ende komuniste mund të shpjegoje propozimin nga ana e të vetëshpallurve të djathtë,  për shpërblim të njëjtë të spiunëve dhe të sigurimsave e komunistëve me viktimat e tyre, për qëndrimin ndaj pronës publike dhe asaj private etj., apo retorika fals për “dosjet” (sidomos te spiunëve), kur ka një përvojë evropiane dhe shqiptare që injorohet, dhe bëhet dallim për ideatorët e kësaj politike dhe urdhëruesit ndaj atyre që ju shërbyen, në shumicën e rasteve me metoda “shtrënguese”.

Ky episod nga Gjermania  na shtyn të kujtojmë disa shqiptarë të politikës dhe të mediave, të cilët kohët e fundit në vend që të dënojnë diktaturën më të egër komuniste dhe ideatorin e autorin kryesor të saj Enver Hoxhën, mundohen të gjejnë realizime e të flasin për hidrocentralet, hekurudhat apo rrugët e ndërtuara me gjakun djersën dhe mundin e shqiptarëve, mbi vuajtjet e mijëra viktimave, të  dhjetëra mijëra të burgosurve dhe  të internuarve, nga kampe pune etj., apo të thonë që bëri shtet,  kur në fakt “qetësia” ishte rezultat i terrorit  shtetëror më i madhi që njohu bota komuniste pas luftës.

Në këtë mënyrë ata e fshehin të vërtetat duke mohuar dhe nevojën e rishkrimit të historisë mbi fakte e dokumente autentike. Dihet mirë se të gjitha qeveritë apo sundimtarët ndërtojnë me djersën apo dhe gjakun e popullit vepra që mbeten, por nuk gjykohen për to e as se janë ideatorët e tyre, kur mburren për këtë, por çfarë bënë të dobishme për vendin e tyre dhe njerëzit, sa e çuan përpara atë dhe a ndërtuan një shoqëri të drejtë e humane për kohën, dhe ky gjykim rezulton përherë negativ, kur janë ngritur mbi krimin dhe vdekjen.

©Aleksandër Meksi      

MË TEPËR

Mix13 orë më herët

Për forcimin e kujtesës – Produktet që ju duhen çdo ditë

Ju ndodh shpesh të harroni ku keni vënë çelësat e shtëpisë, makinës, telefonin apo syzet , ndonëse më pas zbuloni...

Mix13 orë më herët

Paraliza e gjumit: Çfarë është, pse ndodh dhe si mund ta shmangni?

Paraliza e gjumit është një përvojë e frikshme që shumë njerëz e kanë përjetuar të paktën një herë në jetë....

Radar13 orë më herët

Berisha fton Shpëtim Idrizin në koalicion, përjashton Bashën: Është me Taulant Ballën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se do të zhvillojë negociata serioze me Shpëtim Idrizin për të krijuar...

Radar13 orë më herët

Altin Dumani: Askush të mos ketë frikë, për sa kohë është në përputhje me ligjin

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani është shprehur se askush nuk duhet të ketë frikë nga ngritja e...

Kryesore13 orë më herët

Rama: Do ta bëj Albanian shtetin e ri të BE në 2030!

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur të gjithë kritikëve që i kërkojnë që të largohet, por thekson se nuk ik...

Radar14 orë më herët

Kolegji privat merr masat, njofton policinë pas një e-maili. Hetimi i krimit kibernetik po punon për identifikimin e autorëve.

Policia ka reaguar pas alarmit për bombë në shkollën private “Turgut Ozal”, ku në një email dërguar sekretarës shkruhej “do...

Mix15 orë më herët

Apple prezanton iPhone 16e/ Prodhimi i ri me inteligjencë artificiale

Apple ka prezantuar një iPhone të rim i cili sjell veçoritë e inteligjencës artificiale (AI) me një kosto më të...

Mix15 orë më herët

Anne Frank: Unë besoj ende se njerëzit kanë zemër të mirë…

“Vërtet është për t’u habitur, sesi nuk kam hequr dorë nga të gjitha idealet e mia, sepse duken shumë absurde...

Mix15 orë më herët

Si të bëheni një folës i shkëlqyer në publik?

Pse të flasësh në publik është e rëndësishme? Të folurit në publik është një aftësi që sjell përfitime të shumta....

Mix15 orë më herët

Pse disa njerëz e kanë më të lehtë të kujtojnë ëndrrat sesa të tjerët?

Është e vështirë të jetosh ëndrrat e tua — veçanërisht kur nuk mund t’i kujtosh ato. Dream recall është aftësia...

Facebook